2008-09-04 18:57:59

Me Nënë Terezën : “Kush është për mua Jezusi”.


(04.09.2008 RV)RealAudioMP3 Nesër mbushen 11 vjet nga vdekja e Nënë Terezës: është dita e festës së saj liturgjike, ditë feste për të gjithë shqiptarët. Nuk është, pra, 26 gushti, kur lindi në Shkup; nuk është as 19 tetori, kur u shpall e lume. Dita e festës për Nënë Terezën është 5 shtatori, kur e Lumja u kthye në shtëpinë e Atit, kur shkoi pranë Krishtit, pa të cilin nuk mund të kuptohet figura, as veprimtaria e saj.
Prandaj në emisionin e 30-të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, duke shfletuar librin ‘Jeta ime’, zgjodhëm përgjigjen që e Lumja i dha pyetjes“Kush është për mua Jezusi?”.

“Jezusi është Fjala e mishëruar.
Është Buka e Jetës.
Theror mbërthyer mbi Kryq për mëkatet tona.
Flija, që mblatohet në Meshën Shenjte për fajet e botës e për fajet e mia.
Jezusi është Fjala, që duhet thënë.
E vërteta, që duhet treguar.
Rruga ku duhet të ecim.
Dritë, që duhet ta ndezim.
Jetë, që duhet jetuar.
Dashuri, që duhet dashuruar.
Jezusi është gëzimi, që s’mund të mbahet për vete.
Është Flija, që duhet flijuar.
Paqja, që duhet mbjellur.
Buka e Jetës, që duhet ngrënë.
Jezusi është i urituri, që duhet ushqyer.
I eturi, që pret një pikë ujë buzëtharë.
I zhveshuri, që duhet veshur.
Njeriu i pastrehë, që të troket te porta.
Jezusi është i sëmuri, që duhet mjekuar.
Vetmitari, që duhet dashur.
I paprituri, që duhet pritur.
I gërbuluri, që pret t’ia lash plagët.
Lypësi, që lyp një buzëqeshje.
Pijaneci, që duhet dëgjuar.
I çmenduri, që duhet mbrojtur.
I posalinduri, që duhet mirëpritur.
I verbëri, që pret t’i prijmë.
Memeci, që flet me zërin tonë.
I gjymti, që kërkon ta ndihmojmë.
Gruaja e rrugëve, që pret ta shpëtojmë.
I burgosuri, që duhet vizituar.
Plaku, që ka nevojë për shërbim.

 Jezusi është Zoti im.
Jezusi është Fati im.
Jezusi është Jeta ime.
Jezusi është e vetmja dashuri.
Jezusi është gjithçka!
Jezusi është i pashoq!”







All the contents on this site are copyrighted ©.