2008-09-02 17:46:24

Me Nënë Terezën : “Fuqia e lutjes”.


(02.09.2008 RV)RealAudioMP3 Në emisionin e 28-të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, duke shfletuar librin ‘Jeta ime’, e Lumja e parë shqiptare na flet për “Fuqinë e lutjes”.

 
“Kemi nevojë të lutemi, po aq sa të marrim frymë.
Pa lutje, nuk mund të bëjmë asgjë!
Për mua është tejet e rëndësishme të jem e krishterë.
Është gjithçka, sepse çdo njeri duhet të veprojë sipas hirit që Hyji i jep shpirtit të tij.
Hyji i jep çdo shpirti që ka krijuar mundësinë të rrijë ballë për ballë me Të, ta pranojë ose të mos e pranojë.
Zoti ka mënyrat e metodat e veta për të punuar në zemrat e njerëzve.
Ne nuk mund ta dimë kurrë si e kur i afrohet njeriu Zotit.
Por ndërkaq, përmes mënyrës si sillet njeriu, mund ta kuptojmë menjëherë a i shërben Hyjit apo jo!
Mënyra si e jeton secili nga ne jetën e vet, është shprehja më e qartë dhe prova më e sigurtë, që tregon a i përket Zotit apo jo, pavarësisht nga fakti se mund të jetë hinduist, mysliman apo i krishterë.
Koha ime është plotësisht në shërbim të të tjerëve.
Ashtu edhe koha e motrave të mia.
Punojnë pa pushuar për të mirën e të sëmurëve e të fëmijëve.
Nuk u mbetet kohë as për të shkruar një letër.
Thoni atyre që na shkruajnë:
‘Mos na e merrni për të keq, në se nuk ju përgjigjemi. Kemi punë, tepër.
Shumë vende kanë një zakon fort të dashur për të krishterët: këmbanën e Engjëllit.
Në një nga qytetet, ku shërbejnë, motrat, dëgjuan njerëzit duke u ankuar:
“Si është e mundur që nuk e dëgjojmë prej kohe këmbanën e Engjëllit të Tënzot? Na pëlqente t’i luteshim Zojës së Bekuar, sapo niste të tingëllonte, për të kumtuar lajmin e mirë të mishërimit të Shëlbuesit…”.
Ia çuan këto fjalë në vesh famullitarit, e ai u përligj duke thënë se nuk kishte kohë t’u binte këmbanave tri herë në ditë e se famullia nuk mund të paguante një këmbanar.
Motrat u treguan të gatshme ta kryejnë edhe detyrën e këmbanarit. E njerëzit e ndjenë vetën të lumtur, sepse nisën ta thonë rishtas lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Të varfërit kanë uri për Hyjin.
Kanë dëshirë ta dëgjojnë atë që u flet për Të.
Shqetësimi më i madh i tyre, nuk është mungesa e sendeve materiale.
Atyre u pëlqen të dëgjojnë se kanë në qiell një Mik të madh, një Atë, që i do, që mendon për ta!".







All the contents on this site are copyrighted ©.