2008-09-04 18:58:39

Thirrje e fuqishme e motër Nirmalës për t'i dhënë fund dhunës kundër të krishterëve në Indi


(04.09.2008 RV)RealAudioMP3 Ndërsa lajmet e fundit flasin për të krishterë indianë, që detyrohen të kthehen në hinduizëm e të sulmojnë kishat katolike, ipeshkvijtë i kërkojnë shtetit të mbajë fjalën e dhënë e t’i mbrojë. Sipas tyre, sulmet kundër bashkësisë së krishterë janë fryt i një strategjie, që ka për qëllim të vendosë “mbretërinë e terrorit” në disa zona të vendit. Bilanci i deritanishëm është i rëndë: 26 viktima, 50 kisha të sulmuara, qindra shtëpi të krishterësh të shkatërruara e të djegura, numri i refugjatëve dhe i të zhdukurve në rritje.
Në këtë situatë, në prag të festës liturgjike të Nënë Terezës, e cila e shkriu jetën për të varfërit e Indisë, pikërisht pasardhësja e saj në krye të Misionareve të Bamirësisë, motër Nirmala, ngre zërin kundër dhunës në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Të dashur vëllezër dhe motra të Orisës dhe të gjithë Indisë! Të mos harrojmë identitetin tonë të vërtetë si bij të dashur nga Hyji, Ati ynë. Jemi vëllezër e motra për njëri-tjetrin, pavarësisht nga feja, raca, kultura apo gjuha. Të pasur e të varfër, asgjë s’duhet të na ndajë. Por sidomos, të mos e përdorim fenë për të krijuar përçarje. Thelbi i të gjitha feve është dashuria, dashuria e Zotit dhe dashuria mes nesh. Dhuna e bazuar mbi fenë është shpërdorim i saj. E Lumja Terezë e Kalkutës, Nëna jonë, thotë: “Feja është vepër dashurie; ajo nuk ka për qëllim të shkatërrojë paqen dhe bashkimin”. Veprat që lindin nga dashuria janë vepra paqeje. Ta përdorim fenë për t’u bërë një zemër e vetme, mbushur me dashuri, zemra e Zotit.
Të dashur vëllezër e motra! Në emër të Zotit, në emër të njerëzimit, të krijuar për gjëra të mëdha, për t’u dashur e për të qenë i dashur në amshim, e pastaj në emër të vendit tonë, të trashëgimisë së tij fisnike, në emër të të varfërve, të fëmijëve e të gjithë vëllezërve e motrave tona që vuajnë, viktima të kësaj dhune e të këtij shkatërrimi pa kuptim, ju bëj këtë thirrje: të lutemi, t’ia hapim mendjen e zemrën dritës e dashurisë së Zotit; të hedhim poshtë armët e urrejtjes e të dhunës e të veshim armaturën e dashurisë; ta falim njëri-tjetrin e t’i kërkojmë falje njëri-tjetrit për të keqen e bërë, t’i drejtohemi të afërmit me dashuri. Të lutemi për pushimin e pasosur të shpirtrave të liderit hinduist Suarni Laksimanand Sarasvatit dhe të katër miqve të tij e për të gjithë vëllezërit e motrat tona që humbën jetën gjatë dhunës. Të lutemi për të gjithë e t’i kërkojmë së Lumes Terezë të Kalkutës, Nënës sonë, të lutet për ne që të bëhemi bartës të paqes, të dashurisë e të gëzimit të Zotit për njëri-tjetrin, si edhe ndërtues të qytetërimit të dashurisë.
Zoti ju bekoftë!
 







All the contents on this site are copyrighted ©.