2008-09-05 17:43:33

I hidhur lajmi i miratimit të kontracepsionit dhe abortit për vendet në rrugë zhvillimi nga ana e Europarlamentit.


(05.09.2008 RV)Parlamenti i Bashkimit Evropian miratoi dje një rezolutë, përmes së cilës mbështet praktikimin e parandalimit të shtatzanisë dhe abortin, si mjete për mbrojtjen e nënës dhe të fëmijës ndër vendet në rrugë zhvillimi. 394 vota ishin në favor, 182 kundër. Teksti kujton një nga objektivat e Mijëvjeçarit për vitin 2000. Dokumenti, që bën fjalë për luftën kundër sëmundjeve, varfërisë e prapambetjes në botë, u paraqit në kuadrin e Konferencës botërore të OKB-së, që do të mblidhet më 25 shtatorin e ardhshëm. Komisoni i Episkopateve të Bashkimit Evropian, i hidhëruar për këtë lajm, shprehu shqetësimin e tij të thellë, sepse krahas anëve pozitive të rezolutës, në emër të lirisë individuale, dhunohet një nga të drejtat themelore të njeriut: e drejta për të jetuar!
E sot, në festën liturgjike të Nënë Terezës, nuk mund të mos kujtojmë jehonën që u bëri e Lumja fjalëve të Krishtit "Lërëni fëmijët të vijnë tek unë!", kur u tha nënave që donin të abortonin: " M'i falni mua fëmijët tuaj!".
Shtëpitë e Nënë Terezës (e jo vetëm) në të gjithë botën i kanë edhe sot e kësaj dite portat e hapura për të shpëtuar nënat nga mbytja e fëmijëve të tyre, sepse, gjithnjë sipas Nënë Terezës, nga një nënë që mbyt fëmijën e vet, mund të presësh gjithçka.







All the contents on this site are copyrighted ©.