2008-08-28 15:33:01

Me Nënë Terezën : “Bashkëpunëtorë që… dëgjojnë”.


(28.08.2008 RV)RealAudioMP3 Varfëria në botë ka me mijëra forma, me mijëra fytyra: një prej tyre është fytyra e njeriut të vetmuar, që ka etje të flasë me dikënd, ta dëgjojë dikush. Prej këndej organizimi i grupeve ‘Bashkëpunëtorë që… dëgjojnë’, për të cilat na flet e Lumja e parë shqiptare në emisionin e 24-të të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’.

 
“Një ditë po ecja rrugës.
Një burrë shpejtoi hapin e, si m’u afrua, më pyeti:
‘Ju jeni Nënë Tereza?’.
‘Po’ – iu përgjigja.
Më tha:
“Kini mirësinë të dërgoni ndonjërën nga motrat tuaja në shtëpinë time. Jam gjysëm i verbër e ime shoqe, në prag të çmendurisë. Nuk duam gjë tjetër, veçse jehonën e një zëri njerëzor. Është e vetmja gjë që na mungon…’.
Kur i çova motrat, panë me sytë e tyre se kjo ishte e vërtetë.
Kishin gjithçka, por ishin kredhur në një vetmi të frikshme. Asnjeri nuk trokiste në portën e tyre. Askush nuk interesohej në ishin gjallë, apo kishin vdekur. Asnjë farefis, asnjë kushëri, asnjë fqinj. Jeta për ta ishte ndaluar në vend, ishte zhytyr në heshtje varri. E shtëpia e tyre i ngjiste paradhomës së vdekjes.
Kishin edhe fëmijë, po qenë larguar qëkuri nga shtëpia e nuk donin t’ia dinin më kishin apo s’kishin prindër.
Ishin dy qenie, të cilave u mungonte ngrohtësia njerëzore, që e ndjenin veten fare të kotë. Po treteshin dalë-nga-dalë nga vetmia.
Në disa vende të botës, në Angli për shembull, kemi grupet e vogla të dëgjimit.
Shkojnë në shtëpitë e njerëzve të thjeshtë, ulen me ta e i lenë të flasin, të flasin, të flasin…
Pleqtë, sa më shumë motohen, aq më tepër duan të kenë ndokënd pranë, që t’i dëgjojë, ndonëse s’kanë ç’të tregojnë tjetër, veçse ngjarje që kanë ndodhur tridhjetë vjet më parë. E që i përsërisin pambarimisht.
Ta dëgjosh një njeri, që askush nuk dëshiron ta dëgjojë, është gjë vërtetë e bukur.
Do të thotë ta ndihmosh të mos e ndjejë veten fare vetëm. Në një kohë kur familjet vijojnë të shpërbëhen, vetmia është armiku më i madh i njeriut. E varfëron tmerrësisht shpirtin njerëzor, sepse njeriu ka pasur, ka e do të ketë gjithnjë nevojë për njeriun. Për atë që flet. E edhe për atë që dëgjon!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.