98 vjetori i lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, të Lumes Nënë Terezë
(26.8.2008 RV)Si sot 93 vjet më parë
lindi Gonxhe Bojaxhiu, e Lumja Nënë Tereze e cila me 19 tetor të vitit 2003 lartohet
në nderime të elterit. Figura më karizmatike e 1900-tës, Nënë Tereza, lindi në Shkup
më 26 gusht e u pagëzua më 27 gusht të vitit 1910, ndërsa u kthye në shtëpinë e Atit
Qiello më 5 shtator të vitit 1997. Tërë jetën ia kushtoi të menjanuarve e të varfërve
të Kalkutës e të botës mbarë, duke fituar dashurinë e më të varfëve ndër varfër, nderimin
e të pushtetshmëve e admirimin e mbështetjen e Papëve. Nënë Tereza qe dëshmi e
gjallë e dashurisë së Zotit për njeriun, sidomos për më të varfërin e nevojtarin,
i mjekoi plagët e njerëzimit të përbuzur e të mohuar. Mbrojti gjithnjë e kudo, me
një guxim të pashoq jetën dhe dinjitetin e njeriut, e atyre që shtypeshin e përbuzeshin
nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga vota, u dha vetëdijën se nuk
ishin të tepërt e të harruar, por ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit yë gjithëpushtetshë,
plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e vet. Nënë Tereza dëshmoi e mishëroi
Ungjillin e dashurisë me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes për më të varfërit, duke
merituar më 1979 çmimin Nobel për Paqe. Kudo shkoi, Nënë Tereza u përpoq të shuante
etjen e Krishtit, etjen për Dashuri. Papa Gjon Pali II e quajti „dhuratë e Zotit për
Kishën e për botën“, për t’u kujtuar kështu të gjithëve se dashuria ungjillore qëndron
mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhët
më të përbuzurit ndërmjet vëllezërve e mortave tona. Nënë Tereza është shembull i
jashtëzakonshëm i bamirësisë së heshtur, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit
të kryqëzuar. Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim
frymëzimi për familjen e sa shpirtërore, Misionaret e Dashurisë, për Atdhen e saj,
për Kishën e mbarë njerëzimin. Po e kujtojmë sot plot me emocion ditëlindjen e Nënë
Terezës, shërbëtoren e madhe të të varfëve. Jeta e saj është dëshmi e dinjitetit dhe
e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Ajo deshi të zvogëlohej sa më shumë para
syve të Zotit, duke u bërë shërbëtorja e më të vegjëlve. „Ti duhet të jesh dora e
Provanisë Hyjnore kur nuk të shikon askush, në mënyrë që ata të cilët marrin të mira
e ndihmë, t’i jenë mirënjohës Zotit e jo ty“, thoshte e Lumja Nënë Terezë. Kështu
krahët e saj u bënë krahët e vetë Zotit e ajo, simbol i dukshëm, i prekshëm i dashurisë
së Tij Hyjnore. Mori mbi vete barrën e stër-rëndë të të gjithë të varfëve të botës,
duke e ditur se kështu plotësonte vullnetin e Zotit të vet. Ky pra është edhe thelbi
i përshpirtërisë së Nënë Terezës, që i ka themelet në dashurinë e pakufijshme të Atit
Qiellor për të varfërit e të braktisurit, që gjen shprehjen më të lartë në misterin
e Kryqit e të ngjalljes së Krishtit. Kjo është edhe forca e vërtetë mistike e mësimit
që na la trashëgim e Lumja Nënë Terezë. Mbi këtë grua të madhe e të jashtëzakonshme
të Zotit, ta dëgjojmë dëshminë e prifit shqiptar don Lush Gjergjit, famullitar
i kishës Katedrale të Prizerenit….