2008-09-08 18:23:08

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e kardinalit Inoçenti. Të mëkurën, Mesha e dritës në Bazilikën e Vatikanit.


(08.09.2008 RV)Benedikti XVI shpreh ngushëllimet për vdekjen e kardinalit Antonio Inoçenti, që ndërroi jetë të shtunën e kaluar, në moshën 93 vjeçare. Në një telegram, drejtuar së motrës së kardinalit, Papa kujton vitet e gjata të shërbimit të tij të zellshëm ndaj Selisë së Shenjtë, si prefekt i Kongregatës për Klerin, si kryetar i Komisionit për ruajtjen e pasurisë artistike e historike të Kishës dhe i Komisionit ‘Ecclesia Dei’. Kardinali Inoçenti – thekson Papa në telegramin e ngushëllimit - dha dëshmi të çmuara të zellit meshtarak e të besnikërisë ndaj Ungjillit.
Ati i Shenjtë i siguron familjarët, miqtë e dashamirët se ndjehet pranë tyre në këto çaste të trishtuara.
Mesha e dritës për ish-prefektin e Kongregatës së Klerit, do të kremtohet të mërkurën e ardhshme, në Elterin e Katedrës të Bazilikës së Vatikanit. Kremtimin do ta kryesojë kardinali Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor. Në përfundim të Eukaristisë, Benedikti XVI do t’u drejtojë fjalën të pranishëmve e do të kryesojë ritin e lamtumirës së fundit.

Me vdekjen e kardinalit Inoçenti, Kolegji kardinalor numëron 193 kardinaj, nga të cilët 116 me të drejtë zgjedhore, 77 me të drejtë këshillimore, sepse mbi moshën 80 vjeç.







All the contents on this site are copyrighted ©.