Kisha kujton Shën Agostinin. Papa: "I mësoi njeriut se për të gjetur vetveten, duhet
të takohet me Zotin-Dashuri!”.
(28.08.2008 RV)Shën Agostini lindi
në Afrikë, në Tagaste të Numidisë, sot Souk-Ahras në Algjeri, më 13 nëntor të vitit
354, në një familje çifligarësh. Nga e ëma mori edukatë të krishterë, por pasi lexoi
Ciceronin, hyri në rrugën e filozofisë manikeiste. Më 387 shkoi në Milano, ku njohu
Shën Ambrozin. Takimi pati rëndësi vendimtare për kthesën e madhe: Agostini mori
nga dora e Ambrozit sakramentin e Pagëzimit. U rikthye në Afrikë me dëshirën për të
themeluar një bashkësi murgare. Pas vdekjes së nënës, shkoi në Iponë, ku u shugurua
meshtar e ipeshkëv. Veprat e tij teologjike, mistike, filozofike e polemike – pasqyrojnë
luftën e rreptë të Shën Agostinit kundër herezive, me të cilat u ndesh deri sa vdiq,
më 28 gusht të vitit 430, në moshën 76 vjeçare. Këto vepra, ndërmjet të cilave
kujtojmë “Rrëfimet” e ‘Qyteti i Zotit’, jo vetëm që i dhanë titullin Doktor i Kishës,
por mbeten edhe sot e kësaj dite thellësisht aktuale. Për këtë aktualitet foli
sivjet Papa Benedikti XVI, duke i kushtuar Shën Agostinit katër katekizma gjatë audiencave
të përgjithme (janar-shkurt 2008). Papa e quan Shën Agostinin, model ideal për
lidhjen ndërmjet fesë e arsyes, që na lë të kuptojmë se kush nuk dëshiron t’i
afrohet Hyjit, është kundër vetvetes. Ai kërkonte një fe, që të ishte shprehje
e arsyes së tij; e etja e thellë për të vërtetën, e largoi, ende të parritur, nga
feja katolike, në të cilën e kishte edukuar e ëma - por njëkohësisht e bëri të mos
kënaqej me ato filozofi, të cilat nuk e çonin tek vetë e vërteta e ia shpjegonin
zotin si hamendje të fundme kozmologjike e jo si Zot që jep jetë. Ky kërkim – shpjegon
Benedikti XVI - e çoi Shën Agostinin, Ipeshkvin e Iponës, në sintezën ndërmjet fesë
e arsyes. “Këto dy përmasa, fe e arsye, nuk duhet të ndahen nga njëra-tjetra
e aq më pak, t’i kundërvihen njëra-tjetrës, por duhet të shkojnë krah për krah. Siç
shkroi pak kohë pas kthesës së tij, vetë Shën Agostini në veprën ‘Contra Academicos”,
fe e arsye janë dy forca që na çojnë tek njohja e Hyjit”. “Beso për të kuptuar”
e “kupto për të besuar”: janë dy formulat agostiniane, që përmbledhin pikëarritjen
e Atit të Kishës. “Besimi të hap udhën për të hyrë në portat e së vërtetës…
por edhe për ta kuptuar e për ta shikuar të vërtetën, dmth për të gjetur kështu Zotin
e për të besuar”. Harmonia ndërmjet fesë e arsyes – vijon Papa, duke folur
për Shën Agostinin - na bind sidomos se Hyji nuk është larg, përkundrazi, është fare
pranë çdo njeriu; është sa pranë zemrës, aq edhe pranë arsyes së tij: “Prania
e Hyjit tek njeriu, e thellë e njëkohësisht misterioze, mund të njihet e të zbulohet
vetëm në thellësinë e shpirtit. “Mos dil jashtë vetvetes – pohon Agostini – por ktheju
tek vetvetja; në thellësitë e vetvetes banon e vërteta; e në se mendon se natyra jote
është e ndryshueshme, dil përmbi vetveten… syno të arrish atje ku ndizet drita e arsyes.
Pikërisht ashtu si thekson ai vetë… në krye të ‘Confessiones’ (Rrëfimet), autobiografia
e tij shpirtërore: ‘Na bëre për vete e zemra jonë mund të gjejë paqe vetëm kur të
pushojë në Ty’. Atëherë mund të themi se largimi nga Hyji është largim nga vevetja”. Papa
kujton edhe reflektimet e mëdha të Shën Agostinit për jetën, duke nënvizuar posaçërisht
shkrimet e Ipeshkvit të Iponës për njeriun: “Njeriu është një enigmë e madhe,
është një greminë e thellë, enigmë e greminë që vetëm Krishti mund ta ndriçojë e ta
shpëtojë. Ka rëndësi ta dijë se kur është larg Hyjit, është edhe larg vetvetes, është
kundër vetvetes e mund ta gjejë përsëri vetveten vetëm duke u takuar me Hyjin. Kështu
arrin edhe tek vetvetja, tek uni i tij i vërtetë, tek identiteti i tij”. “Njeriu
është qenie shoqërore për natyrë, por antishoqërore për ves” - lexojmë në veprën e
Shën Agostinit ‘Qyteti i Hyjit’. E këtë e vërejmë edhe sot – na kujton Papa - duke
theksuar atë që vë në dukje Ati i Kishës, dmth, se është Krishti ai që e shpëton njeriun,
Ai, i vetmi që mund të ndërmjetësojë për njerëzimin pranë Hyjit. Papa flet edhe për
konceptin e Kishës në vizionin agostinian, që e quan Krishtin krye e ne, gjymtyrë
të Tij: një Korp i vetëm, pra, ‘Populli i Hyjit e shtëpia e Hyjit’. E kujtojmë se
pikërisht kësaj teme i riu Jozef Racinger, në vitin 1953, i kushtoi tezën e doktoratit
në teologji. Ndërsa sipas Papës Vojtila, Agostini i mëson njeriut të sotëm se shpresa
për ta gjetur të vërtetën ekziston.