2008-08-25 18:58:36

Rubrika 365 ditë: "Imzot Krua-Sor dhe ligji kundër shfrytëzimit të të miturve".


(25.08.2008 RV)RealAudioMP3 “Duhet bërë diçka pa tjetër! Nuk mund të vijohet më kështu!” Imzot de Krua-Sor, kryeipeshkëv i Ruâ, qytet i Normandisë, zemërohet kur shikon si punohet në fabrikat e zonës. Jemi në vitin 1830 e rreth Ruâ janë ngritur shumë fabrika, të cilat prodhojnë pëlhura. Industria tekstile është shumë e lulëzuar, por me ç’çmim? Në këto fabrika, që funksionojnë kaq mirë, shumica e punëtorëve janë fëmijë. Në një kohë kur shkolla nuk është e detyrueshme, shumë familje të varfëra shtrëngohen t’i çojnë fëmijët në fabrikë për të punuar e për të fituar sadopak para. Sadopak, sepse të miturit nuk shpërblehen njëlloj si të rriturit, ndonëse shpesh punojnë më shumë e më mirë. Pagë sa për të shuar urinë! Por për familjet që nuk kanë gjë prej gjëje, është diçka.
Ajo që e shkandullon Imzotin Krua, nuk është ndryshimi i pagave. Për të është diçka e përbindshme t’i bësh fëmijët të punojnë që në moshë të njomë! Të kalojnë ditë të pafundme duke thurur pëlhura para makinave, shpesh herë tepër të rënda e të rrezikshme, pa pushuar asnjë çast. Kjo natyrisht ua shkatërron shëndetin shumë para se të rriten. Madje nganjëherë nuk rriten fare, sepse vdesin para kohe. Për një epokë, e cila mburret me progresin shkencor që ka arritur, kjo është vërtetë çnjerëzore.
Me që pronarët e fabrikave nuk duan ta kuptojnë sa e rëndë është situata, kryeipeshkvi i Ruâ duhet t’i japë shoqërisë shtytjen të bëjë një ligj. Vetëm shteti mund ta ndalojë punën e të miturve, e jo vetëm në Ruâ, por në mbarë Francën, sepse imzot Krua-Sor e di mirë se fabrikat funksionojnë kështu në të gjithë vendin.
Me rastin e Krezhmëve të vitit 1838, kryeipeshkvi i Ruâ merr letër e penë për të protestuar me forcë. Kërkon një ligj të hekurt, që ndalon mbytjen e fëmijëve me punë.
Imzot de Krua-Sor nuk është i vetmi që zemërohet, kur shikon si shfrytëzohen fëmijët e njomë. Por është ipeshkvi i parë që kërkon t’i mbrojë me ligj. E kërkesa e tij pranohet. Një politikan i krishterë, Montalambert, ua transmeton deputetëve që hartojnë ligjet. Më në fund, në mars të vitit 1841, shteti e ndalon me ligj punën e fëmijëve nën moshën tetë vjeç dhe vendos rregulla të mirëpërcaktuara për normalizmin e punës së tyre nga mosha dymbëdhjetë deri në gjashtëmbëdhjetë vjeç.







All the contents on this site are copyrighted ©.