365 ditë: "Vëllezërit e Regensburgut, që ndoqën dy rrugë të ndryshme, për të arritur
tek Krishti".
(30.08.2008 RV)“E pabesueshme!”. Zemra e Teodorit të Regensburgut rreh si
të ishte çmendur. Sjell e përsjell nëpër duar një letër, që sapo e ka marrë. Shkrimi
mbi zarf është i të vëllait, pa asnjë dyshim. E pra Teodori nuk i beson dot syve.
Pesëmbëdhjetë vjet më parë, Alfonsi u zemërua tepër me të, kur zbuloi se ishte bërë
i krishterë. Familja e tyre ishte hebreje e për Alfonsin, pagëzimi i të vëllait ishte
fyerje e rëndë për Zotin e etërve. Që kur u zemëruan, Alfonsi nuk kishte folur
më me Teodorin e ai nuk kishte kurrfarë lajmi prej vëllait. I pati dërguar vetëm një
ftesë për martesë e asgjë më. Pesëmbëdhjetë vjet në heshtje të plotë. E tani… “Sigurisht
do të më ketë shkruar për të më qortuar se u bëra meshtar. Sikur ta dinte sa të lum
e ndjej veten, sa e bukur më duket jeta ime e re!”. Teodori e hap zarfin dalë-nga-dalë,
i shqetësaur e plot emocion. Gjëja e parë që lexon, është data: 20 janar 1842. Teodori
nis të lexojë. Sytë i zgurdullohen aq, sa i duken si dy bila bilardoje. “E pabesueshme!”,
përsërit. I vëllai është bërë i krishterë. Gjatë një shtegtimi në Romë, ka hyrë
në një Kishë thjeshtë për ta vizituar e aty i është dukur Zoja e Bekuar. Në çastin
e fundit Alfonsi e ka ndjerë veten krejt të shndërruar. E kush? Ai që i urrente për
vdekje të krishterët. E vetë Alfonsi shkruan se duhej një mrekulli për ta bërë të
besojë në Krishtin. Pastaj i lyp falje të vëllait, sepse e ka bërë të vuajë, duke
u zemëruar aq keqas me të. Letra nënshkruhet: “Alfons Maria”. Teodori e lexon me
dhjetra herë, për t’u siguruar se nuk është në ëndërr. Do të dishëronte të hovte përpjetë
nga gëzimi për nder të Marisë, që i priu të vëllait drejt Hyjit. Maria ishte hebreja
e parë që e pranoi Jezusin, Mesinë! Teodori thotë me vete: “Është mrekulli që
Nëna e Jezusit t’i ndihmojë bijtë e popullit të zgjedhur të besojnë në Birin e saj.
Jam kaq i lum që e ndihmoi tim vëlla!”. Ndërmjetësia e Marisë në jetën e Alfonsit
i jep Teodorit një ide. Më 1846 themelon një shkollë, që njihet me emrin‘Zoja e Sionit’.
Sioni është një nga kodrat e Jeruzalemit. Në këtë shkollë do të pranohen vajza hebreje,
prindërit e të cilave kanë nisur të hyjnë në rrugën e krishterimit. Me ndihmën e Zojës,
Teodori do t’ia dalë mbanesh t’u prijë shumë njerëzve të tjerë drejt Jezusit.