2008-08-28 11:47:21

365 ditë: 'Gjon Gabriel Perbuar, martir në Kinë'.


(27.08.2008 RV)Paniku përhapet me shpejtësinë e flakës. Fshati i krishterë Tça-Jen-Keou, në Kinë, plaçkitet nga ushtarët e perandorit. Banorët ia dalin mbanesh të fshihen në pyjet përreth, para se ushtarët t’i kallin flakën shtëpive të tyre. Por tani trupat drejtohen nga pylli.
“Kam frikë!” – mërmëron me lot në sy vocrraku Tçang, duke u kapur fort pas zhgunit të Atë Perbuarit.
“Mos u shqetëso, Tçang. Fshihu nën këtë gëmushë. Tërhiqi brenda edhe këmbët. Ashtu, të lumtë. Të siguroj se ata do të kalojnë e nuk do të kujtohen fare se je fshehur këtu, mes gjethnajës”.
Pak minuta më pas, ja se ia behin edhe ushtarët. E kapin Gabriel Gjon Perbuarin bashkë me shumë të krishterë që, si ai, nuk mundën të fshiheshin me kohë. Tçang e dëgjon zërin e meshtarit, që thotë:
“Jam shërbëtor i Krishtit e gati të vdes për Të. Mund të më bëni ç’të doni, po unë nuk heq kurrë dorë nga feja ime!”.
Ushtarët largohen, së bashku me të burgosurit. Ata pak njerëz që shpëtuan, dalin nga gëmushat me zemër të coptuar. Perandori ka vendosur t’i zhdukë gjithë të krishterët. Jemi në shtator të vitit 1839 e nuk është persekutimi i parë i ndjekësve të Krishtit.
E pra meshtari i parë, italiani Mateo Riçi, që arriti në Kinë në vitin 1583, u prit mirë. I mahniti perandorin, mandarinët e të gjithë fisnikët kinezë me njohuritë e tij të thella në fushën e shkencës e, posaçërisht, të astronomisë. Por perandorët e mëpasëm nuk e lejuan më përhapjen e kësaj feje, që vinte nga skaji tjetër i botës. Mendonin se ndryshonte shumë nga besimet e tyre e se ishte e rrezikshme për perandorinë. Prandaj nisën të merrnin masa për zhdukjen e kësaj feje e të besimtarëve të saj. Misionari Gjon Gabriel Perbuar, i fshehur në Tçang, ishte një nga viktimat e para të këtyre masave.
Pas arrestimit, kalon një vit në burg. Një vit të pafundmë, gjatë të cilit përgatitet për të vdekur. Kur arriti në Kinë, katër vjet më parë, e dinte se po rrezikonte jetën. Tani, kur vdekja është fare pranë, ndjehet i lum që jetoi në këtë vend, ku punoi për Krishtin. Realizoi, kështu, një nga ëndrrat e tij më të dashura. Eprorët, duke parë se ishte shëndetlig, e patën këshilluar të mos largohej nga Franca. Por Gjoni nguli këmbë për t’u nisur. E nuk pendohet as në çastin e ekzekutimit, më 11 shtator 1840. Tçangu, i fshehur mes turmës, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, mbetet i habitur pa masë, kur e shikon duke vdekur me buzë në gaz. E kjo i jep guxim t’i përballojë, pak më vonë, ushtarët e perandorit, me të njëjtën buzëqeshje!







All the contents on this site are copyrighted ©.