2008-09-04 18:58:58

Sot Kisha përkujtoi Shën Bonifacin I Papë.


(04.09.2008 RV)RealAudioMP3 Bonifaci lindi në familjen e një prifti romak me emrin Gjokondo, në kohën kur nuk kishte akoma një ligj që përcaktonte çelibatin kishtar. Shumë priftërinj lejoheshin të krijonin familje. Lejohej edhe shugurimi i burrave të martuar.
Bonifaci, i ditur e i urtë, ishte në moshë të pjekur, kur e zgjodhën papë. E jo në mënyrë paqësore. Për shkak të grindjeve të brendshme gjatë papnisë së mëparshme të Papës Zosimo, në Romë kishte përçarje edhe ndërmjet klerit e popullit. E kështu, ndërsa shumica e klerit zgjodhi Bonifacin, pjesa tjetër, në të njëjtën ditë, zgjodhi kryediakonin Eulali, i cili u njoh menjëherë nga perandori lindor, Onori, që banonte në Ravenë.
Kisha u bë kështu me papë e antipapë. Atëherë shumica ngriti krye e, për të rivendosur paqen, perandori i ndaloi të dy të kremtojnë ritet e Pashkëve të vitit 419. Po Eulali me ndjekësit e tij pushtoi selinë papnore të Lateranit, e atëherë u shkishërua edhe nga sovrani. Kështu, më në fund, Bonifaci mundi ta nisë qetësisht veprimtarinë. Ishte i vetmi Papë i ligjshëm, por përballë vështirësish të reja. Para tij Kisha ishte qeverisur keq nga papa Zosimo, me origjinë greke. Ky papë, vullnetmirë, por pa përvojë, ndërhynte në grindjet doktrinore në Afrikë e në Gali, me qëllim që të vendoste paqen, por nismat e tij i acaronin më tej konfliktet.
Bonifaci, që i njihte mirë problemet, ia arriti t’i qetësojë tensionet ndërmjet ipeshkvijve e besimtarëve. E pastaj ia doli mbanesh t’i përballojë edhe manovrat e perandorit Teodosi II: ky, duke qenë sundimtar i trojeve të Ballkanit, donte t’i kontrollonte edhe në planin fetar, duke i vënë nën vartësinë e Patrikut të Kostandinopojës (të cilin e emëronte vetë). Papa Bonifaci iu kundërvu dhe e mundi, duke shmangur çdo rrezik konflikti. U njoh nga të gjithë si njeri tepër i kulturuar, ishte mik i Shën Agostinit, ftoi në Romë Alipin, ipeshkvin e Tagastes. Kështu, pas shumë trazirash, Bonifaci ia riktheu dinjitetin, paqen e qetësinë selisë papnore romake.
Kur vdiq, e varrosën në rrugën Salaria, pranë varrit të martires Feliçita. Kjo do t’u kujtonte gjithnjë besimtarëve papninë e tij dramatike. Duket se pikërisht në këtë vend të rrugës Salaria, ai pati gjetur strehë në ditët e trazuara pasi e zgjodhën papë, kur funksionarët perandorakë e kërkonin për ta mbytur. Këtu kishte ndërtuar një oratorio. E kishte zbukuruar edhe varrin e Feliçitës, që do të ishte edhe banesa e tij e fundme.







All the contents on this site are copyrighted ©.