2008-09-03 17:48:51

Me Nënë Terezën : “Heshtje e bujari”.


(03.09.2008 RV) RealAudioMP3 Në emisionin e 29-të të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, duke shfletuar librin ‘Jeta ime’, e Lumja e parë shqiptare kërkon nga ne të gjithë “Heshtje e bujari”.

“Njeriu ka nevojë për heshtje.
Vetëm ose në shoqëri, por duke e shikuar Zotin në heshtje.
Kështu mund të fitojmë atë fuqi shpirtërore, të cilën pastaj e zbrazim në veprimtari, e derdhim në shqetësimet tona më të vogla, e përdorim në telashet e mëdha, të cilat mund të na bien papritmas mbi kokë.
Heshtja i parapriu Krijimit!
Kupa madhështore e qiellit u krijua në mes të një heshtjeje të thellë madhështore, në mes të së cilës ushtuan fjalët të Hyjit: “Le të bëhet kupa e qiellit!”.
Krishti lindi, kur mbi botë binte muzgu i heshtur i natës.
E nuk ka e as do të ketë një pushtet të ngjashëm me atë të Krishtit. “Ai nuk luftoi, e as bërtiti; zëri i tij nuk u dëgjua rrugëve”.
Një herë dikush më pyeti cila ishte gjëja më e rëndësishme për formimin e motrave.
Iu përgjigja:
“Heshtja është themelore në një shtëpi rregulltare!”.
Heshtja e përvujtërisë, e dashurisë, e bamirësisë; heshtja e syve, heshtja e veshëve, heshtja e gjuhës.
Nuk mund të ketë jetë lutjeje, pa heshtje!
Heshtje domethënë mirësi e dashuri.
Dashuri njëri për tjetrin, pavarësisht nga ndryshimet.
Dashuri, forcë bashkimi në gjirin e bashkësisë.
Dashuri prej nga buron përvujtëria e Zotit, që më trondit.
Ai që ishte Hyj e u bë skllav.
E sodis në heshje, e nga heshtja buron paqja e gëzimi i zemrës.
Këtë gëzim e këtë paqe duhet t’ia çojmë botës, që na rrethon.
Për ta bërë këtë, nuk kemi nevojë për topa, as për bomba.
Kemi nevojë vetëm për dashuri të thellë e për bashkim edhe më të thellë me Krishtin.
Mirësia e dashuria duhet të rriten në shpirtin tonë, duke u nisur nga bashkimi ynë me Krishtin.
Dashuria për familjen, për të afërmin e për gjithë të varfërit, do të jetë fryt i natyrshëm i këtij bashkimi me Zotin.
Duhet, pra, ta gjejmë Zotin.
Po Zoti nuk gjindet mes zhurmash.
Zoti është mik i heshtjes.
Shikoni diellin, hënën, yjet, si lëvizin në heshtje.
A nuk është misioni ynë t’ua çojmë Zotin të varfërve, atje ku jetojnë? Jo një Zot të vdekur, por një Zot që jeton, që i do të gjithë.
Sa më shumë të marrim nga lutja e heshtur, aq më shumë do të shpërndajmë në jetën tonë aktive. Kemi nevojë për heshtje, që të arrijmë deri në fund të shpirtrave.
Nuk ka rëndësi ajo që themi ne, por ajo që thotë Zoti në ne e përmes nesh!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.