2008-09-08 18:20:51

Dita ndërkombëtare e alfabetizimit: arsimimi është ilaçi më i mirë për shëndetin.


(08.09.2008 RV)RealAudioMP3 U kremtua sot Dita Ndërkombëtare e alfabetizimit, me temë “Alfabetizimi dhe shëndeti. Alfabetizimi është ilaçi më i mirë”. Pikërisht në zonat ku nënat janë pa shkollë, për shembull, është vënë re se vdekshmëria foshnjore është më e madhe. Edhe sot e kësaj dite – nënvizon UNESCO – rreth 774 milion të rritur nuk dinë shkrim e këndim e 75 milion fëmijë nuk mund të shkojnë në shkollë. Problemi është bërë i ndjeshëm edhe në Shqipëri, ku deri 20 vjet më parë rrihej gjoksi për fundin e analfabetizmit. Emigracioni i brendshëm dhe futja në punë e fëmijëve kanë ndikuar që zona të tëra të mbeten pa mësues, ose që shumë fëmijë të mos shkojnë në shkollë. Për të mos folur për alfabetizimin kulturor, i cili do të kërkonte një impenjim të fuqishëm nga ana e shtetit. Siç shpjegon doktoresha Ana Maria Errera e zyrës së projekteve të OPAM-it, Veprës për Nxitjen e Alfabetizimit në Botë, arësimimi është i lidhur ngushtë edhe me shëndetin e popullsisë:
Arsimimi është një mjet i pazëvendësueshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës e të shëndetit të qëndrueshëm në një popullsi. Mendohet gjithnjë për ndërhyrje të emergjencës, apo për ndërtime spitalesh, dërgime ilaçesh, të cilat shërbejnë për të zgjidhur problemin aty për aty, por vështirë të ndikojnë më thellë. Në fakt, në vendet në zhvillim, dy të tretat e sëmundjeve që shkaktojnë vdekjen do të evitoheshin përmes programeve të zhvillimit e të parandalimit. Prandaj, është themelore të investohet në fushën e arësimimit, për të ulur numrin e sëmundjeve e për të përmirësuar cilësinë e shëndetit të krejt popullsisë. Gjithashtu, arsimimi është i rëndësishëm për të lehtësuar kurimin, pasi lufton paragjykimin, që nganjëherë është një pengesë e pakapërcyeshme edhe aty ku janë ndërtuar spitale.
Pastaj, mjafton të mendojmë se vetëm duke i mësuar një fëmije se si ta përdorë mirë ujin, apo pusin, si të përdorë banjon, reduktojmë me një të tretën sëmundjet infektive. Për të mos folur pastaj për regjistrimin e fëmijëve në programet e vaksinimeve, për arësimimin e nënave. Një nënë me shkollë, do t’i lejojë edhe fëmijës të arsimohet…







All the contents on this site are copyrighted ©.