2008-09-06 14:49:52

Në audiencë tek Papa, presidenti i Rumanisë, Basesku vlerësoi mbështetjen e Kishës për integrimin e rumunëve jashtë shtetit.


(06.09.2008 RV)Roli i Rumanisë në Bashkimin Evropian, por edhe integrimi i bashkësive rumune jashtë vendit dhe marrëdhëniet me Kishën ortodokse ishin argumentet kryesore që diskutuan sot paradite Papa Benedikti XVI dhe presidenti i Rumanisë, Trajan Basesku, i cili u prit në Vatikan. “Bisedimet e përzemërta – pohon komunikata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – bënë të mundur që të flitej për situatën në vend, duke iu referuar veçanërisht integrimit të tij në Bashkimin Evropian, të prekeshin, në atë kontekst, temat e identitetit historik, kulturor e shpirtëror të Kontinentit, të vihej në dukje gjithashtu afërsia e qëndrimeve të Selisë së Shenjtë dhe të Rumanisë në fusha të ndryshme ndërkombëtare”.
U diskutuan edhe “disa çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet Kishës Katolike dhe Shtetit rumun, si edhe me marrëdhëniet me Kishën Ortodokse, duke uruar – nënvizon nota e Vatikanit – që rritja e mirëkuptimit dhe e bashkëpunimit të anasjelltë të kontribuojë në të mirën e krejt banorëve të vendit dhe në përparimin e tyre shpirtëror e material”. Së fundi, përfundon komunikata zyrtare, “nuk mungoi edhe argumenti i bashkësive rumune jashtë shtetit, për integrimin jo gjithnjë të lehtë të të cilave, institucionet e Kishës Katolike ofrojnë një ndihmë bujare dhe efikase, që presidenti Basesku e njohu dhe e vlerësoi shprehimisht”.







All the contents on this site are copyrighted ©.