Përkujtojmë Atë Daniel Gjeçajn OFM, në gjashtëvjetorin e vdekjes
(30.08.2008 RV)Gjashtë vjet më parë, më 30 gusht 2002, ndërroi jetë në Romë
françeskani shqiptar, Atë Daniel Gjeçaj: e përkujtojmë duke shfletuar veprat e pabotuara
në arkivin e tij, nga të cilat zgjodhëm:
I Dukagjinasi
..... Lehtë
u kjoftë mbi vorr ledina Butë u kjoshin moti e stina, Ak’lli,
bora e serotina: E der’ t’këndoje n’ mal ndo’i Zanë, E der’ t’ketë
n’detë ujë e ranë, Der’ sa t’shndrisin diell e hanë, Ata kurr
mos u harrojshin, N’kangë e valle por u këndojshin.
Fishta: Lahuta k. V, 426-433
“Shal-à” e thirrën në qestí, kur rá në qytet.
Gjelosh e quejtën të tjerët në tallje ketë banorin tipik të maleve orë-çueta, të cilave
Lekë Dukagjini u la trashigim Kanunin, u fali emnin. Si i pari apelativ, si i dyti,
në mentalitetin e qytetarit ndryni diçka të përbuzshëm. E qeshën për hapat këcimtarë
të pamasë e të paestetikë rrafshit. I ndejën larg, kur s’patën nevojën e tij, si i
shëndoshti të smuetit me dergjë ngjitëse. Pak kujt i rá në mend me iu qasë për t’ia
shërue varrët, për t’ia lehtësue vuejtjet. I rralli, që pat diçka në dorë, u mundue
t’ia përmirësojë gjendjen, tue ia hjekun shpinet barrën, që trupin plep ia lakoi porsi
ortegu ahishtat. U kënaqën qytetarët-turista, në verë, para pamjeve plot madhní të
bjeshkëve vigane, para luginave të blera, të thuruna me vrashtësí shkambijsh e koçekësh
të zdeshun. E dijtën mirë shkollarët se, rranxë tyne, i Dukagjinasi lindi e u rrit
si halët rrëshinore e brejtë fillakçë, që në plasa të rrasave të gjalla e në qeta
bár-tel, ngatërrojnë rrajët, ushqehen me gur e naltojnë trupin guximtár, gjithmonë
në bejleg e lufta me ortigje e rrufé, me erë fishklluese e stuhí të përmndershme.
S’luejtën, por, vendit, për të bâmë që dimni ta nxente malsorin të veshun e të mbathun,
të mbrojtun me një xham dritësorje a me një stufë ngrohtëse, të pajisun me një dyqan,
me një shkollë mjeshtrie apo me një magazinë ushqimi. Harruen t’ia xevendësojshin
nemose pishtarin me dritë voj-guri dhe gur-e-unorin me krande shkrepëse. I lypën
votën ndër zgjedhje, për t’u rritë vetë, dhe i premtuen shkolla, rruga, konvikte;
por kurrkush s’u kujtue t’ia presë tojen, që supat ia bâni vija malsorit posi konopi
gurin e dhenun graniti në grykën e pusit freskues. E thirrën në qytet dhe e pritën
si kumara ndrikullën, kur u gjetën ngusht, kur kalaja dridhej prej topave të anmikut,
kur shpijat ngujoheshin prej mënisë gjakderdhëse; por mbrapa s’e lejuen të strukte
kryet nën strehën e dyerve të mëdhá, prej frigës se gurt e dhenun e tullat mirë të
pjekuna do t’u fajisshin me “era malsuer”. Në pazár banorit të malit, i cili ulte
në shpinë, çka me djersë gjaku i nxuer me zort natyrës dorë-rrudhe, ju ngarritën tregtarët,
si korbat berrit të germuem, për t’ia grabitë mallin me gjysë çmimi. Njëqind herë
ia shtërnguen dorën e vrashtë, mësuem me dhanë vetëm besën e burrave, për t’ia shkoqun
lakut bagtinë, që ulte në teqe. Në pagesë kán e kularit, që atij i viente sa ‘i krah
burri, ia bân mëzat; dashin e kumbonës, bryena dredhun, rrunzak; skjapin kime-gjatë,
ftujak dhe rrunzat e ftujakët shpinë voe, kingja e edha të shtimë. Në dyqan, ku
veç babë e nanë nuk gjinden, e tallën kur ua zgidhi qesen rube për me blemun këmisha
për fëmijë, që te shpija i mbetën porsi mishi në bludë; beze për grá e faculeta kreje;
kafe e shiqer për festa; dyllë për natë të qirit; opangë gome e saftjana; fitila ari
e argjandi me pak shirita cohe, për çikë që do të qitëte; fyshekë për të shtime Këshndellash
e Pashkësh e për festa bajraku, rryp lustrafini me hyj e pulla sermi për djalin e
parë, që të hijte në çetën e burrave. Në kranoçin e harxhit i shtînë shap për shiqer,
karabojë për kafe, sapun për djathë, gjithsaherë dukagjinasi i besoi fjalës e jo synit,
burrnisë e jo dredhisë gënjeshtare. E mbajtën të egër ndër doke; por prituen të
flijoheshin për tê, për t’ia zbutë ndjenjat, pa ia bastardhue karakterin iliras; për
t’ia rregullue marrëdhaniet dhe jetën shoqnore, pa ia zhdukun kanunin dhe pa ia pakësue
nderën, burrninë e moralin. U levduen studjuesat shkollarë për squetësinë mendore
të rracës virgjin malore; por fëminë e vorfën të malit s’e përcuellën gadi kurr ndër
banka të mësimit e ndër shkolla të nalta, prej drojes se me kohë do t’u hiqte doret
arrat. Të vobegëtit, që në Dukagjin la kasollën, përsè buêna i muer trollin e tokës,
e rá në qytet, i falën me lutje në shkrim kaçorre teneqesh larg banesash të shehrit;
por kurrnjë i madh a i pasun s’tha: këto janë shpijat e të vorfënve, kjo ndihma për
ta.
* * *
Katundi mbarë dhe bajraku e njoftën me emën
të vet. Shprazën pushkë batare kur leu, përsè fisit luftár ju shtue një armë, oxhakut
një krah, Kanunit një mashkull, kuvendit të urtisë një plak i ardhshëm. Ushtuen malet
me “çka â’ pushka” e bjeshkët përgjegjën: “ka lé një djalë”. Në ligjim ja ngjitën
Kacel a Balë, Cukel a Dakë, Vocërr a Gjelosh, Can a Bashë, Kokërr a Dodë, Kukel a
Cekë, Col a Binak, Çun a Tul, Vogël a Bub, Perë a Babun, Lul a Zog, Cok a Ujkë, Cur
a Lulash, Shytan a Shpend. Ndrikullat e zemrës e gratë e fshatit ja rrethuen djepin
me petulla e mjaltë zogash, me shpatuke rakije e molla prej arkës. Tue i shpërvjelun
mbulojën ngjyre të kaltërt, i uruen me gojë plot Zotin përkrah, Orën e bardhë fatamadhe
për rojë, jetë të gjatë e gëzime. “Syni i keq mos të pa’t dhe shtrigat mos t’u afrojshin,
kapidan ndër shokë të pasha e bajrak ndër lufta, plak ndër pleqní e kuvende e prís
ndër çeta të paça!” - i këndoi e ama, tue e përkundë. S’njofti mirërritje librash
as pedagogë kathedrash. U rrit si ahi i njomë në ahishte të ré, tue kqyrë përherë
nalt, për të mërrijtun te të tjerët. Lëshoi trup pa neje vesesh as degë brengëçe prirjesh
së ulta morale, që shpirtin s’e lanë me u përspjetë. Thithi rreth votrës e në lojna
mocatarësh, në log të kishës e në mbledhje burrash, ndër festa e ndër darsma, ajrin
e kulluet dhe freskinë e kangëve kreshnike të lahutës zâ-vajtuese. Në gjamë, u nxit
prej fjalës magjike të vajtores sokoleshë, që te kryet e të dekunit endi në vargnim
me një art poetik të bindëshëm, të marrun uhá, pa e dijtë as ajo vetë, veç te Homeri,
burrat e fisit, trimnitë, besën, burrninë, bukën, urtinë, pashinë e të kaluemve në
jetën e vërtetë. U nxé kënaqshëm prej diellit rreze-pastër të shembujve jutbinas të
të parëve të vet e të farefisit. E pvetën endè të vogël se kujt do t’i gitëte në jetë
e ai zguedh ma të mirin e të mirëve, që trungu i gjakut e lisi i tamblit i paraqiti.
Pranë zjarmit, që në kulla as në përdhese malesh nuk shkimbet kurr, si në tempujt
e hyjnive klasike, xu me heshtuem para krip-bardhëve, me u ndigjuem ma të mëdhajve,
me nderuem mikun e tërvesën. Ju shtrue vuejtjeve e motit, punës e blegtorisë. S’ndjeu
kurr historinë e Spartanëve as ligjët e Likurgut, por jetoi si ata, me një ndryshim
të vetëm: I-lir përvetësoi Ilirët e motit. Si barí përdoroi briskun për të dhenë me
maje mbi drunin e rrastë të bushit a të tisit, fyellin për t’i rá, pushkën me gjuejtë
shejin e me shitue gjaen damtore. Provoi idilet e jetës baritore pa e ulë vedin në
baltën e vesit, pa u habitë mbas epsheve, që turbullojnë kjartësinë e synit ngjyrë-qielle,
pa e zhigatë ndërgjegjen e thjeshtë e të pafaje, pa e ligështue karakterin-shkamb.
Forcoi drejtpeshimin në parmendë dhe qindresën në lavër, zhdrivilloi dhe çelnikosi
muskujt e krahit në kosë, provoi fuqinë e trupit të vet të hajshëm e të hjedhtë ndër
lojna ligjësh e mbledhjesh, tue u rrokë me tarabakë moshtarë, tue hjedhë peshën koçek
dhe tue pezullue gur katallajsh. U burrnue djaloshi i malit përpara se mosha ta
përcillte ndër burra. Flijoi vullnetin e vet para vullnetit të nanës e të babës
të motnuem edhe kur këta me shkuesí miqsh e dashmairësh i prunë në konak fatin, që
synit të tij s’i pëlqei, por që nën duvakun e nuses ndrynte doket mashkullore të oxhakut
në za prej kah vinte. Tash jeta e djalit asht jeta e të Dukagjinasit. Shtat-naltë,
i hollë, shpatull gjanë, ball-shpërvjelun, gjak.kulluet si vena në gastare. Synin
gacë xhixhilluese nën vetullat e zeza, rrashtën karakteristike të maleve dinarike,
banori, nip i Lekës, paraqet tipin e squet të Veriut pa motërzime as kryqëzime rracash. I
pastër në gjuhë me një gjallësí lumejsh që rrëzohen shkambijsh, ma i pastër në doke.
I kadalshëm në kuvend e i matun në urtí, i peshuem në gjikime, i prém në vendim, i
shpejtë në veprim. Lakonik ndër shprehje, i pasun në fëtyrëzime e shembëlltyrë të
përshtatshme me artin ma të naltin e letrave, të cilat ai s’i njef. Gojtár në
log burrash, ulun për rreth, kur rendi t’i tokojë me folë dhe të ndreqet në gjuj për
të përshtatun kanunin në pleqní të fisit a por kur janë për t’u marrë vendime me randësí
për të marën e të mirën e Bajrakut. Logjik në arsyetime që s’të lanë me luejtë
dhe të shtërngojnë si dana për të pranue të vërtetën. Bujár dhe fisnik në konak,
që deri natën vonë rrin çilë, për të pritun miq e të njoftun, të panjoftun e deri
anmikun udhëtár që i bjen për shteg të oborrit a drumit që kalon asajtë, të vorfën
e lypësa, që erren jashtë, pa dijtë se kujë me ia mësye. Kulla shumpashe a kasolla
përdhese në mal marrin ngjyrë feste kur Zoti i hatron me kambën e mikut përherë të
dishruem. Buka hanë-plote drithi së artë, qitun njatëherë prej cereme a votre
mbuluem me kakí, e qindisun mjeshtrisht me shkrola e me kryq krahë-njajtë, të skalitun
lehtë me gisht a me pirû, krypa e qefi shqiptár, zjarmi breg e prushi i shpupurishun
në oxhak a votër, kuvendi që kurr s’mërzitë, përligjiet e mëfaljet me një njerëzí
e delikatesë ma se pariziane a vjeneze të së kaluemes, s’mungojnë kurr në truellin
e të Dukagjinasit bukë-mirë, që shpinë e ka të Zotit e të mikut. Edhe atëherë kur
në votër s’shtjen xhezen, përsè kafja e shiqeri s’gjinden te ai, as te fqijtë, edhe
atëbotë kur sofrën trikambëshe të shtrueme për rrashit s’e zbukurojnë petullat e mjalta
për meze e mushkënitë, kryet e berrit e shpatulla me eshke të mbytuna në vjam posi
guri në gëlqere të shueme, edhe kur bluda e mazës ngjyrë ari e djathi i ziem fije
gjatë s’ndodhen për hae, malsori s’topitet: oxhakun s’e koritë vorfnija. Curreku i
djathit me ibrik të rakisë, kodra mollash e ftojsh e thalba lejthijash prej arkës,
tlyen të shkrimë në fultere e vegshi i pucatun rrastë me mish të thatë prej trinet,
me bujarinë e zemrës e gazin ndër rob të shpisë plotësojnë çdo mungesë. Besnik
në fjalë e premtime të dhanuna, të cilat vetëm deka i pezullon, dheu i zí i zhbanë.
Për fjalë, që del kah del shpirti, djeg kullën fortesë, shkretnon mal e vërrí. Asht
burrë e jo ká zgjedhet: lidhet për fjalet e jo për bryenash. Nuk njef parime ditunore
politiko-shoqnore, por din të zbatojë me përpikëní ligjet e natyrës njerëzore, drejtësinë
që s’njef pajambajtas e atê çka botës sot i mungon: nderimin dhe çmimin e anasjelltë,
lealitetin e vendosmëninë. S’din i Dukagjinasi dredhí, përsè s’don të gënjejë; s’mërrín
të paraqitet çka s’asht, përsè s’pranon të jetë fletë që e luen era, as pupël që bán
fryma. Rrethanat e vështira të jetës, natyra e vrashtë e malit, lufta që s’din
pushim për të gjalluem, porsa me shpirt, i farkëtoi një karakter burri ma të fortë
e ma të qindrueshëm se çelikun e ndezun dhe të ujatisun mirë mbi kudhën e farkatarit
legjendár, të Tushës. I brishtë e shpesh herë i këcyeshëm, por kurr i lakueshëm. Trim
dhe i pafrigueshëm kudo të jetë puna me ruejtë dy gisht nderë që Zoti i Madh na i
fali në lule të ballit a por kudo u nevojit me lá ballin e vrugnuem. U edukue që në
fëminí me e çmue jetën vetëm nën prizmin e nderës, pa të cilën njeriu asht i dekun.
Para erzit vetjak e familjar, kanuni i mësoi vetëm dy rrugë: gjakun a faljen, por
jo ligështinë. Mjerisht, të lumët pushka i thanë ku duhet dhe kur pushka i shkoi mbarë;
nderove veten si burrat e “faqen e bardhë e paç djalë mbas djalit” i uruen katundi
e i çuen bajrakët kur i Dukagjinasi, zemërcoptuem, suell mbarë djepin e anmikut të
përmbysun në truell, kur puthi, tue e lagë me lot, të cilat vështirë i dalin burrit
si atij, Kryqin shejt të Meshtarit. Gjaksin e muer ngrykë burrnisht dhe e vëllaznoi
me gjakun e gishtit ase e nxuni kumbar me flokë të fëmisë të pafaj. Desht fisin
e atdhenë kurdo natën a ditën u qit kushtrimi. La qetë në kulár, shatin në arë, kosën
në livadh, korrën në lamë, berret në mal, bukën në tërvesë, fëmijët në djep e graninë
ndër rangë. Me sa pat mashkuj të aftë, rroku armët për ku e thirri zani. S’shikjoi
se saraji i vezirit ishte plot me ushtarë roje, s’iu tremb syni prej rrugave të qytetit
labirint, që vlon me njerëz posi thndeglat në vjeshtë, s’iu dridh zemra para topave
të ushtrive ndër grykat e Thermopylave dukagjinase, s’e muer kurr pushka shpinet kahdo
e qiti puna, që prej Moresë së tretun e Stambollës së Mbretit e deri në Zetën e shkjaut,
në kalanë e Shpuzës a fortesën e Medunit. Vezirin dredhacak e la pa djalë, pashën
krenár pa urdí, gjeneralat kapicë-knjaza i bâni të kalojnë si berret në shtrungë nën
armët e kryqëzueme a por i ftofi keqas në Gur të Kuq, në Qafë Kolç të lkuqun prej
gjakut. Jetoi gjithmonë i lirë dhe e desht lirinë si dritën e synit, si zogu i
verës ajrin e pyllin e pakufí. S’pranoi, në të kaluemen, ligjë rromake as azjatike,
s’lau të dheta as s’dha ushtarë, kur këta s’kërkoheshin për të mirën e vendit. Themeloi
ma i pari në Shqipní, Djelmëninë dhe kësajë i lëshoi në dorë mbikqyrjen e vendimeve
të Bajraktarit e të kambëve të fisit, që mos të theheshin, në dam të vendit, prej
përkëdheljeve as arit të huejit as prej shtymejve të ma të fortit. S’ju shtrue,
tash së voni, despotizmit të vetëve, as ndikimeve të huejit shfrytëzues. Para turrit
të tij u dridhën harqet veneciane rranxë kalasë së Dukagjinit të Madh, u trondit Tirana
e kuqe përballë luanit të shituem, i cili për gjith shpellë a birë mali shkjeu me
dhambë klysht bastadha të kulshedrës siberiane.
* * *
Nuk ka komb as historí, popull as gojëdhana e as kulturë pa
lavruesa, shtet pa heroj. Historia bâhet, zakonet ruhen, kultura shtohet, shteti forcohet
e rritet. Këtu dallohen të mëdhajt. Njerëzve, që me vepra merituen ketë emën, kombet
u kushtuen elterë në shej mirënjohje, u ngrehën pomendore. Mbetën jashtë të panjoftunt:
kreshnikët, të cilët pa zhurmë, në hije, pa fjalë të mëdhá e kumbuese, kryen punë
të mëdhá. Kurrkush nuk i përmendi, përsè nuk ua dijti emnin. Eshtënt e tyne simbolikë
i mblodhën në një vend, të cilin e pagëzuen: “Monumenti i ushtarit të panjoftun”.
Nuk skalitën rrasë as datë: derdhën e qitën lule, vuerën përherë e vjerrin kunora
rreth tij. Për të Dukagjinast e banorët e malit ky elter mungoi. E pra s’mungoi
historija ndër ta, s’u zhdukën zakonet iliro-trake as shejet e një kulture së vjetër,
sa mosha jetike e banorëve në breg të Adries; e s’mbetën kurr pa heroj. Frati
iu kujtue kësajë gollje. U vû ai vetë ta plotësojë si mujti e si diejti ma mirë e
ma. I vorfën, si malsori, të cilit s’ju dá kurr e për të cilin shkrini jetën, Françeskani
hetoi se në misjonin e tij i mungojshin mjetet. I xevendësoi këto me vetmohim, me
dashtëní të painteresë, me zemërgjanësí burrash. S’pat mermér as daltë për të ngrehun
pomendore, s’pat bronx as ár për të prarue germa. Përdoroi letër e pendë për të përjetësue
bijt e vet të harruem. “Lahuta e Malsis” me “Kanunin e Lekës” e doket iliro-trake,
rrapsoditë e Jutbinës me “Përrallat Kombëtare”, të marruna prej gojës së popullit
në tirqë, urtia e burrënia, përshkruem aq përshtatshëm në “Ândrra e Prêtashit”, gjuha
e Palajt me studimet e Marlekajt i naltuen malsorit të panjoftun monumentin kombëtár,
të cilin motet as stuhitë, luftat as mënija s’do të mërrijnë kurr me e rrëxue. Të
përvujtët të bijt e të Vobegëtit të Asizit, s’thadruen kurrnjë fjalë kushtuese në
ballin e veprës së vet: shkruen me germa të papashme, por të lexueshme prej gjithkujë:
“Deri sa Kukelat e Gjeloshat të jetojnë, Marash Ucat e Dedë Gjo’ Lulat të këndohen
me lahutë, deri sa Tringat të bâjnë fëmijë, Shqipnia ka për të gjalluem si Komb.