2008-09-07 17:43:45

365 ditë: "Domeniko Savio, shenjt në moshën 15 vjeçare".


(07.09.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, 24 qershor 1855, kremtohet festa e Shën Gjonit. Gjon Bosko ka ditën e emrit e në shkollën që ka themeluar meshtari, atmosfera është shumë gazmore.
Nxënësit kanë organizuar një festë për drejtorin, të cilin të gjithë e duan si ta kishin atë. Dom Bosko preket thellë e, për t’i falënderuar djemtë, u thotë: “Secili nga ju të shkruajë mbi një copë letër, një dëshirë. Ju premtoj se do të bëj çmos për t’ia plotësuar”.
Ç’kënaqësi! Të gjithë vrapojnë të gjejnë një copëz letre. Bie një heshtje varri! Pastaj dom Bosko mbledh fletët e shkon në studion e tij, për të lexuar dëshirat e nxënësve.
“Dua një çokollatë”.
“Ju lutem, më jepni një top”.
“Më ndihmoni, ju lutem, të bëhem shenjt!”.
Dom Boskos i vjen për të qeshur, kur e lexon këtë dëshirë. Vetëm njërit nga djemtë e tij mund t’i ketë lindur kjo ide: Domeniko Savios. Në moshën trembëdhjetë vjeç, i është ngulur në kokë, si gozhdë, të bëhet medoemos shenjt. I çuditshëm, ky djalë! E pikërisht për të arritur këtë qëllim, ka ardhur në shkollën e dom Boskos.
Dëshiron të formohet mirë, për t’u bërë, pastaj, meshtar e për t’i shërbyer Krishtit.
“Më ndihmo të bëhem shenjt!”
Dom Bosko e lexon e e rilexon këtë shprehje të veçantë. E i duket se Domeniko nuk ka edhe aq nevojë për ndihmën e tij. Është gjithnjë me humor të mirë. Gjithnjë plot kujdes për të gjithë. Punon rëndë e lutet me gjithë shpirt… “Në se Domeniko do të bëhet shenjt, kjo sigurisht nuk do të jetë merita ime” , thotë me vete dom Bosko.
Domeniko ka një shëndet tepër delikat. Vuan nga një sëmundje e tmerrshme: tuberkulozi. Por kjo nuk e pengon të themelojë, në vitin 1855, së bashku me disa miq, Shoqërinë e Zojës së Papërlyer. Shoqëria ka për qëllim t’u japë zemër atyre, që bëjnë vepra të mira, e të krijojë një atmosferë plot humor në shkollë. Domeniko vdes më 1857, në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare. Në vitin 1954, njëqind vjet më vonë, Kisha e shpall shenjt. Po ç’mrekulli bëri, për ta merituar nderimin më të lartë, atë të elterit? Gjatë jetës së tij të shkurtër, nuk pati kohë të bënte vepra të jashtëzakonshme. Por që i ri vendosi t’ia kushtojë gjithë jetën Zotit, duke filluar nga gjërat e vogla, që bënte ditë për ditë. E pikërisht kjo është shenjtëria. Me shembullin e tij, Domeniko u tregon të krishterëve se është plotësisht e mundur të bëhen shenjtorë ... madje shpejt e shpejt.







All the contents on this site are copyrighted ©.