2008-08-30 18:49:40

365 ditë: 'Imzot Duarr, ipeshkvi i kanibalëve'.


(31.08.2008 RV)“Kujdes!”, bërtet punëtori, duke e parë Gijomin kaluar mbi një tra të makinës që grin letrën në fabrikën, ku punon i jati. Dymbëdhjetëvjeçari zbret nga kali i tij imagjinar, por sapo largohet punëtori, ia nis përsëri të kalërojë afër ingranazheve që vënë në lëvizje makinën e rëndë. Gijomi humbet drejtpeshimin, rrëshqet e bie: kjo makinë e skëterrshme do ta bëjë grima-grima. Në atë çast, të shpejtë si vetëtima, djali i lutet Zojës së Bekuar ta shpëtojë, duke bërë kushtin të shkojë në mision. Makina ndalet! Gijom Duarr tani duhet ta mbajë premtimin…
Kalojnë disa vjet e më 1834 Gijomi shugurohet meshtar. Tetë vjet më pas emërohet ipeshkëv i Amatës, në Kaledoninë e Re e niset mbi një anije, së bashku me katër meshtarë të tjerë, për të arritur sa më parë në dioqezën e tij të re.
Kur arrijnë, kajakët bëhen shumë kureshtarë e i prekin të sapoardhurit, duke kërcitur dhëmbët.
“Uhhh…. Miqtë tanë të rinj janë kanibalë… në se nuk gabohem”, mërmëron njëri nga priftërinjtë.
“Në të vërtetë, edhe unë e kam dëgjuar këtë, por nuk u duhet besuar kurrë thashethemeve”, përgjigjet prifti tjetër, krejt i qetë.
Vitin e parë meshtarët punojnë rëndë. Sipas rasteve, bëhen karpentierë, gjahtarë, peshkatarë ose katundarë. Mësojnë edhe gjuhën e vendit, për t’u shpjeguar kajakëve se vjedhja, gënjeshtrat e kanibalizmi nuk janë virtyte të krishtera.
Por shumë shpejt, një zi buke e, pas saj, edhe një epidemi, e përgjysmojnë popullsinë, që nis t’i akuzojë meshtarët për këto kobe. Atyre u duhet të ikin në Australi.
Por imzot Duarr nuk e merr fare parasysh rrezikun që i kërcënohet. As që i shkon nëpër mend të heqë dorë nga misioni i tij në Kaledoninë e re. I shkruan letra pas letrash episkopatit dhe qeverisë franceze, duke kërkuar të dërgojnë njerëz në Kaledoninë e Re. Në këtë kohë ishulli është i pavarur e Anglia ka shumë synime mbi të. Gijomi e di mirë se, po vunë dorë anglezët mbi ishullin, misioni i tij do të marrë fund. Pasi kishte kërkuar disa herë të themelonte misione të reja, Gijom Duarr vdes, viktimë e një epidemie. Nuk mundet, kështu, të jetë i pranishëm në çastin kur admirali francez, Fevrie-Dë-Pojnt, hyn në ishull. Letrat e Gijomit nuk shkuan kot e misioni i tij shpëtoi. Njëzet vjet pas arritjes së misinarëve, ishulli do të kishte më se 200 shkolla, në të cilat mësohej, në radhë të parë, katekizmi!







All the contents on this site are copyrighted ©.