2008-09-08 19:09:04

365 ditë: "Motër Rozalia, engjëlli i lagjes Muftar".


(08.09.2008)RealAudioMP3 Para studios së motër Rozalisë zgjatet një radhë paksi e çuditshme. I pari në radhë, është një zotëri plak, i veshur varfërisht. Sigurisht duhet të jetë banor i kësaj lagjeje, lagjes Muftar, më e varfëra e Parisit, rreth viteve 1850. Pas tij pret, me duresë, një grua shtatzënë, edhe ajo shumë e varfër. Pastaj është ambasadori i Spanjës. Edhe ai pret përvujtërisht turnin. E më pas vijojnë njerëz të tjerë, të varfër e të pasur, madje shumë të pasur.
Shtëpia e Motër Rozalisë është i vetmi vend në Paris, të cilin e ndjekin të gjithë, pa e shikuar shtrembër njëri-tjetrin. As shenjë zilie në sytë e të varfërve, e as shenjë përbuzjeje në sytë e të pasurve.
Motër Rozalia ka aftësinë të krijojë rreth vetes frymën e bashkimit. Me kapuçin e saj të bardhë, të çuditshëm, nga i cili zgjaten dy si krahë në të dy anët e kokës, ajo është engjëlli i lagjes Muftar, ku banon prej pesëdhjetë vjetësh, aq sa të gjithë e kanë harruar se vjen nga larg, nga malësitë e Zhyrasë. Motra Rozali është kthyer në institucion lokal, ashtu si Kisha e Shën Medardit, që ndodhet dy hapa më tej. Në vitin 1802 hyri në Kongregatën e Bijave të bamirësisë, urdhër i themeluar nga Vinçenc de Paoli dhe nga Shën Luiza dë Marijak, duke ia kushtuar, kështu, gjithë jetën, shërbimit të të varfërve. Arriti të mbledhë rreth vetes gjithë njerëzit vullnetmirë. Admiruesit e saj të kamur, ministra ose ambasadorë, i bëjnë dhurata të shumta. Disa zonja të pasura, që jetojnë në lagjet luksoze, vizitojnë rregullisht të varfërit, sipas porosive të saj. E gjithnjë duke ndjekur këshillat e murgeshës së bamirësisë, disa të rinj, si Federik Ozanam e miqtë e tij, themelojnë shoqata ndihme.
Prandaj shtëpia e saj është qendër e një veprimtarie të ethshme. I ngjet folesë së milingonave, ku arrijnë vazhdimisht dhurata të reja, të cilat sakaq rinisen nëpër rrugët e lagjes. Pamja e të varfërve, që takohen si miq me të pasurit, i jep zemër motër Rozalisë. Sigurisht lagjja nuk është aspak luksoze: madje është tejet e varfër, e trishtë, plot potere e të papritura. Dy herë me radhë, në vitin 1830 e 1848, këtu u ndeshën me tërbim ushtarët e qeverisë me të varfërit kryengritës. Asokohe Motrës iu desh të mjekonte shumë të plagosur, e shumë njerëz nga të dyja palët, i vdiqën në prehër. Kujtimi i atyre ditëve, që mund të përsëriten nga çasti në çast, e mbush me ankth. Jo, nuk mund të fitojë gjë prej gjëje, derisa në Paris të ketë kaq shumë pabarazi! Kaq shumë padrejtësi, kaq shumë të varfër. E ç’mund të bëjë një motër e thjeshtë, përballë gjithë këtij mjerimi? Por ajo vijon, me bindjen se shtëpia e saj është simbol i qytetërimit të dashurisë, në të cilin të gjithë duhet të jetojnë si vëllezër. Ajo beson se një ditë ky qytetërim do të bëhet realitet. Prandaj Gjon Pali II, në vitin 2003, e shpalli të Lume.







All the contents on this site are copyrighted ©.