2008-09-08 18:20:05

Koment i drejtorit të Qendrës Bioetike të Universitetit Katolik të Milanos lidhur me përpjekjen spanjolle për të miratuar një ligj mbi vetëvrasjen e asistuar


(08.09.2008 RV)RealAudioMP3 Qeveria spanjolle përgatitet të miratojë një ligj, që autorizon “ vetëvrasjen e asistuar” dhe që do të hyjë në fuqi brenda vitit 2012. Është autorizim i një lloj eutanazie me prektekstin se, siç deklaroi Ministri spanjoll i Shëndetësisë, “beteja kundër vdekjes nuk mund të fitohet, por ajo kundër dhimbjes po”. Reflekton me ne prof. Adriano Pesina, drejtor i Qendrës së Bioetikës në Universitetin Katolik të Milanos:
Në të vërtetë lufta që bëhet sot është e natyrës ideologjike. Është idea, që në një farë mënyre, të mos përballohet koha e sëmundjes, shënuar nga dhimbja. Nga pikpamja shoqërore, mendoj se një shtet nuk mund të abdikojë para diçkaje që është themelore: të njohë se vlera dhe dinjiteti i një personi ekzistojnë edhe kur ai është i sëmurë. Të pranosh vetëvrasjen e asistuar dhe eutanazinë do të thotë të pranosh se ka jetë, që nuk janë të denja për t’u jetuar.
Ndoshta do të ishte mirë të kujtonim këtu qëndrimin e Kishës ndaj vetëvrasjes së asistuar dhe kurimit përtej kufijve…
Është shumë i qartë dhe i konsoliduar në kohë. Kisha përsërit gjithnjë diçka themelore: duhen bërë ndërhyrje sipas situatës klinike të pacientit e duhet shmangur kurimi i tepruar, që rëndon jetën e personit. Jeta e njeriut ruhet dhe vdekja është fakt, jo vlerë. Por nga ana tjetër, nuk është e arësyeshme të bëhet çdo gjë që është e mundur teknikisht, por vetëm ç’është e përshtatshme për situatën në të cilën ndodhet pacienti.
Në shumë vende të zhvilluara ekonomikisht duket sikur ekziston përpjekja për ta larguar dhimbjen e vdekjen nga shoqëria. Sipas jush, a ka një problem kulturor në bazën e këtyre propozimeve legjislative?
Pika kryesore në përvojën e sëmundjes është çështja e vetmisë. Nga kjo pikpamje, kultura që kultivon idenë se është më mirë të vdesësh se të jetosh, është një kulturë e shënuar thellësisht nga ky problem: problemi i mungesës së marrëdhënieve njerëzore të rëndësishme. Dëshpërimi lind kur në marrëdhëniet personale mugon ajo lidhje, që i jep kuptim kohëve të sëmundjes dhe të dhimbjes. Unë mendoj se shoqëria civile dhe politike duhet të bëhen garante të solidaritetit ndërmjet personave.
Ata që mendojnë se është e drejtë t’i lihet të sëmurit vendimi për trupin e vet, mbështesin idenë se “trupi i përket të sëmurit” ekskluzivisht. Ku çon ky individualizëm?
Kjo temë e “trupit që më përket”, apo e jetës që më përket vetëm mua është disi ekuivoke. Personit i jepet mundësia ta zotërojë jetën, por edhe ta mbrojë. Kisha Katolike nuk flet për trupin si për një pronë të tjetërkujt, të Shtetit apo të Zotit. Kisha vë mirë në dukje se ne jemi krijesa të Zotit, por Hyji nuk është padroni i jetës, është ati i saj e pra i aftë ta ruajë e ta mbrojë. Mendoj se edhe për shoqërinë laike është e rëndësishme të afirmohet ajo që pohon Kisha: shoqëria është një bashkësi njerëzish e pra, jeta është e lidhur thellësisht me marrëdhëniet ndërmjet tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.