Një javë me Benediktin XVI, i cili sot e kremtoi Engjëllin e Tënzot nga Kastel Gandolfo…
(31.08.2008 RV)Sot Papa e kremtoi
lutjen e Engjëllit të Tënzot në Kastel Gandolfo, në praninë e qindra besimtarëve
e shtegtarëve nga vende të ndryshme të botës. Para lutjes, kryesoi, në formë private,
Meshën Shenjte me një grup nga ish-studentët e tij të “Ratzinger Schülerkreis”,
që arritën dje në Kastel Gandolfo, për t’u takuar me ish-Profesorin e tyre, Benediktin
XVI.
Por, kujtojmë se sot është dita e fundit e gushtit: data 31. Nesër fillon
shtatori e me të, edhe veprimtaritë e dendura të Shenjtërisë së Tij, duke nisur që
nesër me audiencën, në të cilën Papa do të presë Ingrid Betankur. Madje mund të themi
se tashmë kanë filluar me audiencën e përgjithme të së mërkurës së kaluar, që Papa
e kremtoi përsëri në Vatikan. Në audiencën e përgjithshme Ati i Shenjtë
u foli besimtarëve për trishtimin e thellë me të cilin i priti lajmet nga Orisa e
Indisë, ku kundër bashkësive të krishtera vijon të ushtrohet dhuna. Duke kujtuar vrasjen
e disa njerëzve, plagosjen e shumë të tjerëve, shkatërrimin e qendrave të kultit,
të pronave të Kishës e të shtëpive private, Ati i Shenjtë theksoi se është pranë të
krishterëve, viktima të dhunës, dhe kërkoi me forcë që jeta njerëzore të respektohet
në çdo rrethanë. Para thirrjes për Orisën, Benedikti XVI u foli besimtarëve
për etapat kryesore të jetës së Shën Palit. Një jetë e jashtëzakonshme – e quajti
Ati i Shenjtë – kushtuar plotësisht kumtimit të Ungjillit, duke vënë në shërbim të
tij të gjitha energjitë, pa marrë parasysh provat e rënda, që iu desh të kalojë.
Me shtatorin, pra, Papa do të rifillojë menjëherë veprimtaritë
e rëndësishme, duke nisur nga shtegtimi në Kaliari, më 7 shtator. Një
udhëtim prej dymbëdhjetë orësh: me katër fjalime, disa takime, ndërmjet të cilave,
edhe ai me të rinjtë, e me vizitën në Shenjtëroren e Zojës së Bonarias. Papa Racinger
e viziton Kaliarin, pikërisht kur kremtohet një Vit i posaçëm marian (16 shtator 2007-
21 shtator 2008), për të kujtuar njëqindvjetorin e shpalljes së Zojës së Bonarias,
Pajtore kryesore e Sardenjës. Vjen, pastaj, Franca, ku Benedikti XVI do
të shtegtojë nga 12 deri më 15 shtator. Do të vizitojë Parisin e do të jetë në Lurdë
me rastin e 150-vjetorit të Dukjeve të Virgjërës Mari para bareshës së vogël, Bernardetës
Subiru. Më pas, sinodi i ipeshkvijve, kushtuar Fjalës së Hyjit, që do
të mbahet në Vatikan nga data 5 deri më 26 tetor 2008, për të cilin, natyrisht,
Papa ka filluar të përgatitet prej kohe. Këto ditë emëroi edhe sekretarin e përgjithshëm
të Asamblesë së 12-të Sinodit të Ipeshkvijve. Është kryeipeshkvi i Kinshasës, Imzot
Laurent Monsengvo Pasinya, që zëvendëson në këtë detyrë, ipeshkvin e Bolzano-Bresanonses,
Vilhelm Emil Eger, i cili vdiq papritur pak kohë më parë. Ndërkaq përgatitjet për
Sinodin kanë hyrë në fazën e fundit përgatitore. Ka shumë mundësi, pastaj, që
Papa të jetë duke vijuar pjesën e dytë të librit mbi Jezusin e duke plotësuar enciklikën
e tij shoqërore, e cila pritet prej kohe.