2008-08-29 17:10:26

Marrëveshje të reja për bazat ushtarake ruse në Osetinë e jugut dhe në Abkhazi.


(29.08.2008 R V)Rusia dhe Osetia e jugut do të nënshkruajnë me 2 shtator një marrëveshje për vendosjen e bazave ushtarake në territorin e republikës separatiste. Po ashtu edhe Abkhazia deklaroi se është e gatshme t’i japë Moskës mundësinë për të vendosur baza në territorin e vet. Kështu tha i ashtuquajturi ministër i jashtëm i republikës separatiste osete. Ndërkaq katër anije të grupit detar të përhershëm të NATO-s në Mesdhe së bashku me fregatën rumune “Mbreti Ferdinand” morën pjesë sot në një stërvitje të përbashkët në Detin e Zi, në ujrat rumune. Akuza e Rusisë se këto manovra kishin të bëjnë me konfliktin në Gjeorgji, u përgënjeshtruan nga të dyjat palët pjesëmarrëse në stërvitje. “Manovrat kanë qenë në program prej më shumë se një viti e gjysmë, dhe pala ruse është njoftuar. Për më tepër anijet nuk do të çojnë ndihma humanitare në Gjeorgji.”


Rusia akuzon: “Pas sulmit gjeorgjian në Osetinë e jugut fshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Amerika dhe Rusia gjithnjë e më tepër thikë e brisk me njëra-tjetrën. Kryeministri rus Vladimir Putin tha se pas vendimit të Gjeorgjisë për të dërguar trupa në Osetinë e jugut fshihen SHBA-ës. Shtëpia e Bardhë u përgjigj e indinjuar duke thënë se “Kjo është diçka pakuptim”. Ndërkaq parlamenti gjeorgjian miratoi një rezolutë për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë.

Amerika duhet të ndryshojë.” Kështu tha Barak Obama në mbyllje të Kuvendit demokratik në Denver

“Amerikë je më e mirë nga ç’ke qenë këto tetë vitet e fundit.” Në fjalën mbyllëse të Barak Obamës në Kuvendin e Denverit, me rastin e shpalljes si kandidat i demokratëve për president, sulmohet administrata aktuale. Disa nga problemet që Obama shpalli se do të marrin një përgjigje janë: çështjet e mëdha shoqërore dhe përtëritja e ekonomisë amerikane.
Një fjalim ai i Barak Obamës konsideruar nga analistët si shumë i ndryshëm nga të tjerët gjatë fushatës zgjedhore. Më i shpenguar dhe më i interesuar se zakonisht, kandidati demokratik hodhi poshtë akuzën për mungesë patriotizmi, dhe në ditën e 45-vjetorit të fjalimit të famshëm të Martin Luter Kingut, u paraqit si një njeri me ideale të larta.







All the contents on this site are copyrighted ©.