2008-09-03 17:43:44

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: “Si për Shën Palin në Damask, kthimi është fryt i takimit personal me Krishtin".


(03.09.2008 RV)RealAudioMP3 Njeriu kthehet në rrugë të Krishtit e jo në rrugën e teorive filozofike, as të kodeve morale, pikërisht si Shën Pali, që u kthye, pasi u takua personalisht me Jezusin e, prej këndej, vendosi t’i shërbejë e ta kumtojë me të gjitha energjitë e veta. Këtë theksoi Benedikti XVI në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan, para rreth 8 mijë besimtarëve e shtegtarëve nga vende të ndryshme të botës.
Ekziston një portë e Damaskut për çdo të krishterë që është vërtetë i tillë, domethënë, që e ka jetuar përvojën e drejtpërdrejtë e vetjake të dashurisë së Zotit deri në atë pikë, sa ta drejtojë nga kjo dashuri gjithë jetën e vet. Kështu i ndodhi Palit të Tarsit, armik i betuar i ndjekësve të parë të Jezusit e pastaj, ai vetë ndjekës e kumtues i jashtëzakonshëm i fjalëve të Zotit. Benedikti XVI u shpreh qartë: kthimi i Shën Palit nuk qe aq çështje dritash verbuese e rëniesh nga kali, sa një zbulesë verbuese shpirtërore, takim i thellë me Krishtin deri në atë pikë, sa t’ia ndryshojë rrënjësisht e pa ndërruar mendje, gjithë rrjedhën e jetës së tij. E pikërisht në kthimin e Shën Palit, ashtu siç pati paralajmëruar në katekizmin e kaluar, Papa u ndalua gjatë, duke shpjeguar si duhet kuptuar, përtej ‘hollësive piktoreske’, siç i quajti ai vetë – ‘të dritës që vjen nga qielli, të rrëzimit përdhe, e të zërit që i flet”, të cilat na i tregon Shën Luka në Veprat e Apostujve:
“Shën Pali, pra, u shndërrua jo nga një mendim, por nga një ngjarje, nga prania e papërballueshme e të Ngjallurit, për të cilën nuk do të mund të dyshonte kurrë më, sepse ishte tepër e fortë qartësia e kësaj ngjarjeje. Ajo e shndërroi thellësisht jetën e Palit; në këtë kuptim mund e duhet folur për kthimin”.
Papa i dalloi burimet e para, nga ato të një tipi tjetër, shumë më afër së vërtetës, dmth vetë Letrat e Shën Palit. Në to Apostulli e cek disa herë përvojën e tij të jashtëzakonshme. Por – vijoi të shpjegonte Benedikti XVI - rrëfimi i Palit është i thjeshtë, pa hollësira. Ajo që ka më tepër rëndësi për Shën Palin – nënvizoi Papa – është të tregojë se me ngjarjen e madhe të Damaskut, edhe ai u bë “dëshmitar i Ngjalljes së Jezusit” e se, njëlloj si Apostujt e tjerë, edhe ai mori nga Jezusi ‘zbulesën dhe misionin’ për t’ua kumtuar Ungjillin paganëve të botës greko-romake.
Një e dhënë tjetër e rëndësishme, pastaj, është se vetë Shën Pali nuk e përdor kurrë termin ‘kthim’. Papa e shpjegoi kështu psenë:
Ka shumë hamendje, por për mua shkaku është i qartë. Kjo kthesë e jetës së tij, ky shndërrim i gjithë qenies së tij, nuk ishte fryt i një procesi psikologjik, i një pjekurie ose i një evolucioni intelektual e moral, por erdhi nga jashtë: nuk qe fryt i mendimit të tij, por i takimit me Krishtin Jezus. Në këtë kuptim, nuk ishte thjeshtë kthim, pjekuri e ‘unit’ të tij, por vdekje e ringjallje për atë vetë: vdiq një ekzistencë e tij e një tjetër, e re, lindi me Krishtin e Ngjallur”.
Përvojën e jashtëzakonshme, të cilën e jetoi, Shën Pali nuk e kufizon në ngjarjen që ndodhi 30 vjet pas Krishtit. Kjo ngjarje – vërejti Benedikti XVI - u thotë diçka shumë më të rëndësishme edhe të krishterëve të kohëve tona:
“Do të thotë se edhe për ne, krishterimi nuk është filozofi e re, e as moral i ri. Jemi të krishterë, vetëm në se takojmë Krishtin (...) Edhe ne mund ta takojmë Krishtin, në leximin e Shkrimit Shenjt, në lutje, në jetën liturgjike të Kishës. Mund ta prekim zemrën e Krishtit e të ndjejmë se edhe Ai e prek zemrën tonë. Vetëm në këtë marrëdhënie personale me Krishtin, vetëm në këtë takim me të Ngjallurin, bëhemi vërtetë të krishterë (…). Prandaj t’i lutemi Zotit të na ndriçojë, t’i dhurojë botës sonë takimin me praninë e Tij: e kështu, të na japë një fe të gjallë, një zemër të hapur, një dashuri të madhe për të gjithë, të aftë për t’ia ndryshuar faqen botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.