2008-09-05 18:00:47

Shpirti i Nënë Terezës: skajet e fshehta të jetës së saj shpirtërore.


(05.09.2008 RV)Sapo Nënë Tereza pati filluar misionin në rrugët e Kalkutës, në shpirtin e saj lindi një përvojë e re shpirtërore: nuk e ndjente më bashkimin e thellë me Jezusin, që e kishte tronditur e gëzuar aq tepër në fillim. Nga ngushëllimi i pranisë së ndjeshme, kaloi në trishtimin e ndarjes nga Ai. Mendimi se Krishti nuk ishte më pranë saj e bënte edhe më të thellë, më të fuqishme, më të zjarrtë dëshirën për ta gjetur rishtas, për të qenë me Të, pranë Tij. Ishte e zhuritur për të, prandaj, ndonëse e ndjente veten të zhytyr në një errësirë të plotë, u lëshua me besim të verbër në duart e Zotit.
Përvoja e provës dhe e spastrimit është karakteristike për shpirtin e çdo njeriu, që dëshiron të rritet shpirtërisht. Njerëzit që u rrinë larg joshjeve të botës, ia dalin mbanesh t'i afrohen Zotit. Munden, më pas, të kalojnë periudha vuajtjesh të thella shpirtërore, të cilat një nga mistikët më të famshëm kristianë, Shën Gjoni i Kryqit, i quan "nata e errët e shpirtit". Përmes provave të tilla Zoti spastron shpirtin dhe e përgatit për një bashkim edhe më të plotë me Të. Në se, në dukje, e lë njeriun pa kurrfarë ngushëllimi këtë e bën me qëllim që të shkëpuet nga çdo gjë tjetër, e cila nuk është Ai. Në këtë errësirë, ëmbëlsia që të jep ndjenja, e cila buron nga afërsia e Zotit, zëvendësohet me një ndjenjë të dhimbshme. Njeriu vuan, i duket se Zoti është larguar prej tij, se nuk e do më. Madje shpirti mund të arrijë deri atje, sa të tundohet nga mendimi se Zoti e qielli nuk ekzitojnë. Të duket, atëherë, se të gjitha përpjekjet për të besuar, për të shpresuar, për të dashur, janë të kota. E megjithatë, njeriu ndjen edhe më shumë etje për Zotin, gjë që e bën më të mprehtë dhimbjen që buron nga pandehma se ai është larg. E gjithë kjo krijon një gjendje ankthi, ndonëse njeriu vijon të lutet e ta kryejë besnikërisht misionin e tij të përditshëm.
Në dashurinë e tij të pafund, Zoti lejon që njeriu të vihet në prova të rënda, që mund t'i duken tepër të ashpra edhe atyre të cilët vijonë ta duan me gjithë zemër. Provat ndryshojnë sipas thirrjes e dhantive të posaçme, misionit të veçantë e shkallës së dashurisë në të cilën Zoti dëshiron ta udhëheqë secilin prej tyre. Përgjigja besnike e plot dashuri në errësirën e kësaj nate të thellë, forcon fenë, shpresën, dashurinë për Zotin e për të afërmin, e shenjtëron njeriun.
Jeta e disa shenjtorëve tregon se edhe atëherë kur arrihet në bashkim intim me Zotin, mund të vijojë endè ndjesia e errësirës. Në këtë rast, qëllimi i vuajtjes nuk është më përgatitje për bashkim, por kryesisht pjesëmarrje në vuajtjen shëlbuese të Krishtit në kryq, që prodhon e efektin e tërheqjes të të tjerëve në rrugën e Zotit. Shprehjen e një dashurie të tillë mund ta gjejmë në jetën e shumë shenjtorëve si Shën Pali i Kryqit, Shën Alfons de Liguori e Shën Tereza e Krishtit fëmijë.
Do të shikojmë se kështu e deshi Krishtin edhe Nënë Tereza e cila, përmes një prove të rëndë shpirtërore, arriti të hyjë thellë në dëshirën e zjarrtë të Jezusit, të provojë "Etjen e tij për dashurinë e Atit e të shpirtrave".
Që kur ishte murgeshë e re, Nënë Tereza kishte kaluar periudha vuajtjesh shpirtërore. Për herë të parë flet për këto vuajtje më 1937, pak para se të bënte kushtet e përhershme. Gjatë një prove të tillë të dhimbshme, qe mbështetur plotësisht në Zotin e kjo ia kishte forcuar edhe më shumë dashurinë për Krishtin e Kryqëzuar. Edhe në këtë rrethanë e pati fshehur plotësisht provën e vet shpirtërore, sa të gjithë, madje edhe simotrat, mendonin se ajo nuk e dinte ç'është vuajtja. Ndonëse nuk është e lehtë të mësosh si e sa vuajti Nënë Tereza në fillim të jetës së saj rregulltare, errësira, siç e quan ajo vetë, e shtyu të vijonte edhe më me vendosmëri rrugën e shenjtërisë.
Kushti, bërë më 1942, që të mos i mohonte asgjë Zotit, ishte një shenjë e re e bashkimit me Jezusin, posaçërisht përsa i përket gatishmërisë për të bërë vullnetin e Tij. Disa vjet më vonë, gjatë periudhës së bisedave dhe vegimeve, drejtuesi i saj shpirtëror, Atë Celeste Van Exem, jezuit, vërejti se shpirti i rregulltares vijonte të persosej: sipas tij, ky bashkim me Zotin ishte aq i vazhdueshëm, sa duhej pritur që Nënë Tereza të provonte shumë shpejt lutjen ekstatike (që e çon njeriun në ekstazë). Kur u largua nga Loreto, për të përballuar misionin e ri në rrugët e Kalkutës, e ndjeu veten thellësisht të ngushëlluar, gjë që u ra në sy të gjithë atyre që bashkëpunonin me të; e kështu vijoi të ndjehej edhe në muajt që pasuan frymëzimin e saj të ri. Gjithsesi, drita gazmore e bashkimit të thellë me Krishtin do të shuhej rishtas. E do të zevendësohej me një errësirë shpirtërore, që do të bëhej pjesa thelbësore e jetës së saj si Misionare e Bamirësisë. Kur Nënë Tereza u kujtua për ndryshimin që kishte ndodhur në shpirtin e saj, foli me Atë Van Exemin. Ia besoj të fshehtën edhe kryeipeshkvit Përier, të cilit i tregoi se përvëlohej nga dëshira për t'iu kushtuar e tëra Zotit, për të qenë shenjte deri në atë masë, sa Jezusi të mund ta jetonte plotësisht jetën e tij në Të. "Sa më shumë e dëshiroj Atë - i rrëfeu- aq më tepër më dëshiron edhe Ai mua. Dëshiroj ta dua, ashtu siç nuk e ka dashur asnjeri. E megjithatë e ndjej vetën të ndarë prej Tij, ndjej një zbraztësi të tmerrshme, më duket sikur Zoti më mungon".
Më pas Nënë Tereza i shkroi Kryeipeshkvit Përier se jo vetëm që nuk po provonte kurrfarë lehtësimi, por përkundrazi, terri rreth saj po bëhej gjithnjë më i dendur e gjithnjë më i padurueshëm. Mrekullohej nga këto dy ndjenja kundështare që vlonin në shpirtin e saj: mungesa, në dukje, e virtytit të fesë, të shpresës e të dashurisë e deri edhe e Zotit, e njëkohësisht dëshira përvëluese për Krishtin. Gjithsesi letra shpreh, veç ankthit e luftës shpirtërore, edhe e kryesisht lëshimin e plotë në duart e Zotit: "Ka aq shumë kontradikta në shpirtin tim: ka një dëshirë kaq të fortë për Zotin, kaq të thellë, kaq të dhimbshme … një vuajtje e vazhdueshme. E megjithatë, më duket se Zoti nuk më do më, më ka flakur, ma ka zbrazur shpirtin, më ka lënë pa fe, pa dashuri, pa zell. Shpirtrat nuk më tërheqin më fare. Qielli nuk ka kurrfarë kuptimi, më duket si të mos ekzitonte. Ndërkaq më përvëlon dëshira për Zotin. Lutuni për mua, që të vijoj të buzëqesh, pavarësisht nga ç'ngjet në shpirtin tim, sepse i pëkas vetëm Atij e prandaj Ai i ka të gjitha të drejtat mbi mua. Jam përsosurisht e lumtur që nuk vlej asgjë, madje as për Zotin".
Përvoja e errësirës vijon. Nënë Tereza shkruan: "Vetëm ta dinit ç'po heq. Ai po rrenon gjithçka brënda meje, ndonëse nuk i njoh vetes asnjë të drejtë. Eshtë i lirë të bëjë si të dojë. Lutu, që të vijoj ta vë buzën në gaz".
Por nganjëherë vuajtja arrinte kulme të tilla, sa Nënë Tereza kishte përshtypjen se qe flakur në skëterrë: "Thonë - shkruan Ajo - se në ferr të dënuarit vuajnë në amshim për shkak të mungesës së Zoti, sepse nuk mund ta shikojnë fytyrën e Tij; do ta përballonin me kënaqësi vuajtjen, madje edhe më të madhe, në se do të kishin sadopak shpresë për ta parë një ditë Zotin. Në një vuajtje të tillë është zhytur shpirti im: vuaj tmerrësisht nga mungesa e Zotit, nga mendimi se Zoti nuk më do, se Zoti nuk është Zot, se nuk ekziston fare".
Por sado të tmerrshme që ishin këto prova, ajo vijoi t'ia besojë krejtësisht veten Zotit: "Errësira është aq e verbët, vuajtja dhemb aq shumë… po unë pranoj gjithçka më jep, e i jap gjithçka gjithçka pranon".
Kjo braktisje mahnitëse në duart e Zotit - në përkim me kushtin e bërë më 1942 - qe karakteristika kryesore e përgjigjes së Nënë Terezës gjatë të gjitha viteve të provës së vështirë që iu desh të pëballonte: "Pranoj gjithçka me gëzim, deri në fund të jetës". Kjo isht përgjigja, ndonëse një pyetje e vështirë nuk e linte të qetë: "Ç' përfitim do të ketë Zoti nga gjithçka bëj, në se në shpirtin tim ka vetëm zbraztësi?". Po Nënë Tereza ishte e bindur se kështu donte vetë Zoti, "Nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend se dashuria e bën njeriun të vuajë kaq shumë. Më parë ndjeja vuajtjen që shkaktohet, kur të duket se të mungon Zoti, tani më duhet të provoj vuajtjen e dëshirës së papërmbushur - një vuajtje njerëzore me zanafillë hyjnore". E rishtas ajo i shtrohet vullnetit të Zotit: "E di se dëshiroj me gjithë zemër gjithçka do Zoti, ashtu si e do Ai e gjithsa të dojë. E pra, Atë, kjo vetmi është e rëndë. E vetmja gjë që më mbetet, është bindja se "është vepër e Tija".
Siguria absolute se misionin ia kishte caktuar vetë Zoti, e ndihmoi ta vijonte rrugën e saj nëpër një errësirë, së cilës nuk i dukej fundi. Shkruan: "Jam gjithnjë e bindur se vepra nuk është imja. Nuk kam kurrfarë dyshimi se ke qenë Ti, që më ke thirrur me kaq dashuri e forcë. Ke qenë Ti… e je akoma Ti, edhe tani".
Nënë Tereza, e njohur për fenë e saj të paluhatshme, për shpresën e fuqishme, për dashurinë e zjarrtë, ishte bashkuar me Zotin pa atë ëmbëlsi, për të cilën të gjithë, deri simotrat, mendonin se e gëzonte. Mungesa e kësaj dashurie i dha shtytjen të përshkonte një rrugë tjetër feje. Kërkesa e saj në lutjen, që e përsëriti pa pushuar në rrjedhë vitesh, fitoi një vlerë më domethënëse në dritën e kësaj vuajtje të fshehur. "Ju përgjërohem - shkruan - lutuni në mënyrë të posaçme për mua, që të mos e rrenoj veprën e Zotit". Nënë Tereza ka lënë dëshmi tronditëse të një jete me fe të dlirë. Përmes kësaj feje, ajo shikonte dorën e Zotit në gjithçka ndodhte brënda e jashtë saj. Me këtë besim i dorëzohej plotësisht Atij, duke menduar se ishte krejt pa vlerë: "një laps i vogël në duart e Zotit".Aspekti më i thellë e, pa dyshim, edhe më i dhimbshëm i kësaj errësire, qe prova e dashurisë. Vuante edhe më fort, sepse i dukej se qe ndarë nga Zoti, në sa kujtonte bashkimin e thellë e të vazhdueshëm me Të, në kohën e frymëzimit të madh. E pra, sadoqë kjo përvojë ishte tepër e hidhur, dëshira për ta dashur Krishtin ashtu si nuk e kishte dashur asnjeri më parë, mbeti e pandryshueshme. Në një letër drejtuar jezuitit Atë Picachy, udhëheqës i saj shpirtëror në këtë periudhë, shkruan kështu për sjelljen e vet gjatë kësaj beteje shpirtërore: "Kam mbërritur deri në atë pikë, sa të them: "Jo!". Ka qenë vërtetë diçka tepër e vështirë për mua. Kjo dëshirë e tmerrshme vijon të bëhet gjithnjë më e fuqishme dhe unë ndjej se një ditë diçka do të thyhet në zemrën time. Pastaj, kjo errësirë, kjo vetmi, kjo ndjenjë e hatashme izolimi… E pra, e dëshiroj me zjarr Zotin, dëshroj ta dua me gjithë vetveten. Dëshiroj ta dua me një dashuri të thellë, personale".
Një përgjigje e tillë, kaq fisnike dhe një vuajtje e tillë, kaq e rëndë, e ngjitën Nënë Terezën në shkallën më të lartë të dashurisë.
Që kur kishte filluar misionin e ri, errësirën e pati gjithnjë shoqe udhe. Letrat e saj, të shkruara në vitet '50 e '60, shprehin vuajtjen e paprerë, që s'e la asnjë ças të qetë, në sa e dëshironte me gjithë shpirt Zotin. Në fillim të viteve '60 nisi të kuptonte, me mirënjohje të thellë, domethënien që kishte errësira shpirtërore në jetën e saj dhe vendin që zinte në misionin e shërbimit ndaj të varfërve më të varfër; megjithatë ajo vijoi ta ndjente kërcënimin e errësirës. Në vitet '70 e '80 errësira dhe vogëlsia e saj ishin ende temat kryesore të bisedimeve me udhëheqësit shpirtëror. Në ato pak letra që janë ruajtur e që i përkasin këtyre viteve, shprehet me forcë etja e saj për Jezusin, vuajtja që i shkaktonte pamja e të varfërve, por edhe mirënjohja sepse, duke qenë krejt e pavlerë, e varfër si Jezusi, pikërisht përmes kësaj varfërie, mund t'i udhëhiqte njerëzit në atë rrugë dashurie, që kishte përshkuar ajo vetë, t'i bënte ta donin Jezusin, si e donte ajo.
Vetëm dy vjet para vdekjes, përsëriste shpesh se Zoti i kishte bërë një dhuratë të mrekullueshme: i kishte krijuar mundësitë t'ia dhuronte Atij zbraztësinë e vet shpirtërore. Përsa dihet deri më sot, Nënë Tereza vijoi ta përjetonte fenë e saj të thellë në errësirë dhe t'ia besonte plotësisht vetveten Zotit, deri në vdekje.

(Nga postulatori i çështjes së lumnimit, Atë Brian Kolodiejchuk)







All the contents on this site are copyrighted ©.