2008-08-29 17:39:50

365 ditë: "Dom Bosko, meshtari i vënë në shënjestër".


(29.08.2008 RV)Dëgjohet zhurma e një të shtëne! Në depo përhapet paniku. Pas krismës, ndjehen britmat: “Dom Boskon… kanë plagosur Dom Boskon!”. Katër të rinj vrapojnë drejt meshtarit. Në se do të kishin qëlluar pak centimetra më lart, goditja do të kishte qenë fatale, ndërsa, për fat të mirë, plumbi ka përshkuar vetëm veladonin. Gjon Bosko rifillon qetësisht katekizmin e ndërprerë kaq brutalisht. Është 32 vjeç, por nuk i tutet vdekjes. Ka kohë që një frymë revolucionare përhapet në qytetin e Torinos. Meshtarët dhe Kisha akuzohen si kundërshtarë të progresit politik. Bëhen përpjekje për ta nxitur popullin të ngrejë krye kundër tyre. Këtë mbrëmje, ndërsa qep veladonin, Dom Bosko i përsërit vetes pyetjen, që e ka bërë disa herë: ‘Ç’i shtyu vrasësit të qëllojnë mbi një prift që ndihmon të rinjtë e rrugës? Pse merren me të, kur e shohin me sytë e tyre se, që kur u shugurua meshtar në vitin 1841, bën gjithçka mundet për t’u siguruar të pafatëve mjetet që të dalin nga situata në të cilën ndodhen? Depoja, ku Dom Bosko jep mësime katekizmi, quhet Oratorio e Shën Françeskut të Sales. Aty mblidhen qindra djelmosha, punëtorë të rinj, ose rrugaçë, e rrinë deri natën vonë. Prifti krijon për ta një shkollë nate, ku u jep mësim dhe i edukon në fenë e krishterë. Veç kësaj, mbledh rreth pesëmbëdhjetë të rinj në shtëpinë e vet, që bëhet qendër për përvetësimin e profesioneve të ndryshme. Gjatë ditës djemtë e dom Boskos shkojnë në shkollë, në fabrikë ose në ofiçinë, e meshtari e vëren se bota e jashtme ushtron mbi ta një ndikim dramatik. Kthehen në qendër mbrëmjeve, pas një dite plot me ngjarje rrënqethëse, shaka të këqija e këshilla të gjitha llojeve. Prandaj dom Bosko ëndërron të hapë një konvikt, me laboratore e kurse, që do t’i jepte mundësinë për të arritur qëllimin e tij . Ëndrra do të realizohet, por pakëz më vonë…
Ndërkaq dom Bosko vijon të punojë me të gjitha forcat, për ta bërë lagjen torineze, ku jeton, një qendër të mirëfilltë edukative. Të dielave ia del mbanesh t’i kryejë, i vetëm, të gjitha shërbimet fetare, pastaj merret me dëfrimet e të rinjve, me kurset e këngës e të gjuhës italiane. Gjatë javës vrapon nëpër qytet për të takuar nxënësit e për t’u gjetur punë. Në mbërmje jep mësime në matematike, gjuhë frenge, këngë, pianoforte e Organo. E ja, tani, pasi ka kryer një mori punësh kapitëse, i duhet të qepë edhe veladonin e grisur nga plumbi…







All the contents on this site are copyrighted ©.