2008-08-28 15:33:11

365 ditë: "Zhanë Zhygan, motra e vogël e të varfërve".


(28.08.2008 RV) Vejusha Hano është plakë, e verbër, gjysëm e paralizuar e tepër e varfër. E motra, që e ndihmon, u shtrua në spital. Por sonte, në këtë natë të ftohtë dhjetori të vitit 1839, një grua e merr nga karrakatina, në të cilën jeton, dhe e çon në shtëpinë e saj. E ndihmon të ngjitë shkallët dhe e shtrin në krevatin e vet. Zhanë Zhygan – kështu quhet gruaja – është dyzet e shtatë vjeçe e ua ka kushtuar gjithë jetën të varfërve. Së bashku me dy mikeshat e saj, Françeskën e Valerien. Punojnë aq, sa për të jetuar, ndërsa në kohën që u mbetet, luten, ndihmojnë të varfërit e u shërbejnë të gjithë atyre, që kanë nevojë për një fjalë të mirë, për një krah ku të mbështeten. Por kjo është hera e parë që strehojnë një të varfër në shtëpinë e tyre.
Pas pak kohe, tri gratë marrin në shtëpi edhe një plakë tjetër të sëmurë. Ndërkaq një vajzë tjetër bashkohet me to, për t’i ndihmuar. Shumë shpejt Zhana e shoqet e saj nisin të jetojnë së bashku, duke u lutur, duke ndihmuar pleqtë e varfër e duke e lëshuar vetën plotësisht në dorën e Provanisë Hyjnore. Në vitin 1840 formojnë një shoqatë me emrin ‘Motrat e vogla të të varfërve”.
Sa më shumë zgjërohet bashkësia e shtohet numri i nevojtarëve, aq më shumë ndjehet edhe nevoja për para. Për të gjetur mjete jetese, Zhana nis të lypë lëmoshë. Pranon gjithçka i japin: para, copa buke, veshje të përdorura. E mbështjellë me mantelin e gjërë, me një shportë në dorë, troket portë në portë. Jo gjithnjë e presin mirë... Por ëmbëlsia dhe përvujtëria e saj shkrijnë edhe zemrat më të akullta. “Duhet të jeni të vogla, tepër të vogla” – i këshillon motrat, “duhet të jeni të përvujta e të thjeshta, sepse Zotit i pëlqejnë vetëm të vegjlit”.
E ajo vetë e vë në jetë e para këtë këshillë, sepse pranon, në heshtje, të largohet nga udhëheqja e Kongregatës e të trajtohet si të ishte fillestare. E për më tepër, abati që i ndihmon ‘Motrat e vogla të të varfërve’ përhap kudo fjalën se është ai që e themeloi Kongregatën. Zhana nuk ngre asnjëherë krye kundër kësaj padrejtësie, deri në vdekje. Po Kisha do t’ia njohë meritën: do ta pranojë se ishte Zhana ajo, që i themeloi ‘Motrat e vogla të të varfërve’ e edhe do ta lumnojë. Vendi i një zemre kaq të përvujtë nuk mund të jetë tjetërkund, veçse pranë Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.