2008-08-29 17:38:25

Kardinali Sodano kremtoi Meshën për kushtimin e të një kishe katolike në Kazan të Rusisë.


(29.08.2008 RV)RealAudioMP3 Pasi i përcolli përshëndetjen dhe bekimin e Papës qytetit të Kazanit, në Republikën e Tatarstanit, në Rusi, sot kardinali dekan Angjelo Sodano kremtoi Meshën Shenjte për kushtimin e kishës katolike të Lartimit të Shenjtes Krygjë. Gjatë Meshës, në të cilën ishin të pranishëm shumë autoritete civile e fetare, kardinali Sodano falënderoi, në emër të Papës administratorët myslimanë dhe popullsinë e Kazanit, që dhanë kontributin e tyre të çmuar për t’i siguruar bashkësisë së vogël katolike një vend të denjë kulti. E nga Kisha e re, simbol i respektit fetar, sot u lartua një lutje prekëse për paqen, siç shprehet kryeipeshkvi Antonio Menini, përfaqësues i Selisë së Shenjtë pranë Federatës Ruse, me telefon nga qyteti i Kazanit:

Përgjigje: - Një mesazh jo vetëm për Rusinë, por për gjithë botën, për ata që e vlerësojnë tolerancën e mirëkuptimin ndërmjet të gjitha feve. Këtë e tregon solidariteti i ortodoksëve e i myslimanëve për ndërtimin e Kishës, për të cilën jo vetëm që dhuruan truallin, por dhanë edhe ndihma ekonomike, së bashku me Selinë e Shenjtë e Benediktin XVI. E të gjithë bënë kusht, pastaj, që ta thellojnë këtë bashkëpunim ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e feve të tjera.

 
Pyetje: - Ç’ mund të na thoni, imzot, për bashkësinë katolike që jeton në qytetin e Kazanit?

 
Përgjigje: - Bashkësia numëron së paku 300 vetë. Më parë, në zanafillë, formohej vetëm nga pasardhës të polakëve. Por tani ka besimtarë nga më të ndryshmit. Sot, për shembull, u pagëzua një çift i ri rus, kthyer në fenë katolike pesë vjet më parë. Tani kanë edhe një fëmijë të vogël, që gjithashtu u pagëzua, duke u bërë simbol shprese për të ardhmen.

 
Pyetje: - Gjatë kremtimit besimtarët u lutën edhe për krizën e vështirë ndërkombëtare, që ka si epiqendër Kaukazin…

 
Përgjigje: - Po, u lutën për paqen në botë, që të gjitha palët në konflikt, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, të ulen rreth një tryeze, që të mos mungojnë mjetet për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve e që të gjindet rrugëzgjidhja e kënaqshme për të dyja palët.







All the contents on this site are copyrighted ©.