2008-09-03 17:48:51

“Nëse nuk beson, nuk ke as shpresë, as forcë”: dëshmia e fuqishme e Ingrid Betankurit dhënë Radio Vatikanit, pas takimit me Benediktin XVI


(03.09.2008 RV)RealAudioMP3 Janë shfaqur tashmë në të gjitha televizionet e botës e janë publikuar nga gazetat e interneti, fotografitë e takimit të Ingrid Betankurit me Papën Benedikti XVI në Kastel Gandolfo, të dielën e kaluar. Edhe më tepër kanë bërë përshtypje fjalët e ish-senatores franko-kolumbiane, pas 6 vjetësh në duart e guerrilasve kolumbianë. Kujtojmë se ajo u lirua nga ky burgim më 2 korrik. Të dëgjojmë se si e përjetoi ajo takimin me Atin e Shenjtë, në intervistën që Ingrid Betankur dha për Radio Vatikanin:
Takimi me Papën ishte një ëndërr që u bë realitet. Mezi prita ta përqafoj e t’i them se sa rëndësi ka pasur për mua fakti, që ai ka folur për të sekuestruarit në Kolumbi e ka shqiptuar emrin tim, ndërsa isha e burgosur në mes të xhunglës, mbi një shtrat rrjete lidhur ndërmjet dy pemëve, nën një rrjetë tjetër kundër mushkonjave. Dëgjova zërin e tij në një moment vetmie e dëshpërimi të pafund dhe vetëdija se ai e dinte se unë ekzistoja ishte për mua diçka që më bëri ta ndjej veten akoma njeri, t’i thoja vetes: “Ja, nuk jam një pako, nuk jam mall: ekzistoj”. Ishte diçka shumë e bukur. Por dua të flas për shokët e burgut. Disa prej tyre po dëgjojnë këtë program në radio. Në xhungël dëgjoja Radion Katolike Botërore në valë të shkurtra. Mund ta dëgjoja gjithë ditën e kishte disa programe, që më pëlqente t’i ndiqja. Do të kisha shumë dëshirë që shokët e mi të burgut ta dinë sa shumë i dua të gjithë, sa i mendoj. Të jenë të sigurtë se do të vazhdojmë të punojmë për ta, t’i themi botës se e gjithë kjo duhet të përfundojë, t’i kërkojmë FARK-ut që t’i lirojë. Do të doja t’i thërras me emër… i kam në zemër e dua që bëhen të fortë, të vazhdojnë të kenë guxim e të kërkojnë në Fjalën e Zotit përgjigjen për shumë pyetje e ta dinë që Zoti bën gjithnjë atë që duhet, ka gjithnjë arësye, e se për disa arësye që ata e unë nuk i dimë, ajo që po përjetojnë tani do të japë frytet e veta. Të jenë të sigurtë se mëshira e Zotit do të mbërrijë.
Sa e rëndësishme ka qenë feja në historinë tuaj kaq të vuajtur?
Pa fe nuk ke shpresë, e pa shpresë nuk ke forcë. Nuk ke forcë për të vazhduar luftën. Feja është gjithçka: është ajo që i jep kuptim jetës. Për mua feja në Krishtin është të dish se Ai na ka treguar ekzistencën e një rruge e se thjesht duhet ta ndjekim. Të besosh se me bujarinë e Tij, me hirin e Tij na ka mbrojtur e se falë Tij mund të arrijmë tek Hyji – kjo është feja ku jam kapur gjithmonë, për të vazhduar të jetoj.
Një eksperiencë shpirtërore shumë e fortë pra, kjo e juaja. Një eksperiencë që ia besuat Papës…
Me Papën folëm për Virgjërën e Bekuar. Për shumë prej atyre që ndjekin Jezusin nuk ka vend për Virgjërën. Unë e zbulova duke lexuar Biblën dhe kuptova se kush ka qenë. E kur mendoja për Virgjërën, mendoja për Virgjërën e Guadalupes. Gjithnjë ndjeja se e kisha pranë. E di se më qëndron pranë edhe tani e na ndihmon e do të ndihmojë të gjithë ata, që janë akoma të burgosur në Kolumbi. Ajo do t’i lirojë, do ta shihni. Do ta bëjë këtë mrekulli.
Ta shohësh jetën të ndërpritet, të humbësh të dashurit, të bëhesh objekt dhune e pastaj të rifillosh gjithçka. Cili është mësimi që keni nxjerrë nga e gjitha kjo?
Kur ke humbur gjithçka, ia vlen ta jetosh jetën për të gjetur thesaret që Zoti u ka dhënë të gjithë njerëzve, për të komunikuar me Të, për të gjetur në Të forcën për të shkuar përpara. Shpresa që vjen nga feja është ajo që na jep forcë e na bën të komunikojmë me Zotin.







All the contents on this site are copyrighted ©.