2008-09-07 17:49:31

Në Kaliari, Papa ia beson Virgjërës Mari familjet e të rinjtë. Në Engjëllin e Tënzot, lutet për popullsinë e Haitit, të dëmtuar nga uraganet.


(07.09.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Benedikti XVI ishte në Kaliari për njëqindvjetorin e shpalljes të Zojës së Bonarias ‘Pajtore e posaçme e gjithë ishullit të Sardenjës”. Një vizitë apostolike kushtuar Virgjërës Mari, së cilës Papa ia besoi, posaçërisht, familjet e të rinjtë.
Ati i Shenjtë arriti në Kaliari sot paradite, rreth orës 9. 30. U prit nga kryeipeshkvi i kryeqendrës sarde, Gjuzepe Mani, nga kryeministri italian, Silvio Berluskoni dhe autoritete të tjera civile e kishtare.
Vizita e parë - në Shenjtëroren kaliaritane, në sheshin para së cilës kremtoi Meshën Shenjte dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot. Një kremtim që u ndoq me emocion nga një turmë besimtarësh në festë.
Nga Kaliari, shërbim i të dërguarit tonë, Salvatore Sabatino:

“Kaliari e Sardenja u shtrënguan sot rreth Papës në një përqafim të sinqertë. I përshëndetur nga mijëra njerëz në të dy anët e rrugëve që përshkoi, Papa shkoi menjëherë në Shenjtëroren e Zojës së Bonarias për kremtimin e Meshës. U prit me tingujt e ‘launedas’, një instrument muzikor tipik i kësaj toke, e nga shumë të rinj me kostume popullore, simbol i pasurisë kulturore e historike të kësaj toke të lashtë. Secili prej tyre përfaqësonte një nga komunat e Sardenjës, sikur donin të thoshin: jemi këtu, të gjithë, për të pritur Papën.

Së pari Ati i Shenjtë u takua me të sëmurët e qindvjeçarët. Pastaj, nga elteri i bardhë, ngritur me këtë rast në sheshin para Shenjtërores, që sundon nga maja e kodrës mbarë gjirin e Kaliarit, Benedikti XVI e nisi homelinë, duke shprehur admirimin për pritjen:
“Shfaqja më e bukur, që mund të japë një popull është, pa dyshim, ajo e fesë së tij. Në këtë çast unë prek me dorë fenë që ju frymëzon, e për këtë dua t’ju shpreh menjëherë admirimin tim”.
Gjatë homelisë Papa foli për historinë e krishterimit në Sardenjë, për dëshmimin e fesë nga martirët e vendit e, sidomos, për lidhjen e ngushtë me Selinë e Shën Pjetrit:
“Sardenja nuk ka qenë kurrë tokë herezish; populli i saj mbeti gjithnjë besnik ndaj Krishtit e Selisë së Shën Pjetrit. Po, të dashur miq, edhe gjatë pushtimeve e sundimeve, që pasuan njëri-tjetrin, feja në Krishtin mbeti e gjallë në shpirtin e popullsive tuaja, si element ndërtimtar i vetë identitetit tuaj sard”.
E më pas Papa, duke kujtuar njëqindvjetorin e shpalljes së Zojës Pajtore kryesore e Ishullit, tha në dialektin vendas:
“Sa Mama, Fiza, Isposa de su Segnore…
Ajo është Nëna, Bija, Nusja” – siç i këndoni në këngët tuaja”.
Vijoi, pastaj, me një FalemiMëri, gjithnjë në dialekt, e me urimin: “Zoja e Bonarias ju ndihmoftë ta çoni Krishtin në familje, kisha të vogla shtëpijake e qeliza të shoqërisë. Ju ndihmoftë të gjeni strategjitë e nevojshme baritore, për t’i hapur Krishtit rrugën e takimit me të rinjtë, që janë të etur për të vërtetën e idealet, pikërisht atëherë kur duket sikur i mohojnë:
“Ju bëftë të aftë për të ungjillëzuar botën e punës, të ekonomisë, të politikës, që ka nevojë për një brezni laikësh kristianë të impenjuar, të aftë për të kërkuar me kompetencë e rreptësi morale, rrugëzgjidhje për një zhvillim të qëndrueshëm”.
Breznitë e sardëve - përfundoi Papa - do të vijojnë të ngjiten tek Shenjtërorja, për të kërkuar ndihmë nga Zoja e Bonarias, Nëna e mëshirshme e e pushtetshme, e nuk do të mbeten kurrë të zhgënjyer.
Para lutjes së Engjëllit të Tënzot, një çast vërtetë solemn. Benedikti XVI vendosi në dorën e djathtë të shtatores së Zojës së Bonarias, një barkë të vogël dhe një qiri, simbol i fesë së sardëve. Për ta theksuar këtë çast, sirenat e barkave që ndodheshin në det, përballë Shenjtërores, ranë të gjitha përnjëherësh, ndësa Papa vendoste tek këmbët e Virgjërës, një trëndafil të artë".

 
Edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI ia kushtoi Zojës së Bonarias, të cilën e quajti ‘Mbretëreshë e ëmbël e sardëve’ dhe ia besoi përsëri qytetin e Kaliarit, Sardenjën dhe të gjithë banorët e saj.
E në përfundim të lutjes, Ati i Shenjtë kujtoi Haitin:
“Nën vështrimin e Marisë, dëshiroj të kujtoi popullsitë e dashura të Haitit, të vëna në provë të rëndë këto ditë nga kalimi i tre uraganeve. Lutem për viktimat, për fat të keq, të shumta, e për të pastrehët. Jam pranë gjithë Kombit e uroj që t’i arrijnë sa më shpejt ndihmat e nevojshme. Ia besoj të gjithë mbrojtjes së Zojës së Bonarias”.







All the contents on this site are copyrighted ©.