2008-08-26 20:12:56

Komisioni i BE-ian mbështet tërësinë tokësore të Gjeorgjisë.


(26.8.2008 RV)Mbështetje e plotë për sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Gjeorgjisë, nga ana e komisionit europian. “Dua të rikujtoj pozicionin tonë në favor të tërësisë tokësore të Gjeorgjisë. Bëhet fjalë për një pozicionim të qartë që është ripohuar së fundmi, në përfundimet e mbledhjes së ministrave të jashtëm të BE-së mbajtur me 13 gusht.” tha zëdhënësi i Komisionit Europian në Bruksel, Piter Pauer.
“Gjithashtu është e rëndësishme të kujtoj se të gjitha rezolutat e Këshillit të Sigurisë së OKB-së mbi këtë konflikt kanë qenë gjithnjë për tërësinë tokësore dhe për sovranitetin e plotë të Gjeorgjisë. Ky është qëndrimi ynë dhe nuk e kemi ndërruar,” shtoi zëdhënësi duke vënë në dukje se votimi i djeshëm i dy dhomave të parlamentit rus “ nuk ka asnjë rezultat juridik”.
Piter Pauer kujtoi në fund se kryetarët e shteteve dhe të qeverisë së BE-së, së bashku me komisarin e BE-ian për Marrëdhëniet e jashtme Benita Ferrero-Valnder dhe kryetarin e Komisionit Hoze Manuel Barrozo do të diskutojnë mbi situatën gjatë takimit të lartë të jashtëzakonshëm thirrur me 1 shtator në Bruksel nga presidenti francez Nikolas Sarkozi. “Presim rezultatet e kësaj mbledhjeje” përfundoi Pauer.

Kondoliza Rajs e quajti si “të dënueshme” njohjen nga ana e Moskës të pavarësisë së Osetisë jugore dhe Abkhazisë. “Këto të fundit janë pjesë të kufijve gjeorgjianë të njohur në nivel ndërkombëtar dhe të tilla do të mbesin” theksoi sekretarja e shtetit amerikan. “Përsa i përket synimit të dukshëm të rusëve për të njohur dy pjesë të ndryshme” theksoi Rajs, “mendoj se është i dënueshëm. Kjo e vë Rusinë në një drejtim të kundërt me rezolutat e ndryshme të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, të cilave iu është bashkuar edhe vetë Rusia.” e ashpërsoi deklaratën e vet Kondoliza Rajs gjatë një konference për shtypin në Ramallah, pas takimit që pati me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abaz. “Kjo do të thotë thjeshtë se presidenti rus Medvedev nuk po i zbaton paktet e nënshkruara nga vetë vendi i tij.”

Moska ka ndërmend ta pezullojë bashkëpunimin me Nato-n për gjashtë muaj përsa i përket ruajtjes së paqës. Lajmi u dha nga Dimitri Rogozin, përfaqësues i përhershëm i Rusisë pranë Nato-s, deklaratat e të cilit u përcollën nga agjencia Interfax. “Duke patur parasysh se udhëheqësit e Nato-s nuk e përfillën rëndësinë e rolit të luajtur nga Rusia në ruajtjen e paqës në Kaukaz, si dhe duke parë zhvillimet në Osetinë jugore, na duket me vend t’i pezullojmë misionet paqëruajtëse me Nato-n së paku për gjashtë muaj” tha Rogozin gjatë një konference për shtypin mbajtur në Moskë.







All the contents on this site are copyrighted ©.