2008-09-07 19:21:03

Sot pasdite Papa u takua me klerin e me të rinjtë e Sardenjës.


(07.09.2008 RV)Pas përfundimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa shkoi në Seminar, ku u takua me seminaristët e Sardenjës dhe drekoi me ipeshkvijtë e Ishullit. Ndërmjet takimeve të pasdites, kujtojmë përshëndetjen drejtuar organizatorëve të vizitës, takimin, në katedrale, me meshtarët dhe me bashkësinë e Fakultetit Papnor teologjik të Sardenjës, të cilëve Papa u drejtoi fjalën e rastit.
Së fundi, pak para orës 18. 00, Benedikti XVI u takua me të rinjtë, në sheshin Jene të Kaliarit. Pasi dëgjoi dy përfaqësues të të rinjve, u drejtoi fjalën, duke theksuar se i njeh mirë entuziazmin dhe ëndrrat e moshës së re, por edhe vështirësitë e jetës, aq më tepër në shoqërinë konsumistike, që krijon idhuj të rinj si fitimi e suksesi, para të cilëve kërkon t’i gjunjëzojë të gjithë. Ati i Shenjtë theksoi tri vlera tepër të rëndësishme, që duhet t’i kenë parasysh të rinjtë, në se duan të ndërtojnë një shoqëri vëllazërore e solidare: vlerën e familjes, të formimit serioz intelektual e moral, pa të cilin nuk mund të bëhet fjalë për të ndërtuar të ardhmen, dhe vlerën e një feje të thellë e të sinqertë.
Ati i Shenjtë u largua nga aeroporti i Elmas me një avion të Flotës Ajrore Ushtarake për në aeroportin e Çampinos e që aty, për në Kastel Gandolfo, duke përfunduar kështu vizitën në Kaliari me rastin e njëqindvjetorit të Shenjtërores të Zojës së Bonarias, i njëmbëdhjeti në Itali, që zgjati nëntë orë e gjysëm.
Kujtojmë se Papa Racinger e vizitoi Kaliarin 38 vjet pas Palit VI e 23 vjet pas Gjon Palit II. Papa Vojtila e vizitoi Sardenjën nga data 18 deri më 20 tetor të vitit 1985, duke u ndaluar në disa qytete. Në takimin me besimtarët, i pati porositur “ta ndërtojnë të tashmen e të ardhshmen mbi bazat e Ungjillit, që e pasuron dhe e larton njeriun në të gjitha përmasat”, porosi që nuk mungoi as në takimin e ri me Papën Racinger, i cili shkoi në Kaliari pikërisht kur kremtohet një Vit i posaçëm marian (16 shtator 2007- 21 shtator 2008), për të kujtuar njëqindvjetorin e shpalljes së Zojës së Bonarias, Pajtore kryesore e Sardenjës, Shenjtërorja e së cilës lartohet mbi kodrën me të njëjtin emër që nga viti 1370, kur, sipas traditës, arriti këtu nga deti.







All the contents on this site are copyrighted ©.