2008-09-02 17:46:38

365 ditë: “Zhan-Remi Besjë dhe Greguar Se, misonarë për të ungjillëzuar Afrikën”.


(02.09.2008 RV)“Asgjë e re” – njofton roja franceze, që vëzhgon bregdetin gabonez nga fortesa e Omalit, në një ditë të zakonshme të muajit shtator 1844. Anijet e tregtarëve të skllevërve, që sjellin fshehurazi zezakë në Amerikë, më në fund e kuptuan se nuk duhet të afrohen në këto anë. Roja vëzhgon Zebrën, një anije franceze, që zbarkon udhëtarët pak më tutje. Por, papritmas, ushtari kërcen përpjetë, rrok dylbinë e shikon dy figura, që i afrohen fortesës:
“Hej bela! Bela! Komandat, eja vrap të shikosh!”.
“I njeh këta burra?”.
“Si s’i njoh. Janë atë Zhan-Remi Besië dhe djaloshi Greguar Se! Ose më mirë të themi, fantazmat e tyre!”.
Komandanti vrapon t’i takojë dy burrat. Këta e përshëndesin me gëzim, ndonës mezi mbahen në këmbë nga dobësia. Janë bërë kockë e lëkurë!
“Ah, komandant, jetuam muaj të lodhshëm, duke përshkuar mijëra kilometra savane. A keni ndonjë lajm nga Atë Barro e nga miqtë e tjerë misionarë?”.
“Eh…”, psherëtin komandati. “Nuk e keni marrë letrën?”.
“E si mund ta merrnim letrën, në mes të savanës?” – u përgjigjet Atë Besië, duke qeshur.
“Për fat të keq s’ka asgjë për të qeshur. Keni mbetur vetëm. Barro ju shkroi disa muaj më parë, para se të largohej nga misioni. Pas pas arritjes suaj në Afrikë, katër nga dhjetë meshtarët që ishin me ju, vdiqën. Prandaj Barro e humbi krejt guximin dhe vendosi të rikthehej në SHBA. Në letrën që ju dërgoi, ju këshillonte të riktheheshit në Francë, por me që nuk u kthyet, kujtuam se kishit vdekur. Thamë, madje edhe një Meshë për shpirtrat tuaj”.
Tani u çuditën misionarët.
“Mendoj se mund të largoheni me anijen e ardhshme”, vijoi komandanti.
“As që na shkon nëpër mend të largohemi nga Afrika!”, u përgjigj, pa menduar fare, Atë Besië. “Një kontinent i tërë pret nga ne ta ungjillëzojmë! Miliona njerëz, që nuk e njohin Krishtin! Nuk mund ta lemë përgjysëm punën, që sapo e filluam. Do të kërkojmë përforcime nga Franca”.
“Por… duhet ta dini se posta nuk arrin pothuajse kurrë në vendin e duhur. Ju mund të shkruani gjashtë letra e të mos merrni fare përgjigje”.
“Domethënë se duhet të shkruajmë edhe një të shtatë! E pikërish nga kjo do të marrim përgjigje!”.
E në të vërtetë, pikërisht pas letrës së shtatë, përgjigja arriti. Meshtarë të tjerë u nisen drejt Afrikës. Falë vendosmërisë së dy misionarëve të lënë vetëm, misioni afrikan rinisi seriozisht!







All the contents on this site are copyrighted ©.