2008-08-28 15:32:30

Një udhëtim ekumenik ‘në zemër’ të përshpirtërisë ruse: e kryeson kardinali Tetamanzi.


(28.08.2008 RV) Dy dioqezat më të rëndësishme të Italisë janë vënë këto ditë për udhë: dioqeza e Romës drejt Lurdës; ndërsa Kisha ambroziane, drejt Moskës. Kardinali Dionigji Tetamanzi, në krye të 80 meshtarëve, arriti në Moskë, për një shtegtim në rrënjët e përshpirtërisë ruse dhe për t’i dhënë një hov të ri dialogut ekumenik.
Çasti kulmor i shtegtimit ishte takimi i sotëm me Patrikun Aleksej II dhe pjesëmarrja në Liturgjinë Hyjnore të Fjetjes të së së Lumes, Virgjërës Mari, kryesuar nga vetë Patriku. Ishte një kremtim që konkretizoi qëllimin e këtij shtegtimi: bashkimin e të krishterëve, siç pohon, nga Moska, kardinali Dionigji Tetamanzi, në mikrofonin tonë:
“Kjo vazhdimësi ndërmjet Kishës së Milanos e botës lindore, që pasqyrohet edhe në shkrimet e në dëshminë personale të Shën Ambrozit, është e pranishme edhe sot e kësaj dite e vijon të japë frytet e veta”.
Para se të takoheshin me Patrikun e Moskës, Aleksejn II, shtegtarët milanezë biseduan me kryepeshkopin ortodoks të Vladimirit, Evlogij. Sipas kardinalit Tetamanzi, takimi shërbeu për të ritheksuar nevojën e impenjimit të përbashkët për dialog, njohje reciproke e lutje. Kjo ditë u krijoi shtegtarëve mundësinë të njihen nga afër me jetën murgare ortodokse, duke vizituar manastirin e Shën Gjergjit.
Vizita do të përfundojë nesër, me një takim domethënës. Shtegtarët do të takohen me kryeipeshkvin katolik të Moskës, imzot Paolo Pecin.
Ishte “një shtegtim në burimet e fesë” – siç pati theksuar kardinali Tetamanzi, kur e paraqiti vizitën, duke kujtuar edhe se besimtarët duhet të kenë përvujtërinë të çlirohen nga paragjykimet e nga komplekset e epërsisë, përballë besimtarëve të tjerë në Krishtin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.