2008-09-08 18:29:57

Jehona e entuziazmit të Kishës kaliaritane për vizitën e Benediktit XVI, në fjalët e kryeipeshkvit, Gjuzepe Mani e të të rinjve.


(08.09.2008 RV)RealAudioMP3 Përfundoi mbrëmë vizita e Benediktit XVI në Kaliari. Takimi i fundit zyrtar, në Sheshin Karlo Feliçe. Në zemrën e qytetit sard, ku Papa u takua me të rinjtë. U prit në një atmosferë gazmore, me këngë e valle, luajtur nga të rinj e të reja, të cilëve Benedikti XVI u drejtoi një fjalim prekës, që u ndoq me emocion nga të gjithë.
Pak më përpara Ati i Shenjtë u takua me meshtarët dhe seminaristët, pasi kremtoi, paradite, Meshën solemne, me rastin e njëqindvjetorit të shpalljes të Zojës së Bonarias, Pajtore kryesore e Ishullit.
Gjithë ditën rrugët në të cilat u përshkua Papa, ishin plot me njerëz në festë, që duartrokisnin e brohorisnin. Kështu edhe kur Benedikti XVI shkoi në Seminar, e më pas, në Katedrale, ku u takua me meshtarët e seminaristët e Sardenjës:
Duke ju takuar ju – u tha Ati i Shenjtë – mendoj me dashuri e mirënjohje për sivëllezërit tuaj, që punojnë në Ishull, në toka të reja, të hapura e të lëruara me zell të madh apostolik nga ata që ju paraprinë.
“Sardenja njohu meshtarë që, si mjeshtër të vërtetë të fesë, na lanë trashëgim shembuj të mrekullueshëm besnikërie ndaj Krishtit. I njëjti thesar i paçmueshëm feje, përshpirtërie e kulture, ju besohet sot edhe ju”.
Kështu u shpreh Papa dhe në vijim falënderoi edukatorët e profesorët, që i kushtohen çdo ditë një pune kaq të rëndësishme apostolike, duke theksuar se t’i shoqërosh kandidatët në rrugën e formimit meshtarak, do të thotë t’i ndihmosh të bëhen një me Krishtin.
Një zhvendosje tjetër, turmë tjetër në festë. Benedikti XVI arrin në Sheshin Karlo Feliçe, ku e presin mijëra të rinj. Entuziazmi në qiell; Papa pritet me dashuri të madhe nga të rinjtë, të cilëve u përgjigjet me të njëjtën dashuri, duke i falënderuar për pritjen.E njoh entuziazmin tuaj – u tha Ati i Shenjtë – njoh edhe dëshirat që ushqeni e impenjimin për t’i realizuar. Por njëkohësisht njoh edhe vështirësitë e problemet: plagën e papunësisë e të mungesës së punës, emigracionin, shpërnguljen e forcave më të freskëta e më të gjalla, që çon në shrrënjosjen nga mjedisi e ka si pasojë dëme të rënda të cilat, para se të jenë sociale, janë psikologjike e morale.Më pas Papa vuri theksin mbi të këqijat e shoqërisë konsumistike, në të cilën jetojmë:
“Fitimi e suksesi janë bërë idhuj të rinj, para të cilëve gjunjëzohet shumëkush. Si pasojë, vlerësohet vetëm ai që, siç thuhet sot ‘ka fat’, që dallohet nga të tjerët, e jo ai që lufton ditë për ditë me jetën”.
Krijohet, kështu, rreziku i një jete të përciptë – shtoi Papa – i kërkimit të rrugëve të shkurta për të arritur suksesin, duke e shpërdoruar jetën në kërkim të kënaqësive të menjëhershme, që në vetvete janë të përkohshme e të rreme.
“Rritet prirja për individualizëm, e kur mendon vetëm për vetveten, nuk mund të mos bëhesh i brishtë e të mos e humbasësh durimin e dëgjimit, fazë e domosdoshme për ta kuptuar tjetrin e për të punuar së bashku”.
Pastaj Papa kujtoi Gjon Palin II i cili, në fjalimin drejtuar të rinjve në Kaliari, më 1985, u propozoi tri vlera, tepër të rëndësishme, që duhet t’i kenë parasysh, në se duan të ndërtojnë një shoqëri vëllazërore e solidare: vlerën e familjes, të formimit serioz intelektual e moral, pa të cilin nuk mund të bëhet fjalë për të ndërtuar të ardhmen, dhe vlerën e një feje të thellë e të sinqertë:
“Familja, formimi e feja. Ja pra, të dashur të rinj të Kaliarit e të mbarë Sardenjës, edhe unë po ju lë këto tri porosi, tri fjalë, tri vlera që t’i bëni tuajat me dritën e forcën e Shpirtit të Krishtit. Zoja jonë e Bonarias, Pajtorja kryesore e Mbetëresha e ëmbël e sardëve, ju mbrojtët e ju shoqëroftë përherë!”.

 
Në përfundim të kësaj dite të rëndësishme, për Kishën sarde, kryeipeshkvi i Kaliarit, imzot Gjuzepe Mani, u shpreh kështu para mikrofonit të Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Unë e paraqita vërtetë si një kremtim të madh feje të popullit sard. E kështu ishte vërtetë. Njerëzit morën pjesë në mënyrë të pabesueshme e, sidomos, personale, gjë që më preku thellë, sepse dje Sardenja u bë ‘tempull i Zotit’, ashtu siç e quajti vetë Ati i Shenjtë. Në Sardenjë jemi pak, vetëm një milion e gjashtëqind mijë banorë, e është një tokë më e madhe se Sicilia. Prej tyre ishin të pranishëm në festë më se 150 mijë vetë, ndërsa mijëra të tjerë i ndoqën kremtimet me të njëjtin emocion e pjesëmarrje, para televizorit. Ndonëse feja nuk matet me statistika. Rëndësi ka feja e gjallë. E ne e pamë, e prekëm, duke u mbledhur rreth Pajtores sonë, Zojës së Bonarias, që jam i sigurtë se do t’i ndihmojë sardët ta ungjillëzojnë botën e punës, të ekonomisë e të politikës. Fjalë të forta, apo jo?

 
E pas kryeipeshkvit Mani, të dëgjojmë ç’mendon një nga të rinjtë, pjesëmarrës në të gjitha kremtimet, për gjurmët që lë pas kjo vizitë baritore e Papës në Sardenjë e posaçërisht, takimi me të rinjtë:

Përgjigje: - Sigurisht na lë një ngakesë shpirtërore, që mund të na krijojë të gjithë neve, të rinjve, mundësinë ta shikojmë ardhmërinë me më shumë besim. Në se duam t’ia ndryshojmë faqen kësaj shoqërie, duhet të nisim nga vetvetja e të impenjohemi sidomos në jetën tonë të përditshme, në lagjen tonë, në shkollat tona, në universitetet tona, në komunën tonë. 







All the contents on this site are copyrighted ©.