2008-08-26 18:02:26

Kardinali Toran në Mitingun e Riminit, preku temën e paqes në botë.


(26.08.2008 RV)Numërohen rreth 800 mijë pjesëmarrës sivjet në Mitingun e Riminit, organizuar nga Lëvizja ‘Bashkim e Çlirim’, që arriti sot në ditën e tij të tretë. Dje, protagoniste ishin paqja, fetë, të drejtat e njeriut dhe problemet më të mprehta ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me Kaukazin e me Lindjen e Mesme. Rreth këtyre temave folën kryetari i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kardinali Zhan Lyi-Toran, ministri i jashtëm italian, Franko Fratini dhe sekretari i përgjithshëm i Lidhjes së Shteteve Arabe, Amre Musa. Duke iu përgjigjur një pyetjeje për ushtrimin e dhunës kundër të krishterëve në Indi, Hirësia e Tij tha: “Këshilli Papnor që drejtoj, duhet t’i shpeshtojë takimet me botën hinduiste”. Nënvizoi edhe rëndësinë e reciprocitetit në vendet e kultit, lidhur me botën myslimane. Paqja, ashtu si lufta, niset nga zemra e njeriut. Prandaj është e nevojshme të ndiqet një pedagogji e veçantë – vërejti kardinali Toran:
“Ka shumë rëndësi që krerët fetarë të kujdesen për të përhapur pedagogjinë e paqes, sepse lufta lind në zemrën e secilit nga ne: sa herë që kemi frikë nga tjetri, sepse është i ndryshëm; sa herë e shikojmë tjetrin si konkurrent, sa herë kemi etje për pasje, për të grumbulluar sa më shumë para; e pra pikërisht këtu janë mugujt e luftës!”.
Paqja – vijoi kardinali Toran – niset nga besimtarët.
E këtë të kujtojnë edhe fjalët e ministrit të jashtëm italian, Fratinit, që foli për veprimtarinë e Italisë në fushën ndërkombëtare. Duke u ndaluar tek roli i pajtimit në Kaukaz, Fratini bëri propozimin për organizimin e një konference ndërkombëtare, që mund të mbahet në Romë, në nëntorin e ardhshëm. Përsa i përket Afganistanit, shpjegoi: kërkesa për të rifilluar bisedimet për praninë e Forcave ndërkombëtare nga ana e qeverisë së Kabulit, nuk mendoj se do të thotë që duhen tërhequr trupat. Kabuli ka akoma nevojë për ndihmë në luftën kundër terrorizmit.
E për pajtimin foli edhe sekretari i Lidhjes Arabe, Amre Musa, i cili nënvizoi posaçërisht nevojën që të mendohet në radhë të parë për Lindjen e Mesme. Paqja në Lindjen e Mesme, për Musan, dallohet nga paqja e lufta në botë. Jeruzalemi – pohoi ai – duhet të jetë qyteti i paqes për të gjithë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.