2008-08-26 15:50:13

Rusia njeh pavarësinë e Osetisë së jugut e të Abkhazisë. Acarohet gjendja me Nato-n


(26.8.2008 RV)Mungonte vetëm “po”ja e Kremlinit per pavarësinë e provincave separatiste gjeorgjiane për ta bërë situatën në Kaukaz edhe më të nderë e marrëdhëniet ndërmjet Nato-s dhe Moskës edhe më të tensionuara se janë. Presidenti rus Dimitri Medvedev, lajmëroi se nënshkroi dekretin me të cilin Rusia njeh formalisht pavarësinë e Osetisë së jugut dhe Abkhazisë.
Medvedevi, gjatë fjalimit drejtuar kombit transmetuar nga televizioni shtetëror në fund të mbledhjes të Këshillit të Sigurisë në Soçi, në Detin e Zi, u bëri thirrje edhe vendeve të tjera të bëjnë kështu. Por kjo ftesë deri tani është refuzuar nga Franca e cila e quajti si “të dënueshëm” vendimin marrë nga Moska për njohjen e pavarësisë së Abkhazisë dhe Osetisë së jugut. I menjëhershëm reagimi i Tbilisit: “Vendimi i marrë nga Rusia nuk ka asnjë vlerë ligjore”, deklaroi sekretari i Këshillit për Sigurinë Kombëtare të Gjeorgjisë Aleksandër Lomaia.
“Njohja e provincave separatiste gjeorgjiane si shtete të pavarura do të ketë 'pasoja të rënda politike' për Rusinë,” shtoi Lomaia.
E ndërkaq udhëheqësit e provincave separatiste e mirëpritën vendimin e Rusisë për t’ua njohur pavarësinë duke e përkufizuar si një hap “historik”.
Kurse Ministri i jashtëm italian Franko Fratini tha se e priti me hidhërim dekretin rus për pavarësinë e republikave separatiste të Gjeorgjisë.
“Është një tjetër element që i shtohet një situate të ndërlikuar qysh tani, tha Fratini. Është një njohje e njëanëshme që nuk është e mbështetur nga kuadri ligjor ndërkombëtar, por që të detyron të reflektosh mbi sigurinë në rajon, duke qenë të vetëdijshëm se stabiliteti, qëndrueshmëria dhe paqja kërkojnë që të bashkëpunohet me Rusinë.”
“Askush nuk ka interes që çështja të ballkanizohet mbi baza etnike.” nënvizoi Fratini.
Por njohja e Moskës ndihej që dje, kur senati dhe duma e kishin miratuar njëzëri pavarësinë e dy zonave që janë në qendër të konfliktit ndërmjet Tbilisit dhe Moskës.
Ndërkaq shenja të humbjes së drejtëpeshimit në marrëdhëniet Nato- Rusi po nxjerrin në skenë fantazmën e një lufte të ftohtë të re.
Ambasadori rus pranë Aleancës së Atlantikut Dimitri Rogozin, lajmëroi shtyrjen e vizitës në Moskë të sekretarit të përgjithshëm të Nato-s Shefer. Po ashtu një ngjarje e papritur u bë e njohur: ambasadori rus në Kabul, Zamir Kabulov, kërcënoi se do të bllokojë kalimin e autokolonave të Nato-s që transportojnë ushqime dhe pajisje në Afganistan, nëpër territorin rus. Por lajmi u përgënjeshtrua menjëherë nga i dërguari i Moskës pranë Nato-s Dimitri Rogozin.
Edhe kryetari i parlamentit europian Hans-Gert Potering, pak ditë para mbledhjes së jashtëzakonshme të të 27-tëve që do të mbahet në Bruksel me 1 shtator, foli ashpër për gjendjen e krijuar në Kaukaz. “Fatkeqësisht Saakashvili bëri gabim kur sulmoi Osetinë e jugut, por Rusia bëri një tjetër edhe më të madh duke sulmuar Gjeorgjinë, që është një vend sovran e i pavarur” tha Potering në një intervistë dhënë gazetës “Corriere della Sera”.
Nga ana tjetër një anije luftarake e flotës amerikane ngarkuar me ndihma humanitare për Gjeorgjinë, po drejtohet në Poti, qytet bregdetar në Detin e Zi. Zëdhënësi Stiv Gujs, saktësoi se së bashku me një anije tjetër humanitare anija luftarake MekFaul do të mbrrijë nesër në në portin gjeorgjian, ku aktualisht gjenden trupat ruse.
“Me kërkesë të qeverisë gjeorgjiane, anijet do të shpërndajnë ndihma humanitare në Poti”, tha Gujs.







All the contents on this site are copyrighted ©.