2008-09-05 17:41:55

Festa e së Lumes Nënë Terezë: "Njeriu është i paarsyeshëm, i palogjikshëm, egocentrik: s'ka rëndësi, duaje!"


(05.09.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, duke kujtuar Nënë Terezën, nga India e nga krejt bota ngrihen zëra për t’i dhënë fund dhunës kundër të krishterëve, për paqen, tolerancën e respektin ndërmjet feve. Një pyetje gjen vend në fund të zemrës së secilit: ç’do të kishte bërë ajo, cilën lutje do të kishte pëshpëritur, me ç’vepër do ta kishte shoqëruar këtë thirrje drejtuar Zotit për Indinë, ku jetoi e punoi? Ndoshta do të kishte përdorur fjalët, që i thoshte shpesh e që mbeten perla të vërteta të urtisë e përshpirtërisë së saj:
“Fryt i heshtjes është lutja. Fryt i lutjes është feja. Fryt i fesë është dashuria. Fryt i dashurisë është paqja”.
Paqja është fryt i dashurisë. E në asnjë vend tjetër nuk është vërtetuar aq mirë kjo e vërtetë, se sa në ato geto dëshpërimi e mjerimi njerëzor siç janë të ashtuquajturat “slums” (slams) të Kalkutës, e më pas të gjitha vendet karakatinë të botës, të shndërruara nga përkushtimi i Nënë Terezës dhe i motrave të saj në qytete gëzimi. Por rregulli i dashurisë është universal, nuk ka fushë apo ambient ku të mos zbatohet. Pra, edhe ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme, siç janë të krishterët dhe hinduistët. “Njeriu është i paarësyeshëm, i pallogjikshëm, egocentrik: s’ka gjë, duaje” – do t’u thoshte kjo rregull si njërit, ashtu edhe tjetrit, me fjalët e Nënë Terezës. “Ç’ke ndërtuar mund të shkatërrohet: s’ka rëndësi, ndërto”, do të ngulte këmbë e Lumja, duke iu drejtuar ndoshta katolikëve, që sot jetojnë e punojnë në Indi, mes vështirësish të panumërta për t’i qëndruar besnikë Ungjillit. “Njerëzit që i ke ndihmuar, ndoshta nuk do ta dinë për nder: s’ka rëndësi, ndihmoji”. Nuk ka asnjë arësye thjesht njerëzore, që mund t’i bëjë ballë rregullit çarmatosës të dashurisë. “E ku fillon dashuria?”, mund të pyesë një i krishterë në Indi, apo diku tjetër. Nënë Tereza do t’i përgjigjej:
“Ku fillon dashuria? Në familje. Si fillon? Duke u lutur sëbashku. Familja që lutet sëbashku, qëndron e bashkuar. E nëse ju do të qëndroni bashkë, do ta doni njëri-tjetrin, ashtu si ju do Jezusi”.
Utopi? Jo, sepse Nënë Tereza e ka dëshmuar këtë në kohën tonë e gjithkush mund ta imitojë. Janë utopistë ata që besojnë se ndërmjet të krishterëve dhe hinduistëve të Indisë mund të ekzistojë një paqe, përtej horizonteve pragmatike të politikanëve dhe diplomatëve? Jo, do të përgjigjej me besim të patundur “lapsi” i vogël i Zotit. “E mira që bën ndoshta do të harrohet nesër: s’ka gjë, bëj mirë”. Me një fjalë: shuaje jetën për të mirën, sepse ajo është e vetmja bazë e qëndrueshme për çdo marrëdhënie njerëzore. E me realizmin e një gruaje, që ka parë mijëra ringjallje nga mijëra ferre dëshpërimi e brakistjeje, do të theksonte: “Jepi botës ç’ke më të mirë prej vetvetes e do të të kthehen me shqelma: s’ka rëndësi, jep ç’ke më të mirë”.
Nënë Tereza ka qenë disa herë në Shqipëri e në Kosovë. Gjatë vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri, Ati i Shenjtë e përmendi si model të shqiptarit e të asaj ç’ka ai më të mirë. E Misionarja e madhe pati fjalë të urta edhe për bashkëkombasit e vet:RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.