2008-09-01 17:08:22

Mendimi i Benediktit XVI për natyrën e së keqes, në Lutjen e djeshme të mesditës.


Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pak para thirjes për emigrantët, duke reflektuar për forcat përçarëse, që duket se sundojnë në botën e sotme, Benedikti XVI i ftoi të krishterët t’u përgjigjen ligësive, me forcën e dashurisë, që buron nga Kryqi i Krishtit.
Papa foli për natyrën e së keqes, që shfaqet në botë, në forma nga më të ndryshmet dhe mbi shëlbimin, që solli dashuria e ‘çarmatosur’ e Jezusit. Duke e marrë shtytjen nga Ungjilli i djeshëm, në të cilin Pjetri e uron Jezusin të shpëtojë nga vdekja, që e pret në Jeruzalem, Papa foli për misterin e shëlbimit hyjnor, që arrihet përmes vdekjes çnderuese, mbi kryq, të Birit të Hyjit. Natyrisht këtu nuk kemi të bëjmë me një plan mizor të Atit qiellor, por me një udhë të zgjedhur për shkak të sëmundjes së rëndë, nga e cila duhej shëruar njerëzimi, paguar me çmimin e gjakut e lartësuar nga Ringjallja - vijoi Benedikti XVI - duke theksuar edhe se ‘lufta nuk ka përfunduar akoma’:
“E keqja ekziston e reziston në çdo brezni, edhe në ditët tona. Tmerret e luftës, dhuna e ushtruar mbi të pafajshmit, mjerimi, padrejtësitë që bëhen kundër të ligshtëve, s’janë tjetër, veçse shfaqje, që tregojnë se e keqja vijon t’i kundëvihet mbretërisë së Hyjit. E si mund t’u përgjigjemi mbrapshtive të panumërta, përveçse me forcën çarmatosëse të dashurisë, që fiton mbi urrejtjen? Të jetës, që nuk trembet nga vdekja? Është e njëjta forcë misterioze, që përdori Jezusi, duke rrezikuar të keqkuptohet e të braktiset nga shumë prej të tijve”.
Kjo rrugë e zgjedhur nga Jezusi – shtoi Papa – duhet ndjekur tani edhe nga të gjithë nxënësit e tij:
“Ashtu si për Krishtin, edhe për të krishterët, mbartja e kryqit nuk është fakultative, por mision, që duhet pranuar detyrimisht për dashuri. Në botën tonë aktuale, ku duket se sundojnë forca, që ndajnë e shkatërrojnë, Krishti nuk pushon s’u propozuari të gjithëve ftesën e tij të qartë: kush dëshiron të jetë nxënësi im, të heqë dorë nga egoizmi e ta mbartë kryqin, së bashku me mua”.
Gjatë përshëndetjeve, në pesë gjuhë, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI iu drejtua meshtarëve salezianë, Motrave Dominikane Misionare të Shën Sistit e, posaçërisht, ipeshkvijve e besimtarëve kubanë që, më 8 shtatorin e ardhshëm, do të përkujtojnë 400-vjetorin e gjetjes së figures të Zojës së Kobres. Figura u gjet nga tre indios kubanë, më 1612. Duke i uruar besimtarët kubanë që, me ndërmjetësinë e Virgjërës Mari, të bëhen gjithnjë më shumë ‘misionarë të Ungjillit në çdo rrethanë të jetës’, Benedikti XVI përfundoi me bekimin:
“Que Dios bendiga a Cuba y a todos los cubanos!” .







All the contents on this site are copyrighted ©.