2008-08-26 18:05:11

KAPELA PAPNORE E UDHËHEQUR NGA ATI I SHENJTË GJON PALI II PER LUMNIMIN E TEREZËS SË KALKUTËS


(26.08.2008 RV) RealAudioMP3 KAPELA PAPNORE E UDHËHEQUR NGA ATI I SHENJTË GJON PALI II PER LUMNIMIN E SHËRBËTORES SË ZOTIT
TEREZËS SË KALKUTËS
VIRGJËR
THEMELUESE E KONGREGATËS
SË MISIONAREVE E MISIONARËVE TË
BAMIRËSISË


SHESHI I SHËN PJETRIT, 19 TETOR 2003
E DIELA XXIX GJATË VITIT KISHTAR DITA MISIONARE BOTËRORE.

PËRGATITJA PËR KREMTIM
Këngë: Tutta la terra…
Toka mbarë Zotit i këndon
Emërit të tij i këndon lumní
Kënga këndohet në Italisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht e polonisht;

HYRJE:
Sot, në Ditën Misionare Botërore, mbarë Kisha është e ftuar ta thellojë dhe ta ripohojë identitetin e vet më të thellë, thirrjen e saj të posaçme, që i kujton se është e dërguar në botë për të dëshmuar projektin e dashurisë së Zotit për njerëzimin. Me fjalë shpall besimin e vet në Jezu Krishtin, të Dërguarin e Atit e ia kumton pa u lodhur kurrë Ungjillin mbarë popujve. Me veprat e dashurisë së krishterë në ndihmë të njerëzve që vuajnë në korp e në shpirt, i ngushëllon e i lehtëson të gjithë ata që i ka lëshuar zemra, sepse u duhet të përballojnë gjithfarë situatash të vështira. Një vëmendje të posaçme u kushton njerëzve të braktisur, për shkak të sëmundjes, të varfërisë e të dhunës, atyre që nuk kanë asnjeri pranë.
 Merr një kuptim të veçantë në këtë Ditë Misionare, Lumnimi i Nënë Terezës së Kalkutës, misionare e bamirësisë, ungjill i dashurisë, i jetuar pranë njerëzve më të papërfillur nga shoqëria.
Njëkohësisht del në pah ç'ka shkruar në mesazhin për këtë Ditë Ati i Shenjtë, të cilin gjithashtu sot e kujtojmë në mënyrë të posaçme në 25-vjetorin e Papnisë së tij. Ai i ka propozuar Kishës të bëhet:
"Më kundruese",
"më e shenjtë",
"më misionare";
duke mësuar në shkollën e Virgjërës Mari, "Yll i Ungjillëzimit".
Në të vërtetë - shkruan Papa - "Të gjithë besimtarët, përmes hirit të Pagëzimit, janë të thirrur për të ecur në rrugën e shenjtërisë. Koncili i Vatikanit II, në Kushtetutën dogmatike "Lumen gentium" nënvizon se vokacioni universal për shenjtëri është thirrje për ta përsosur dashurinë e krishterë. Shenjtëria dhe misioni janë aspektet themelore të vokacionit të çdo njeriu të pagëzuar. Zotimi për t'u bërë më shenjtër lidhet ngusht me impenjimin për ta çuar kudo lajmin e mirë të shëlbimit. "Secili besimtar"- na kujton Papa në "Redemptoris Misio" - është i thirrur të jetë shenjt e misionar.
Në shkollën e Virgjërës Mari, shkollë shenjtërie e ungjillëzimi, posaçërisht përmes meditimit të mistereve të Rruzares e duke ndjekur shembullin e Nënës së Krishtit, çdo bashkësi mund ta zbulojë më mirë përmasën e vet kundruese e misionare.

Këngë: O Santissima:
    e Shenjtnueshmja, e mëshirshmja, e buta, Nëna Jonë, Mari,

Nënë e dashur, e papërlyer, lutu, lutu për né.

    Na ngushëllo, na mbro, Nëna jonë Mari.
    Në ty shpresojmë, me ty besojmë, lutu, lutu për ne!


Lutja:
Lutja ime për secilin prej jush
është që ju të jeni vetëm të Jezusit nëpërmjet shën Marisë.
O Shën Mari, ma jep zemrën tënde kaq të mrekullueshme,
kaq të pastër, kaq të papërlyer,
zemrën tënde kaq të mbushur me dashuri e përvuajtëri
që të më bëjë të denjë ta marr në zemër Jezusin
me anë të Bukës së Jetës dhe ta dua atë ashtu si e do ti
dhe t’i shërbej atij në fytyrat e çpërfytyruara të të varfërve.
O Shën Mari, Nënë e Jezusit, bëhu Nëna ime tani.
O shën Mari, Nëna e Jezusit,
më ndihmo që të jem e pastër dhe e përvuajtur si Ti,
sepse dua të jem shenjte dhe e këndshme
për Trininë Shenjte, ashtu siç ishe, siç je Ti.
T’i kërkojmë Zojës sonë të na japë zemrën e saj,
kaq të papërlyer, kaq të pastër për ta dashur Jezusin
që të bëhemi të denjë për ta marrë Jezusin
nëpërmjet bukës së jetës
dhe pamjes së çpërfytyruar të të varfërve.
(Nënë Tereza)

 
I. Të dërguar si Jezusi

Nga mesazhi i Papës:
 
"Në asnjë epokë Kisha nuk ka pasur kaq mundësi për ta kumtuar Krishtin, sa ç'ka sot, në sajë të zhvillimit të mjeteve të komunikimit. Pikërisht për ketë Kisha sot është e thirrur ta bëjë sa më të dukshme Fytyrën e Dhëndrrit të vet me një shenjtëri sa më të ndritshme. Në këtë përpjekje jo të lehtë, e di se ka ndihmën e Virgjërës Mari. Nga ajo mëson të jetë "e Virgjër", kushtuar plotësisht Dhëndrrit të vet, Jezu Krishtit, e Nënë e bijve të shumtë, që lind jetën e pamort.
… Kisha nuk ka frikë t'i thotë me zë të lartë botës se Krishti është "Rruga, e Vërteta, Jeta" (Gv 14, 6); nuk druhet të kumtojë me gëzim se "Lajmi i mirë e ka qëndrën e vet, madje vetë përmbajtjen e vet, në personin e Jezu Krishtit, në Fjalën e Mishëruar, në të vetmin Shëlbues të botës" ( Rosarium Virginis Mariae, 20)".

Nga porositë e Nënë Terezës

 
"Dëshiroj me gjithë zemër ta ndez dritën e dashurisë së Krishtit në zemrën e çdo krijese. Hyji na dashuron e vijon të na përdorë, mua e ty, për të ndezur dritën e dashurisë së Tij në botë. Lëre jetën tënde të ndriçohet nga vërtetësia e Tij, kështu që Zoti të vijojë ta dashurojë botën përmes nesh. Mundohu me gjithë zemër të bëhesh dritë e shkëlqyer".

Anglisht:
“Ne nuk duhet të kemi frikë që ta shpallim dashurinë e Jezusit dhe të duam ashtu si Ai na ka dashur. Puna që duhet të bëjmë, pavarësisht se e vogël dhe e përvuajtur, duhet bërë në shenjën e dashurisë së Krishtit në veprim. Gëzohuni që Krishti edhe një herë, ecën nëpër botë në ju e nëpërmjet jush bën mirë.
Në Shkrimet e Shenjta lexojmë se Zoti e deshi aq shumë botën, sa i dha Birin e Tij të vetëm. Zoja jonë e pranoi Atë në krahëror me zemër të përvuajtur, me zemër të pastër e shkoi me nxitim t’ua jepte Jezusin të tjerëve. Ajo shkoi në shtëpinë e Elizabetës vetëm për t’i shërbyer. Ajo e ktheu dashurinë për Jezusin në veprim për të tjerët. Për këtë erdhi Jezusi, për t'i dashur të tjerët ashtu si i do Zoti. Shën Maria na mësoi si t’i shërbejmë, si ta duam njëri-tjetrin. Ku fillon kjo dashuri? – në shtëpi. Familjet që luten sëbashku qëndrojnë sëbashku. Prandaj, nëse qëndroni sëbashku, do ta doni njëri-tjetrin ashtu si Zoti do secilin prej jush. Nuk është e nevojshme të bëni gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri. Shën Maria shkoi në shtëpinë e Elizabetës për të bërë gjëra të vogla. Ne e dimë si shkoi e kur mbërriti; qe foshnja që lëvizi gjithë gëzim. Shën Gjoni u zgjodh për ta njohur Jezusin”.

Këngë:
S' jam më unë që jetoj
R/ S' jam më unë që jetoj, por Krishti jeton në mua,
Është Zoti që më desh, që jetën ma dhuroi.

    Jeta ime me Krishtin u kryqëzua

është fshehur sot në Të, kjo jetë që po jetoj.

R/S' jam më unë që jetoj, por Krishti jeton në mua,
Është Zoti që më desh, që jetën ma dhuroi.

    Me Të i vdekur, i ringjallur me Të në gëzim,

Shpirti i Tij që më shëlboi, jeton sot në shpirtin tim!
Lutje:
O Jezus, bari i shpirtrave,
që i thirre Apostujt për t'i bërë peshkatarë njerëzish,
tërhiqi rishtas shpirtrat e zjarrtë e fisnikë të të rinjve,
për t'i bërë ndjekësit e shërbëtorët e tu:
bëji të kenë etjen tënde universale të shëlbimit,
për të cilën e përsëritë çdo ditë flijimin tënd.
Ti, o Zot, gati gjithnjë për t'u bërë ndërmjetësi ynë,
hapi horizontet e botës mbarë,
atje ku lutja e heshtur e vëllezërve
kërkon dritën e së vërtetës e ngrohtësinë e dashurisë;
që duke iu përgjigjur thirrjes sate,
ta vijojnë në tokë misionin tënd,
të ndërtojnë Korpin tënd mistik
që është Kisha
e të jenë kripë e botës e dritë e tokës.
Pali VI

II. "Nuk jam më unë që jetoj, por Krishti që jeton në mua"

Nga Mesazhi i Papës

"Lutja plot besim drejtuar Virgjërës Mari përmes Rruzares së përditshme dhe meditimit të mistereve të jetës së Krishtit, do të theksojë se misioni i Kishës duhet ndihmuar sidomos me lutje. "Dëgjimi" i fjalës së Zotit, si na këshillon Rruzarja, i afron besimtarët te Zoja e Bekuar e cila "i ruante gjithë këto gjëra duke i medituar në zemër të vet" (Lk. 2, 19). Meditimi i vazhdueshëm i fjalës së Zotit bëhet ushtrim për të jetuar "në bashkim të gjallë" me Jezu Krishtin - përmes - mund të themi - Zemrës së Nënës (Rosarium Virginis Mariae, 2).
… Duke kundruar misteret e Rruzares, besimtari merr zemër për ta ndjekur Krishtin e për të jetuar si Zoti deri në atë masë, sa të mund të pohojë, me fjalët e Shën Palit: "Nuk jam më unë që jetoj, por Krishti që jeton në mua". (Gal. 2, 20).


Nga porositë e Nënë Terezës:
Faqe 46
“Përpiquni të bëheni dashuria e Jezusit, mëshira e Jezusit – prania e Jezusit për njëri-tjetrin dhe për të varfërit, të cilëve u shërbeni. E gjithë kjo do të bëhet e mundur nëse rrini afër Shën Marisë, Nënës së Jezusit dhe Nënës sonë. Ajo do t’ju udhëheqë dhe do t’ju mbrojë dhe do t’ju ruajë Vetëm për Jezusin”.

“Kush është Jezusi për mua?
Jezusi është Fjala e mishëruar.
Jezusi është Buka e Jetës.
Jezusi është Flija e gozhduar në Kryq për mëkatet tona.
Jezusi është Flija e flijuar në Meshën Shenjtë
për mëkatet e botës dhe të miat.
Jezusi është Fjala për t’u thënë.
Jezusi është e vërteta për t’u treguar.
Jezusi është Rruga ku duhet ecur.
Jezusi është Drita për t’u ndezur.
Jezusi është Jeta për t’u jetuar.
Jezusi është Dashuria për t’u dashur.
Jezusi është gëzimi për t’u ndarë me të tjerët.
Jezusi është Flija për t’u ofruar.
Jezusi është Paqja për t’u dhënë.
Jezusi është Buka e Jetës për t’u ngrënë.
Jezusi është I Urituri për t’u ushqyer.
Jezusi është i Eturi për t’u ngopur me ujë.
Jezusi është i Paveshuri për t’u veshur.
Jezusi është i Pastrehu për t’u marrë në shtëpi.
Jezusi është i Sëmuri për t’u mjekuar.
Jezusi është i Braktisuri për t’u dashur.

Ruaje dlirësinë e syve
Që Jezusi të shohë nëpërmjet tyre.
Ruaje dlirësinë e gojës
Që Jezusi të flasë nëpërmjet gojës tënde.
Mbaji duart e pastra
Që Jezusi të punojë me duart e tua.
Mbaje mendjen të pastër
Që Jezusi të mendojë me mendjen tënde.
Ruaje zemrën të pastër
Që Ai të dojë me zemrën tënde.
Kërkoji Jezusit ta shkojë jetën e tij brenda teje, sepse:
Ai është e Vërteta e përvuajtur
Ai është Drita e Bamirësisë
Ai është Jeta e shenjtërisë”.


Këngë: Jesus is my life

Lutja
(Anglisht)
Jezus, në zemrën time,
unë besoj në dashurinë tënde të dhimbshme për mua,
unë të dua.
Sepse unë të përkas Ty,
Unë dua të jap gjithçka timen për Ty.
Më përdor plotësisht.
Më ndaj copë copë.
Cdo pjesë do të jetë jotja.
O Shën Mari, ma jep zemrën tënde kaq të mrekullueshme,
kaq të pastër, kaq të papërlyer,
zemrën tënde kaq të mbushur me dashuri e përvuajtëri
sa të më bëjë të denjë për të marrë në zemër Jezusin
me anë të Bukës së Jetës dhe ta dua Atë
ashtu si e do ti dhe t’i shërbej
në pamjet e çpërfytyruara të të varfërve.
(Nënë Tereza)

III. Të shikosh Jezusin në të varfrin

 
Nga Mesazhi i Papës:

 
"E ndjekur nga vështrimi plot kujdes i Virgjërës Mari, bashkësia kishtare rritet si një familje e gjallëruar nga ndikimi i fuqishëm i Shpirtit Shenjt dhe, gati për të pranuar sfidat e ungjillëzimit të ri, kundron fytyrën përdëllyese të Jezusit në vëllezërit, posaçërisht ndër të varfrit e nevojtarët, në ata që janë larg nga feja e nga Ungjilli".

Porosi e Nënë Terezës:

“Ta dhurojmë vetveten me Të e për Të. Lëre Atë të shohë me sytë tuaj, të flasë me gojën tuaj, të punojë me duart tuaja, të ecë me këmbet tuaja, të mendojë me kokën tuaj dhe të dojë me zemrën tuaj.
Ai është e vetmja Dashuri që vlen të ndjehet, e vetmja Rrugë që meriton të ndiqet, e vetmja dritë që ia vlen të kërkohet, e vetmja jetë që ia vlen të jetohet. Ai ka bërë kaq shumë për ju – tani është radha juaj “të bëni” diçka për Të.
Ai vdiq në kryq për të treguar dashurinë më të madhe, e Ai vdiq për ju e për mua e për atë të gërbulurin, për atë njeriun aty që po vdes nga uria, e për atë person gjysëm lakuriq që është shtrirë në rrugë, jo vetëm në Kalkutë, por edhe në Afrikë, në Nju Jork, në Londër e në Oslo – dhe nguli këmbë që ne ta duam njëri-tjetrin, ashtu si deshi Ai secilin prej nesh. Ne mund ta lexojmë qartë këtë në Ungjill, “doni ashtu si ju kam dashur; ashtu si Ati më ka dashur mua, unë ju dua juve”. Kur Ati e deshi shumë, na e dha Atë neve, dhe sa më shumë që ta duam njëri-tjetrin, aq më shumë duhet t’i japim njëri-tjetrit, deri në dhembje.
  Nuk mjafton për ne të themi “Unë e dua Zotin, por nuk e dua fqinjin”. Shën Gjoni thotë se je gënjeshtar nëse thua se e do Zotin, por nuk do fqinjin. Si mund ta duash Zotin, që nuk e sheh, nëse nuk e do fqinjin, që e sheh, e prek, jeton me të? Kjo gjë është me rëndësi për ne: të kuptojmë se dashuria, që të jetë e vërtetë, duhet të dhembë”.
“Unë besoj se ne nuk jemi punonjëse sociale. Ndoshta ne bëjmë punë sociale për sytë e njerëzve, por në të vërtetë, ne jemi ato që kundrojnë Krishtin në zemër të botës. Sepse ne prekim Korpin e Krishtit për 24 orë me radhë!
Ne jemi 24 orë në praninë e Tij, ju edhe unë. Edhe ju duhet të përpiqeni që ta sillni Zotin në familje, sepse familjet që luten sëbashku qëndrojnë sëbashku. Mendoj se ne, në familjen tonë, nuk kemi nevojë për bomba apo armë që ta shkatërrojmë ose ta sjellim paqen – duhet veç të qëndrojmë bashkë, ta duam njëri-tjetrin, të sjellim atë paqe, atë gëzim, atë fuqi të pranisë së Zotit për njëri-tjetrin në shtëpi. Ne do të jemi në gjendje ta shtypim kështu të keqen në botë. Ka kaq shumë vuajtje, kaq shumë urrejtje, kaq shumë mjerim dhe me lutjen tonë, me flijimin tonë, që fillon në shtëpi – dashuria fillon në shtëpi. E nuk ka rëndësi sa shumë gjëra bëjmë, por me sa dashuri veprojmë. Është për Zotin e gjithpushtetshëm – sa shumë gjëra bëjmë, nuk ka rëndësi, sepse ai është i pafundëm, por me sa dashuri veprojmë – ajo ka rëndësi. Sa shumë bëjmë për Zotin nëpërmjet personit të cilit i shërbejmë?”.

Këngë: I Thirst

 
Është Jezusi ai që ndjen brenda vetes urinë e të varfërve,
etjen dhe lotët e tyre.
Si Jezusi, ne duhet të bëhemi një me njerëzit tanë,
të bëhemi një me ata në të gjitha gjërat, përveç mëkateve.
Jezusi u bë kaq shumë një me të varfërit
Saqë mori pamjen e shërbëtorit.
Feja jonë në Jezusin duhet të na bëjë që të duam,
e dashuria duhet të na çojë drejt shërbimit.
Por shërbimi nuk është i mundur pa lutjen.
 
IV. Të dërguar për të sjellë paqen

Nga Mesazhi i Papës:

 
"Lufta e padrejtësia e kanë zanafillën në zemrën, ku mbretëron "ndasia". Kush e bën të vetin misterin e Krishtit - e Rruzraja pikërisht këtë synon - mëson të fshehtën e paqes dhe e vë në themel të planeve të tij për jetën. (Rosarium Virginis Mariae, 40). Në se ritimi i Rruzares bëhet masë për ritmin e jetës sonë, ky do të ishte mjet i zgjedhur për të ndërtuar paqen në zemrat e njerëzve, në jetën e familjeve e të popujve. Me Virgjërën Mari mund të nxjerrim gjithçka nga Biri i saj, Jezusi. Me ndihmën e Zojës së Bekuar nuk do të ngurrojmë t'i kushtohemi bujarisht përhapjes së lajmit ungjillor, deri në skajet më të largëta të tokës".

Nga porositë e Nënë Terezës: Anglisht
“Punët tona të dashurisë nuk janë gjë tjetër veçse punë paqeje. T’i bëjmë me dashuri e efikasitet më të madh – secili në punën e vet të përditshme: në shtëpi, me fqinjët, rrotull jush. Gjithnjë është Krishti ai që ka thënë:
Isha i etur – jo për ujë, por për paqe që ngop etjen e pamëshirshme për luftë.
Isha i zhveshur – jo pa rroba, por pa atë dinjitetin e mrekullueshëm që burrat e gratë bartin në trupin e tyre.
Isha pa shtëpi – jo pa strehën me tulla, por pa zemrën që kupton, që mbulon e dashuron”.
“Lajmi i Mirë është: paqe për të gjithë njerëzit vullnetmirë, dhe kjo është diçka që e duam të gjithë – paqen e zemrës. Zoti e deshi botën kaq shumë sa dha Birin e tij. Ishte një dhuratë; megjithëse Zotit i dhembi, ai e deshi aq shumë botën sa i dha Birin e tij. Ai ia dha Atë Vrigjërës Mari e çfarë bëri ajo pastaj?
Sapo Krishti erdhi në jetën e saj, ajo shkoi menjëherë, me nxitim, për t’i dhënë Lajmin e Mirë botës. Sapo shkoi në shtëpinë e kushërirës, fëmija, fëmija i palindur – fëmija në kraharorin e Elizabetës, hovi me gëzim. Ai fëmijë i vogël i palindur ishte lajmëtari i parë i paqes. Ai e njohu Princin e Paqes, ai e kuptoi se Krishti kishte ardhur për të sjellë Lajmin e Mirë për ju e për mua”.


Këngë:
I lartë e i lumnueshëm Zoti

R/ I lartë e i lumnueshëm Zoti, zemrën time shndritë,
Më jep fe të fortë, shpresë të qartë e dashuri,
Përvujtëri të thellë më jep, dije e urtí e dritë
Që të mund t'i vë në jetë urdhnimet tua me gëzim.

    Të lutem, o Zot, ta rrëmbejë

forca e zjarrtë e e ëmbël e dashurisë sate
mendjen time nga gjithçka, që të vdes për dashuri tënde,
si Ti që vdiqe për dashurinë e dashurisë sime.

R/ E lartë e e lumnueshme në Zotin, zemra ime shndritë,
Më jep fe të fortë, shpresë të qartë e dashuri,
Përvujtëri të thellë më jep, dije e urtí e dritë
Që të mund t'i vë në jetë urdhnimet tua me gëzim.

Lutje:

 
Më bëj, o Zot, mjet të paqës sate:
Ku ka urrejtje, të çoj dashurinë,
atje ku ka fyerje, faljen ta çoj,
ku grindje ka, të çoj bashkimin
atje ku dyshohet, fenë unë ta çoj.
Ku ka gabim, të çoj të vërtetën,
ku vret dëshprimi, shpresën ta çoj.
Ku ka trishtim, të çoj gëzimin
E atje ku ka hije, dritë ta çoj.
Bëj, Zot, të kërkoj ngushëllim për të tjerët
Më shumë se sa për vete;
Të kuptoj, më shumë se të më kuptojnë,
të dua, më tepër se të më duan.
Sepse kur jep, ke marrë,
kur falë, ke gjetur përdëllim,
e atëherë kur vdes,
do të ngjallesh në amshim!

Përfundim: anglisht
Kur jeni mbushur me gëzim, lëvizni më shpejt dhe dëshironi të ecni për t’i bërë mirë gjithkujt.
Gëzimi është një rrjetë dashurie, me të cilën kapim shpirtra – pikërisht sepse ne jemi plot me gëzim, të gjithë na pëlqejnë dhe duan të qëndrojnë me ne për të marrë dritën e Krishtit.
Gëzimi i Jezusit është shkëlqimi i dashurisë së Atit të Tij.
Gëzimi i Jezusit është shpresa për lumturinë e përjetshme.
Gëzimi i Jezusit është flaka e dashurisë që digjet.
Nuk mund të jeni Gëzim pa Flijim.
Dashuria për njëri-tjetrin – ky është Gëzimi. “Do ta dinë se jeni të mitë, nga dashuria që keni për njëri-tjetrin”.


Këngë: Qiejtë tregojnë
 

 IIIKREMTIMI I EUKARISTISË

 
RITI I HYRJES
Bashkëkretojnë me Atin e Shenjtë 43 ( ) kardinaj, ipeshkvij e meshtarë.
Nga Shqipëria bashkëkremtojnë me Atin e Shenjtë - Shkelqesia e Tij, Imzot Angelo Massafra, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore dhe Kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës dhe Imzot Rrok Mirdita, Kryeipeshkëv Durrës-Tiranës.
Në delegacionin ekumenik marrin pjesë Përfaqësuesit e Fortlumturisë së Tij, Anastas, Kryepeshkop i Tiranës dhe i gjithé Shqipërisë:
Shkelqesia e Tij Joan Pelushi
I nderuari Atë Luke Alexander Veronis
I nderuari Atë Arben Koroveshi

 
Në delegacionin ndërfetar të Shqipërisë bëjnë pjesë:
Përfaqësueit e Bashkësisë Myslimane Sunnite të Shqipërisë:
Shkelqesia e Tij Haxhi Sabri Koçi, Myftia i Madh, i shoqëruar nga i biri, Qeramet Koçi, Haxhi Zylyftar Dervishi; Haxhi Bujar Mullahi

Përfaqësues të bashkësisë Myslimane Bektashiane të Shqipërisë: Shkelqesia e Tij Reshat Sinan Bardhi, Kryetar i bashkësisë; Zoti Kujtim Kadri Ahmataj, Zoti Subi Dedej, Zoti Pëllumb Beqir Kartoshi.
Kishën katolike të Shqipërisë në kremtim e përfaqëson Monsinjor Dodë Gjergji, Administrator Apostolik i Sapës;
 
Ndërsa Ati i Shenjtë dhe bashkëkremtuesit drejtohen nga elteri vijon
Kënga e Hyrjes
IUBILATE DEO
    Brohoriteni Zotin, ju të gjithë njerëzit e tokës, shërbejini Zotit me gëzim, paraqituni para Tij me ngazëllim; R/
    Ta dini se Zoti është Hyj, ai na krijoi e ne jemi të tij, populli i tij e grigjë e kullotës së tij. R/
    Kapërceni portat e tij me himne hiri, tremet e tij me këngë lavdërimi, lavdërojeni, bekojeni emrin e Tij! R/
    Sepse i mirë është Zoti, e amshuar është mëshira e Tij, besnikëria e Tij i përket të gjitha breznive. R/


 
Ati i Shenjtë:
P/ Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt.
R/ Amen.
P/ Paqja qoftë me ju!
R/ E me shpirtin tënd.

Ati i Shenjtë udhëheq kremtimin dhe punën e pendimit:
Vëllezër e Motra:
edhe në ditët tona Zoti frymëzon shembuj të rinj shenjtërie.
Disa imponohen përmes zgjedhjes radikale,
ashtu siç bëri Nënë Tereza e Kalkutës,
që sot po e radhitim ndërmjet të Lumëve.
Në të dallojmë urgjencën
për t'u vënë në shërbim të të gjithëve
e veçanërisht të të varfërve e të harruarve,
të më të fundit ndër të fundëm.
Ajo na tregon edhe se nga shenjtëria
Vjen aftësia për ta kumtuar Krishtin, pa asnjë kusht.

Eshtë një propozim i fuqishëm
në këtë Ditë Misionare Botërore,
- që po e kremtojmë me Virgjërën Mari,
e cila është misionarja e parë e Ungjillit -
në përfundim të vitit të Rruzraes,
e me hirin e saj
për ministerin tim si Bari i Kishës Universale
në selinë romake të Shën Pjetrit.
Vetëm për një Kishë Shenjte e Misionare.
Për këtë kemi nevojë,
t'i lutemi Zotit të ketë mëshirë për ne!
Pas një heshtjeje të shkurtër, këngëtari këndon lutjen:
K: - Krisht - Ti drita jonë!
O Zot, ki mëshirë!
B: -O Zot, ki mëshirë!
 
K: Jezus Zot, ti shpëtimi ynë!
O Krisht, ki mëshirë!
B: - O Krisht, ki mëshirë!

K: Jezu Krisht, ti Mëshira jonë
O Zot ki mëshirë!
B: - O Zot ki mëshirë!
A. SH/ Hyji i gjithëpushtetshëm pastë mëshirë për ne, na i faltë mëkatet tona e na priftë në jetën e pasosur.
R/ Amen!
 
RITI I BEATIFIKIMIT
Imzot Lucas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, i afrohet katedrës së Atit të Shenjtë së bashku me Postulatorin dhe i kërkon që kremtimi të vazhdojë me Lumnimin e Shërbëtores të Zotit, Terezës së Kalkutës:

 
Shenjti Atë Papë, kryeipeshkvi i Kalkutës i kërkon (lyp) përvujtërisht Shenjtërisë Suaj të ketë mirësinë ta shkruajë në numrin e të Lumëve Shërbëtoren e Nderuar të Hyjit, Terezën e Kalkutës!

Jetëshkrimi:

 
Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910 në Shkup në një familje thellësisht fetare në të cilën mbretëronte dashuria. Më e vogla ndër fëmijët e Kolë dhe Drane Bojaxhiut, u pagëzua me emrin Gonxhe Anjeza.
E ëma, e mbetur vetëm, me tre fëmijë në ngarkim pas vdekjes së t'et, kishte një karakter të ëmbël, por të vendosur, që ndikoi shumë në personalitetin dhe në drejtimin e ardhshëm të Nënë Terezës.
Në moshën 18 –vjeçare, me dëshirën për t’u bërë misionare, ajo e la shtëpinë për të shkuar në Institutin e Zojës së Bekuar, i njohur si Motrat e Loretos, në Irlandë. I dhanë emrin motër Mari Tereza. Në dhjetor u nis për në Indi dhe arriti në Kalkutë më 6 janar 1929.
Motër Tereza mori kushtet e para rregulltare në maj 1931 dhe kushtet e përjetshme më 24 maj 1937. Që nga ajo kohë ajo u quajt Nënë Tereza. Pasi mori kushtet e para, dha mësim në Shkollën e Shën Marisë në Entali të Kalkutës dhe, më 1944 u bë drejtoreshë e shkollës. Ishte e njohur për bamirësi, altruizëm, guxim, aftësi për punë të rënda, talent natyror për organizim, dhe besnikëri e gëzim për jetën e shuguruar.
  Më 10 shtator 1946, gjatë një udhëtimi me tren nga Kalkuta në Darjeling për ushtrimet shpirtërore të përvitshme, Nënë Tereza mori nga Zoti atë që është quajtur “frymëzimi” “thirrja brenda thirrjes”. Që nga ajo ditë, etja e Jezusit për dashuri dhe shpirtra zuri rrënjë në zemrën e saj, dhe dëshira për ta shuar këtë etje për shpëtimin dhe shenjtërimin e më të varfërve ndër të varfër, u bë forca tërheqëse e jetës së saj.
Pasi mori lejet e nevojshme, më 17 gusht 1948 ajo la kuvendin e Loretos dhe hyri në botën e të varfërve. Me të u bashkuan nxënëset e dikurshme të shkollës së Shën Marisë dhe më 7 tetor, Kongregata e re e Misionareve të Bamirësisë u vendos zyrtarisht në Kryedioqezën e Kalkutës. Brenda një kohe të shkurtër, Nënë Tereza hapi shkollat e para të mjerimit dhe qendrat shëndetësore në shumë vende të qytetit.
Dekreti i Papës Pali VI më 1 shkurt 1965 e inkurajoi Nënë Terezën që ta zgjerojë misionin për të varfërit e çdo kontinenti, ndërsa thirrjet shtoheshin vazhdimisht.
Me qëllim që t’u përgjigjej më mirë nevojave fizike dhe shpirtërore të të varfërve, Nënë Tereza themeloi Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë, më 1963; më 1976 degën kundruese të motrave, më 1979 Vëllezërit Kundrues dhe më 1984 Etërit Misionarë të Bamirësisë. Duke ndarë me të përshpirtërinë, shumë laikë u bënë Bashkëpunëtorë për të Sëmurët dhe të Vuajturit, Bashkëpunëtorë, Misionarë laikë të Bamirësisë. Më 1981 ajo filloi Lëvizjen Corpus Christi për Meshtarët.
Në vitin 1997, Motrat e Nënë Terezës numëronin rreth 4 mijë anëtare të shpërndara në 610 degë në 123 vende të botës. Në mars 1997 ajo bekoi pasardhësen e saj të sapozgjedhur si Eprore të Përgjithshme të Misionareve të Bamirësisë.
Më 5 shtator, jeta tokësore e Nënë Terezës mori fund dhe ajo “shkoi në shtëpinë e Zotit”. Varri i saj në Shtëpinë Mëmë shpejt u bë një vend shtegtimi dhe lutjeje për njerëz nga të gjitha fetë, për të varfër e të pasur.
Në përgjigje të kërkesave të panumërta si nga hierarkia, ashtu edhe nga besimtarët e mbarë botës, Kongregata për Ceshtjet e Shenjtërve lejoi fillimin e Kauzës së Lumnimit dhe të Kanonizimit të Nënë Terezës në Kryedioqezën e Kalkutës, në më pak se dy vjet pas vdekjes. Procesi dioqezan vazhdoi nga 26 qershori 1999 deri më 15 gusht 2001. Dekreti për njohjen e virtyteve heroike të Nënë Terezës u miratua nga Papa Gjon Pali II më 20 dhjetor 2002.

Pasi dëgjojnë disa të dhëna biografike të Shërbëtores së Hyjit, të gjithë ngrihen në këmbë. Vetëm Ati i Shenjtë rri ulur dhe shqipton solemnisht

 
FORMULËN E LUMNIMIT

 
Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllaut tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet "E Lume" e që fetsa e saj të kremtohet në vendet e sipas regullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator.
ASH/ Në emët të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt
R/ Ameeeeeeeeeen!

Pranë elterit vendosen reliket e së Lumes së re.
Schola: Aleluja!
Bashkësia përsërit: Aleluja!
Schola: Lavd e lumni të qoftë ty, o Zot: në banesën e Shenjtërve, e kurorëzuar me lumní e nder, shkëlqen Shërbëtorja Jote, Tereza, e ndërmjetëson për né!
Asambleja: Aleluja!

Kryeipeshkvi i Kalkutës falënderon Atin e Shenjtë:
Atë i Shenjtë, Kryeipeshkvi i Kalkutës falënderon Shenjtërinë Tuaj, që e shpallët sot të Lume, Shërbëtoren e nderuar të Hyjit, Terezën e Kalkutës.

Kryeipeshkvi dhe Postulatori shkëmbejnë përqafimin e paqes me Atin e Shenjtë

 
Këndohet "Gloria"
Ati i Shenjtë intonon "Gloria in exelsis: - "Lumni i qoftë Hyjit": shkolla e asambleja këndojnë e brohorasin për Hyjin e për Krishtin Zot.

 
ASH/ Lavdi i qoftë Hyjit në lartësitë qiellore!

Shkolla: E paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë!

Bashkësia: Ne po të lavdërojmë. Po të bekojmë, po të adhurojmë, po të madhërojmë.

Shkolla: Po të falënderojmë për lumninë tënde të pakufi
Zot, perendí, Mbret qiellor - Atë i gjithëpushtetshëm.

Bashkësia: Zot, ti Biri i Njëlindur, Jezu Krisht,
Zot, Perendi, ti qingji i Zotit, Bri i Atit

Shkolla: Ti që shlyen mëkatet e botës

Bashkësia: Ki mëshirë për ne

Shkolla: Ti që shlyen mëkatet e botës

Bashkësia: Pranoje lutjen tonë.

Shkolla: Ti që rrin në të djathtën e Atit;

Bashkësia: Ki mëshirë për ne!

 
Shkolla: Pse vetëm ti je gjithëshenjti;

Bashkësia: ti vetëm je Zoti;

Shkolla: ti vetëm gjithilarti, O Jezu Krisht,
së bashkut me Shpirtin Shenjt në lumturinë e Hyjit

Shkolla e bashkësia: Amen!

Orazione colleta

Ati i Shenjtë:
Të lutemi:
O Atë, ti që ke dërguar në Botë Krishtin, dritën e vërtetë, ndikoje Shpirtin Shenjt që të hedhë farën e së vërtetës në zemrën e njerëzve e t'i bëjë të gatshëm për t'iu bindur fesë, që të gjithë bijtë tuaj, të rilindur përmes pagëzimit, të formojnë të vetmin popull të Besëlidhjes.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që është Hyj e jeton e mbretëron me Ty, së bashku me Shpirtin Shenjt, për gjithë shekuj të shekujve.
R/ Amen!


LITURGJIA E FJALËS

LEXIMI I
Në se jep jetën e vet si flije shpërblyese, do të shohë një trashëgim jetëgjatë

Nga Libri i Izaisë profet:
53, 2.3.10-11
Shërbëtori i Tij u rrit porsi pinjolli, porsi rrënja nga toka e thatë. Ishte i përbuzur, më i mbrami ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai, para të cilit mbulohet fytyra; i përbuzur, këndej as s'e çmonin për asgjë. Por Zotit i pëlqeu ta ndrydhë me vuajtje. Në se e jep jetën e vet si fli shpërblyese, do të shohë një trashëgimi jetëgjatë, me anën e tij do të kryhet vullneti i Zotit.
Për shkak të vuajtjes së shpirtit të tij, do të shohë dritën e do të ngihet me njohjen e saj. Shërbëtori im i drejtë do të shfajsojë shumë, mbi vete fajet e tyre do t'i marrë!

R/Fjala e Zotit.
R/Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 32
R/ Na e jep, o Zot, mëshirën tënde,
sepse në ty shpresojmë.

E drejtë është fjala e Zotit,
besnike - çdo vepër e tij.
E do tagrin e drejtësinë,
përplot është toka me mirësinë e Zotit.R/

Ja, sytë e Zoti rrinë zgjuar mbi ata që ia kanë frikën,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij.
për t'i shpëtuar nga vdekja,
e për t'i ushqyer në kohë të urisë.R/

Shpirti ynë shprson në Zotin,
ai është ndihma jonë, mburoja jonë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, O Zot,
mbi ne që në ty shpresojmë gjithmonë. R/


Leximi II
Lexim prej letrës drejtuar hebrenjve
4, 14-16
Vëllezër, mbasi e kemi krypriftin e madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili ka përshkuar qiejtë - të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! Sepse, nuk kemi kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha, sikurse ne, me përjashtim të mëkatit.
T'i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohën e duhur!

Fjala e Zotit
R/Falënderojmë Hyjin!

Brohoritja për Ungjillin

Ndërsa diakoni sjell solemnisht librin e ungjijve në ambonë, bashkësia brohoret për Krishtin, që është i pranishëm në Fjalën e tij.
Ndërmjet besimtarëve që i afrohen me procesion eletrit, janë edhe shqiptarët Armand Cako, dhe Orselina Paluca.

Shkolla: Aleluja!
Shkolla: Jezu Krishti erdhi që të shërbejë,
e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.
Bashkësia: Aleluja

UNGJILLI (Mk. 10. 35-45)
Biri i njeriut erdhi që të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.

LEXIM I UNGJILLIT SHENJT SIPAS MARKUT

Në atë kohë, Jakobi e Gjoni, të bijtë e Zebedeut, iu afruan Jezusit dhe i thanë: "Mësues, dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë.
"Çka dëshironi - u tha Jezusi - të bëj për ju?".
Ata i thanë: "Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde".
Jezusi u përgjigj: "Nuk dini çka lypni. A jeni të zotët ta pini kelkun (gotën) që e pi unë? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?
"Jemi të zotët" - i përgjigjën ata.
Jezusi vijoi: "Vërtetë do ta pini kelkun që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzimin që unë pagëzohem. Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time - kjo nuk është në pushteitn tima ta jap - kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati".
Kur e morën vesh dhjetë të tjerët, u zemruan me Jakobin e me Gjonin. Prandaj Jezusi i thirri për rreth e u tha: "Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e vet. Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve, sepse Biri i Njeriut nuk erdhi për të qenë i shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.
Fjala e Zotit
R/ Lavdi të qoftë Ty, o Krisht!

Homelia

 
Homelia e Atit të Shenjtë Gjon Palit II, mbajtur gjatë kremtimit të Eukaristisë në Lumnimin e Nënë Terezës
Vatikan, 19 tetor 2003

1."Kush dëshiron të jetë i pari ndërmjet jush do të jetë shërbëtori i të gjithëve" (Mc. 10, 44) . Këto fjalë të Jezusit drejtuar nxënësve, që jehuan rishtas pak më parë në këtë Shesh, tregojnë cila është rruga që çon në "madhështinë" ungjillore. Eshtë e njëjta rrugë që përshkoi vetë Krishti, deri në Kryq; një udhë dashurie e shërbimi, që përmbys çdo logjikë njerëzore. "Të jesh shërbëtor i të gjithëve!".
Nga kjo logjikë është udhëhequr Nënë Tereza e Kalkutës, Themeluese e Misionareve e Misinarëve të Bamirësisë, të cilën sot kam gëzimin ta shkruaj në Librin e të Lumturve. I jam mirënjohës personalisht kësaj gruaje guximtare, të cilën e kam ndjerë gjithnjë pranë meje. Ikonë e Samaritanit të mirë, ajo shkonte gjithandej për t’i shërbyer Krishtit ndër më të varfrit. S’kishte luftë as konflikt që ta ndalonte.
Herë pas here vinte të më fliste për përvojën e saj në shërbim të vlerave ungjillore. Kujtoj, për shembull kur,duke marrë Çmimin Nobel, pati thënë: “Në se dëgjoni se ndonjë grua nuk do ta mbajë fëmijën e saj e dëshiron ta abortojë, përpiquni ta bindni të ma sjellë mua atë fëmijë. Unë do ta dua, duke parë në të shënjën e dashurisë së Hyjit” (Oslo, 10 dhjetor 1979).
  2. A s’është domethënës fakti që Lumnimi i saj ngjet pikërisht në ditën kur Kisha kremton Ditën Misionare Botërore. Me dëshminë e jetës së saj Nënë Tereza na kujton se misioni ungjillëzues i Kishës kalon përmes dashurisë e bamirësisë së krishterë, të ushqyer nga lutja e nga dëgjimi i Fjalës së Zotit. Simbol i këtij stili misionar është figura që e paraqet të Lumen e re duke shtrënguar, me njërën dorë, atë të një fëmije e, me tjetrën, Rruzaren Shenjte. Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht, lutjes.

3. “Kush dëshiron të jetë i madh ndërmjet jush, duhet të bëhet shërbëtori juaj" (Mk. 10. 43). Me emocion të posaçëm po kujtojmë sot Nënë Terezën, shërbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës e të botës. Jeta e saj është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Ajo nuk pati vendosur të ishte thjeshtë e fundmja, por shërbëtorja e njerëzve më të fundmë. Si Nënë e vërtetë e të varfërve, ajo vendosi t’i provojë vetë format e ndryshme të varfërisë. Madhështia e saj qëndron në aftësinë për të dhënë pa pritur shpërblim, për të dhënë “deri në dhëmbje”. Jeta e saj radikale, ishte Ungjill i gjallë. Britma e Krishtit në kryq "Kam etje!" (Gjn. 19: 28), që shpreh dëshirën e thellë të Zotit për njeriun, hyri në thelb të shpirtit të Nënë Terezës dhe gjeti një tokë pjellore në zemrën e saj. Të shuash etjen e Jezusit për dashuri dhe për shpirtra njerëzore, në bashkim me Shën Marinë, Nënën e Krishtit, u bë qëllimi i vetëm i jetës së Nënë Terezës; u bë forcë e brëndshme, që e shtynte atë të mos kujdesej për vetveten dhe të vraponte papushim rreth e përqark globit për të punuar për shpëtimin dhe shenjtërimin e më të varfërve ndër të varfër.

4. “Atë që bëni për më të voglin e këtyre vëllezëve të mi, ma keni bërë mua”. (Mt. 25: 40) Kjo pjesë e Ungjillit kaq e rëndësishme për të kuptuar shërbimin e Nënë Terezës ndaj të varfërve, ishte baza e bindjes së saj, e besimit se duke prekur trupat e shkatërruar të të varfërve, prekte Korpin e Krishtit. Ajo i shërbente vetë Jezusit, të fshehur pas pamjes së mjerë të të varfërve më të varfër. Nënë Tereza zbuloi kuptimin më të thellë të shërbimit si vepër dashurie që, duke u bërë për të uriturit, të eturit, të huajtë, të zhveshurit, të sëmurët, të burgosurit, (cf. Mt. 25: 34- 36), bëhet për vetë Jezusin.
    Duke e parë atë tek të varfërit, ajo i shërbeu me devocion të thellë, dhe shprehu kështu delikatesën e dashurisë për Dhëndrrin e saj. Prandaj në dhurimin e plotë të vetvetes për Zotin dhe për të afërmin, Nënë Tereza e realizoi plotësisht vetveten dhe zbuloi cilësitë më fisnike të femërsisë së saj. Ajo donte të ishte një shenjë e dashurisë së Zotit, e pranisë së Zotit, e mëshirës së Zotit, dhe kështu na kujton të gjithëve vlerën dhe dinjitetin e secilit prej bijve të Zotit, që janë krijuar për t'u dashur dhe për të dashur. Prandaj Nënë Tereza ishte ajo që i çonte shpirtrat tek Zoti e Zotin tek shpirtrat dhe shuante etjen e Krishtit, sidomos për ata që kishin më shumë nevojë, për ata që e shikonin vagëllimthi fytyrën e Zotit, me sytë e mjegulluar nga vuajtja e dhimbja.


5. "Biri i njeriut ka ardhur për të dhënë jetën e vet në shpërblim të shumkujt" (Mc 10, 45). Nënë Tereza jetoi mundimet e Tij të dhimbshme posaçërisht në vitet e gjata "të errësirës së brëndshme". Kjo provë, të cilën ajo e pranoi si "dhuratë e privilegj", i shkaktoi dhimbje të thekshme. Në orët më të errta, ajo lutej edhe më fort para të Shenjtnueshmit Sakrament. Kjo tronditje e rëndë shpirtërore e bëri të njësohej gjithnjë më shumë me ata, të cilëve u shërbente çdo ditë, duke provuar dhimbjen e nganjëherë, dhe braktisjen. I pëlqente të përsëriste se varfëria më e madhe është të jesh i padëshirueshëm, të mos kesh njeri që kujdeset për ty.

6. “Na e jep o Zot hirin tënd, në ty shpresojmë!" Sa herë, ashtu si Psalmisti, edhe Nënë Tereza, në çastet e përhumbjes shpirtërore i përsëriti Zotit të vet. "Në Ty, në Ty shpresoj, Zoti im!"
Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur e njerëzimit. Nderojmë në të një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj.
Virgjër Mari, Mbretëreshë e të gjithë shenjtërve, na ndihmo të jemi zemërbutë e të përvujtë, si kjo lajmëtare sypatrembur e dashurisë.
Na ndihmo t’i shërbejmë me gëzim e buzëqeshje çdo njeriu që takojmë. Na ndihmo të jemi misionarë të Krishtit, paqja jonë e shpresa jonë. Amen!

BESOJMA
Shkolla dhe bashkësia këndojnë Besojmën për të pohuar fenë e tyre
Këngëtari: Besoj; Besoj! Amen!

 
Shkolla: Besoj në Tënzonë, Atin e gjithëpushtetshëm, krijuesin e qiellit e të dheut.
E në Jezu Krishtin, Birin e tij një të vetmin, Zotin tonë, i cili u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt, lindi prej Virgjirës Mari, pësoi mundimet nën Poncin Pilat, u vu në Kryq, vdiq e u varros, zbriti në ferr, në të tretën ditë u ngjall së vdekuri, u ngjit në qiell, rri në anë të djathtë të Tënzot, Atit të gjithëpushtetshëm; prej andej do të vijë të gjykojë të gjallët e të vdekurit.
Besoj në Shpirtin Shenjt, në Shenjten Kishë katolike, në shoqërinë e shenjtërve, të ndiemët e mëkateve, të ngjallurit e korpit, jetën e pasosur. Amen!

Lutja e besimtarëve:
T'i afrohemi fronit të hireve,
duke besuar në ndërmjetësimin
e Kryemshtarit të madh, Jezu Krishtit,
që ka marrë mbi vete fatin e njerëzimit,
e tani, plot lavdi pranë Atit,
ndërmjetëson gjithnjë për ne.
Ati ia besojmë lutjen tonë
për shpëtimin e njerëzimit,
për paqen e harmoninë ndërmjet popujve
dhe impenjimin për ta lehtësuar vuajtjen e çdo njeriu.

Këngëtari: T'i lutemi Zotit!
R/ Ardhtë mbretëria jote!

1. Frëngjisht:
Apostullit Pjetër, simbol pushteti e hallkë bashkimi, ia drejtojmë mendimin tonë e i lutemi për pasardhësin e Tij, Papën Gjon Pali II, në 25-vjetorin e Papnisë së tij.
Nëpër ndërmjetësi të Marisë, Nënës së Kishës, jepi, o Zot, forcën ta përforcojë Kishën në fe e në shpresë, ta udhëheqë në takimin me njerëzimin e kohës sonë, që të ndriçojë kështu situtatat e sotme me dritën përherë të re të Ungjillit.

Këngëtari: T'i lutemi Zotit
R/ Ardhtë mbretëria jote!

2. Arabisht:
I drejtojmë sot sytë nga Virgjëra Mari, ylli i ungjillëzimit. Ndihmona, o Atë, t'i përgjigjemi thirrjes sate për shenjtëri dhe impenjimit misionar, përmes dëshmisë së jetës të jetuar në përkim me Ungjillin, përmes bashkëpunimit në kumtimin e mbretërisë sate në të katër anët e tokës, përmes solidaritetit për të ndihmuar njerëzit, që kanë tepër nevojë.

Këngëtari: T'i lutemi Zotit
R/ Ardhtë mbretëria jote!

3. Bengali
O Jezu Krishti, që u bëre i ngjashëm me ne, dëgjoje britmën e njerëzimit që vuan e shtypet. Duke të ndjekur Ty, Nënë Tereza e Kalkutës u përkul pranë të gjithë vëllezërve e motrave, të plagosur në korp e në shpirt.
Bëj, o Zot, që ta shikojmë në çdo fytyrë njerëzore fytyrën tënde, të shpërfytyruar nga vuajtja, nga keqtrajtimet e nga dhuna, të torturuar nga shtypja, të fyer nga braktisja; kështuqë me mikpritjen e buzëqeshjen tonë, t'u përçojmë të gjithëve rrezet e dashurisë sate.

Këngëtari: T'i lutemi Zotit
R/ Ardhtë mbretëria jote!

4. Shqip - Jezusi ka ardhur për të shërbyer, jo për të qenë i shërbyer. Zoti i frymëzoftë udhëhqësit e kombeve, të cilët me mirënjohje u përkulën para Nënë Terezës, për shërbimin e saj ndaj të varfèrve, ta kenë për zemër të mirën e njerëzimit, të mos mbrojnë interesa të partijake e vetjake, por të përpiqen për mirëqenien e të gjithëve, për paqen botërore, në drejtësi e respektim të çdo personi e të çdo populli.

Këngëtari: T'i lutemi Zotit
R/ Ardhtë mbretëria jote!

    Maqedonisht

Njerëzimi ka nevojë për punëtorë që vihen plotësisht në shërbim të Ungjillit e të vëllezërve.
Rrite, o Zot, zellin e bashkësisë së krishterë, që prej saj të lindin ungjillëzues të bindur, guximtarë e të përgatitur, që të dinë të dallojnë nevojat, të kuptojnë shenjat e kohëve, t'i kumtojnë botës së sotme Jezu Krshtin, i vetmi që mund t'i japë kuptim jetës njerëzore.
Këngëtari: T'i lutemi Zotit
R/ Ardhtë mbretëria jote!

    Rusisht:

I drejtojmë sytë nga Maria, agimi i shëlbimit.
Jepi, o Zot, shpresën të pa shpresëve, ngushëllimin të vuajturve; forcoje impenjimin tonë për t'i ndërtuar njerëzimit një botë më të mirë, për të zhdukur çdo dhunë, çdo shkelje të lirisë e të dinjitetit njerëzor, për të krijuar vëllazërimin universal, përparimin e popujve e të kulturave të tyre, për të nxitur dialogun ndërmjet feve!

Këngëtari: T'i lutemi Zotit
R/ Ardhtë mbretëria jote!
 
Ati i Shenjtë:
Dëgjoji, o Zot,
lutjet që të drejtuam.
Ti që dëshiron t'i shpëtosh të gjithë
e që dërgove Birin tënd
si shërbëtor të planit tënd të dashurisë për njerëzimin,
na ndihmo të ndërtojmë së bashku me të mbretërinë tënde,
që është jetë e vërtetësi, drejtësi e paqe, solidaritet e bashkim.
Shpirti yt na bëftë të kuptojmë
se është më gëzim kur jep, sesa kur merr,
sipas fjalës së Jezu Krishtit, Zotit tonë,
që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
R/ Amen!

 
LITURGJIA EUKARISTIKE
Ndërsa Atit të Shenjtë i Paraqiten dhuratat për flijimin, vijon:
Ndërmjet besimtarëve që i paqesin dhurat Atit të Shenjtë është Age Bojaxhiu, mbesa e Nënë Terezës, e bija e të vëllait, Lazrit.
 
Kënga e paraqitjes së dhuratave (offertorio)

 
Psalmi 103. 33
Kam për t'i kënduar Zoti derisa të marr frymë,
për t'i kënduar Zotit, derisa të jetoj.
Zoti e pëlqeftë këngën time,
gëzim im është në Zotin.

 
Ati i Shenjtë.
Lutuni vëllezër, që flijimi im e juaji të dalë i pëlqyeshëm para Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm.
R/ Zoti e pranoftë nga duart tuaja këtë flijë për lavd e lumturi të emrit të tij, për të mirën tonë e të mbarë Kishës së tij.
 

 
Ati i Shenjtë: Pranoj, o Zot, dhurata e lutjet e Kishës tënde, ashtu si qe i çmuar para syve tuaj mundimi shpërblyes i birit tënd.
Ai jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
R/ Amen

 LUTJA EUKARISTIKE III
 
Ati i Shenjtë e fton bashkësinë të lartojë zemrën drejt Zotit në lutje e në veprimin e hirit dhe të bashkohet me të në lutjen solemne të cilën, në emër të të gjithëve, ia drejton Atit Hyjnor përmes Jezu Krishtit në Shpirtin Shenjt.

 
Paralutja:
Misteri i Pashkëve dhe populli i Zotit

 
Ati i Shenjtë:
Zoti qoftë me ju!
R/ E me shpirtin tënd!
Lartojini zemrat!
R/ I kemi në Zotin.
Ta falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
R/ Është punë e denjë e e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë e e drejtë të të falënderojmë ty e të të lartojmë himinin e bekimit e të lavdërimit, Hyj i gjithëpushtetshëm e i amshuar, nëpër Krishtin Zotin tonë.

Mahnitëse është vepra e kryer prej tij në misterin e Pashkëve: ai na bëri të kalojmë nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes në lavdi e na bëri fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, njerëz të shenjtë, popull i fituar prej tij, për t'i kumtuar botës pushtetin tënd, o Atë, që nga errësira na thirre në shkëlqimin e dritës tënde.
Për këtë mister shëlbimi, të bashkuar me koret e ëngjëjve, shpallim plot gëzim lavdinë tënde:

SANCTUS

 
Lavdet drejtuar Zotit nga ana e krijesave dhe e popullt kishtar:

 
Ati i Shenjtë:
Tani po të lutemi përvujtërisht, dërgoje shpirtin tënd t'i shenjtërojë dhuratat që po t'i paraqesim, që të bëhen Korpi e Gjaku i Jezu Krishtit, Birit tënd e Zotit tonë, i cili na ka urdhëruar t'i kremtojmë këto mistere.

Rrëfimi për themelimim e Eukaristisë:
Natën në të cilën po tradhtohej, ai muar bukën e, pasi të falënderoi, e bekoi, e theu, e ua dha dishepujve të tij e tha:
MERRNI E HANI TË GJITHË PREJ SAJ:
KY ESHTË KORPI IM QË DO TË FLIJOHET PËR JU!
Ati i Shenjtë e larton hosten e shuguruar për t'ia paraqitur popullit dhe gjunjëzohet në adhurim:
Pasi kreu darkën në të njëjtën mënyrë, mori kelkun, e, duke të falënderuar ty, e bekoi, ia dha dishepujve të vet e tha:
MERRNI E PINI TË GJITHË PREJ SI:
KY ËSHTË KELKU I GJAKUT TiM, KELKU I BESËLIDHJES SË RE E TË AMSHUAR, QË DO TË DERDHET PËR JU E PËR SHUMË TË TJERË NË SHPËRBLIM TË MËKATEVE.
BËJENI KETË NË KUJTIM TIM!

 
Ati i Shenjtë: Misteri i fesë!
Bashkësia: Ti që na ke shpërblyer me Kryqin tënd e me ringjalljen tënde: na shpëto, o Shëlbues i botës.

Memoriali e oferta:
Ati i Shenjtë e bashkëkremtuesit:
Duke përkujtuar vdekjen e Birit tënd shpëtimprurës, të ngjallurit e lumnueshëm të tij e të ngjiturit në qiell, ndërsa presim ardhjen e tij të dytë, po të falim ty, o Atë, në shenjë falënderimi, këtë flije të gjallë e shenjte

Lutje drejtuar Zotit që ta pranojë këtë flije…
Shikoje me dashuri këtë dhuratë të kishës sate e pëlqeje flijen që ti vetë e deshe porsi peng paqtimi.: Të gjithë neve që jemi duke u ushqyer me Korpin e Gjakun e Birit tënd, na jep hiret e Shpirtit tënd Shenjt që të bëhemi në Krishtin një trup i vetëm e një shpirt i vetëm.

… e që Shpirti Shenjt të veprojë për bashkimin tonë:
Ai le të bëjë për ne një flije të përhershme, të pëlqyeshme para teje, kështuqë të mund të marrim pjesë së bashku me të zgjedhurit në trashëgim të mbretërisë tënde: me të Lumen Mari, Virgjër e Nënë e Hyjit, me të gjithë Shenjtërit Apostuj, me martirët e lumnueshëm, me të Lumen Terezë të Kalkutës e të gjithë shenjtorët, ndërmjetësit tonë pranë teje.

Lutja e ndërmjetësimit për botën e për kishën…

 
Një bashkëkremtues tjetër:
Bëj, o Atë, që kjo flije pajtuese të dalë për paqë e për shëlbim të botës mbarë. Përforcoje në fe e në dashuri Kishën tënde shtegtare mbi tokë, së bashkut me shërbëtorin tënd Shenjtin atë Papë Gjon Palin II, me urdhërin e ipeshkvisë, me gjithë klerin e mbarë popullin, të cilin ti vetë e shpërbleve.
Dëgjoje lutjen e kësaj familjeje, të cilën e deshe në prani tënde. Bashkoi rreth vetes, o Atë i mëshirshëm, të gjithë bijtë e tu të shpërndarë anë e kënd.
për të vdekurit.
Pranoi vëllezërit tanë të vdekur dhe të gjithë ata që u ndanë nga kjo jetë në hir tënd, ku shpresojmë të hyjmë edhe ne; në mbretëri tënde, për të gëzuar së bashku me ta lavdinë tënde. Në Krishtin, Zotin tonë, përmes të të cilit ti, o Hyj, i jep botës çdo të mirë.

Lavdërim për Trininë Shenjte.
Ati i Shenjtë e bashkëkremtuesit:
Nëpër Krishtin e me Krishtin e në Krishtin, të qoftë ty, o Atë i gjithëpushtetshëm, së bashku me Shpirtin Shenjt, çdo nderim e lavdi në shekuj të shekujve!
Bashkësia: Amen.

Në sa këndohet Amen i doksologjisë, kremtohet riti liturgjik "Arati" sipas mënyrës së kuluturës indiane, ndërsa në gjuhën tamil, këndohet:

 
Të adhurojmë, o Zot
Zot, Fjalë e mishëruar, të adhurojmë me dritë
Me dritën të adhurojmë(2 herë)

Zot, ti që jep jetën, të adhurjmë me temjan ( kêm)
Me temjan të adhurojmë.

Zot, jeta jonë e drita jonë, të adhurojmë me lule
Me lule të adhurojmë.
 
RITI I KUNGIMIT
Lutja drejtuar Zotit
Ati i Shenjtë: Të mbështeur në fjalën e Shëlbuesit dhe sipas mësimit hyjnor marrim guximin të themi:
Bashkësia: Atynë, që je në qiell, i shenjtëruar qoftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt, si në qiell ashtu në dhe.
Bukën tonë të përditshme jepnae neve sot, e ndiejna ne fajet e mëkatet tona, si i ndjejmë ne fajtorët tanë, e mos ne lërë të biem ne e keq, po largona prej gjithë së keq!
Ati i Shenjtë: Na çliro, o Zot, nga të gjitha të këqijat, na jep, me mirësi tënde, paqe në ditët tona e, në sajë të mëshirës tënde, do të çlirohemi nga mëkati e do të jemi të sigurtë nga çdo shqetësim, duke pritur me afsh të bardhën shpresë, ardhjen e shëlbuesit tonë Jezu Krishtit.

Bashkësia: Sepse ty të përket mbretëria, ty pushteti e lavdia në shekuj!

RITI I PAQES
Ati i Shenjtë: O Zot, Jezu Krisht, ti që u the apostujve të tu, "Po ju lë paqen, po ju jap paqen time; mos i shiko mëkatet tona, por fenë e Kishës tënde e denjohu ta ruash në paqe e ta bashkosh në dashuri sipas vullnetit tënd
Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve!
R/ Amen

Ati i Shenjtë: Paqja e Zotit qoftë përherë me ju!
R/ E me shpirtin tënd.
Diakoni: Jepini njëri-tjetri shenjën e paqes.
Të pranishmit shprehin dëshirën e tyre për paqe me një gjest që i bashkon si vëllezër.
Ndërsa Ati i Shenjtë thyen bukën eukaristike, këndohet

Qingji i Hyjit:
Shkolla: O Qengji i Hyjit, ti shlyen mëkatet e botës
Bashkësia. Ki mëshirë për ne.
Shkolla: O Qengji i Hyjit, ti shlyen mëkatet e botës
Bashkësia. Ki mëshirë për ne.
Shkolla: O Qengji i Hyjit, ti shlyen mëkatet e botës
Bashkësia. Ne jep paqen ne.
 
Ati i Shenjtë: Lum ata që janë të ftuar në darkën e Hyjit: ja Qengji i Hyjit, ai që shlyen mëkatet e botës.
Bashkësia: O Zot, unë nuk jam i denjë të marr pjesë në tryezën tënde, por thuaje një fjalë të vetme e unë do të shpëtoj!
Ati i Shenjtë dhe bashkëkremtuesit kungohen me Korpin e Gjakun e Krishtit.
Edhe besimtarët marin Kungimin shenjt.

 
Kënga e Kungimit
Shkolla: Goja ime lavdëron Zotin sot e përgjithmonë.
Bashksia përsërit:

Psalmi 144
    O Zot, Mbreti im, dua të të lavdëroj

e emrin tënd ta bekoj në amshim e përgjithmonë.R/

    I mirë është Zoti me të gjithë,

mirësia e ti shtrihet mbi të gjitha krijesat.
Të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat tuaja,
të bekojnë besimtarët. R/

    Këndojnë lavdinë e mbretërisë sate,

e flasin për pushtetin tënd,
për t'u treguar njerëzve mrekullitë e tua,
dhe lavdinë e ndritshme të mbretërisë sate.

    Mbretëria jote është mbretëri e gjithë shekujve,

pushteti yt shtrihet nga breznia në brezni!R/

Këngë:
Kush do të na ndajë?

    Kush do të na ndajë nga dashuria jote?

Vuajtja, ndoshta, apo shpata?
As jeta as vdekja nuk do të na ndajë
Nga dashuria e Krishtit!

    Kush do të mund të na ndajë nga paqja e tij,

persekutimi, ndoshta, o dhimbja?
Nuk ka fuqi që të na ndajë
nga ai që vdiq për ne.

    Kush do të na ndajë nga gëzimi i tij?

Kush mund të na e rrëmbejë ndjesën e tij?
Askush në botë nuk mund të na largojë
nga jeta në Krishtin Zot.

Ati i Shenjtë:
Të lutemi:
Shenjtëroji, o Zot, e përtëriji besimtarët e tu që i ftove në këtë tryezë dhe shpërndaji mbi të gjithë njerëzit, përmes veprës së Kishës, frytet e shëlbimit të fituara nga Krishti në kryq.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
R/ Amen.


RITI I PËRFUNDIMIT
Bekimi
Ati i Shenjtë: Zoti qoftë me ju!
R/ E me shpirtin tënd!
Ati i Shenjtë: Qoftë bekuar emri i Zotit.
R/ Tash e përgjithmonë.
Ati i Shenjtë: Ndihma jonë është në emër të Zotit.
R/ Ai bëri qiellin e tokën
Ati i Shenjtë: Ju bekoftë Hyji i gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirti Shenjt
R/Amen.
Diakoni: Mesha u krye: shkoni në paqe.
R/ Falënderojmë Hyjin.
 
KËNGA PËRFUNDIMTARE
Krishti fiton
Krishti fiton, Krishti sundon, Krishti do të mbretërojë!
 
    Gjon Palit II, pasardhës i Shën Pjetrit e bari i gjithë grigjës së Hyjit, Zoti i dhëntë paqe, jetë e shëlbim!

Ardhtë gëzimi i Krishtit! Ardhtë paqja e Krishtit! Ardhtë mbretëria e Krishtit!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 
TREGUESI
 
I Shënime biografike për Shërbëtoren e Zoti, Terezën e Kalkutës.

 
II Përgatitja e kremtmit

 
II Kremtimi i Eukaristisë

 
Riti i Hyrjes
Riti i Lumnimit
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Liturgjia Eukaristike

 
Riti i përfundimit.


 

 
 
 

 
 

 

 
 
 

 





 

 


 

 







All the contents on this site are copyrighted ©.