2008-08-25 17:29:14

Në Engjëllin e Tënzot Papa u bën thirrje kombeve: të shmanget rreziku i rikthimi të kundërvënieve tragjike të së kaluarës.


(25.08.2008 RV)RealAudioMP3 Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Kastel Gandolfo, Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë për rritjen e tensioneve ndërkombëtare dhe u bëri një thirrje të fuqishme shteteve për ta shmangur rikthimin e kundërvënieve tragjike të së kaluarës. Duhet thelluar vetëdija se njerëzimi është një familje e vetme kombesh – theksoi me forcë Papa. Lidhur me këtë pohim e duke kujtuar Ungjillin, që propozonte liturgjia e së dielës, Benedikti XVI nënvizoi edhe se misioni i Pasardhësit të Pjetrit është pikërisht ta bashkojë, në Krishtin, mbarë njerëzimin si një familje e vetme.
Benedikti XVI theksoi me keqardhje rrezikun e keqësimit, në vijim, të klimës së besimit e të bashkëpunimit ndërmjet shteteve, të cilat duhej të ishin gjithnjë më të vetëdijshme se bëjnë pjesë në ‘familjen e kombeve’, siç u shpreh Gjon Pali II para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Duhet thelluar vetëdija se na bashkon i njëjti fat, i cili në fund të fundit është fat i mbinatyrshëm, (cfr Mesazh për Ditën Botërore të Paqes, 1 janar 2006, n.6) , për të shmangur rikthimin e kundërvënieve nacionalistike, që patën pasoja aq tragjike në stinët e tjera historike. Ngjarjet e fundit kanë bërë që shumkush ta shikojë me dyshim të ardhmen, duke mos besuar se një përvojë e tillë i takon përfundimisht së kaluarës”.
Megjithatë, nuk duhet të biem në pesimizëm, vijoi Papa:
Përkundrazi, duhet të impenjohemi gjallërisht, që të shmanget tundimi për t’i përballuar situatat e reja me sistemet e vjetra. Duhet hequr dorë nga dhuna! Forca morale e së drejtës, bisedimet e ndershme e trasparente për t’i dhënë fund kundërvënieve, duke nisur nga ata që kanë të bëjnë me lidhjen ndërmjet tërësisë tokësore e vetvendosjes së popujve, mbajtja e fjalës së dhënë si dhe kërkimi i së mirës së përbashkët: ja disa nga rrugët kryesore, që duhen ndjekur në mënyrë të guximshme e krijuese, për të vendosur marrëdhënie të frytshme e të sinqerta e për t’u siguruar breznive të sotme e të ardhshme kohë harmonie e progresi moral e qytetar”.
Papa iu lut Marisë,‘Mbretëreshës së paqes’ që udhëheqësit e kombeve të bëjnë çmos për rivendosjen e paqes e të drejtësisë. Para kësaj thirrjeje, duke pasur parasysh Ungjillin e së dielës, Benedikti XVI foli për misionin e Pasardhësit të Pjetrit, që është pikërisht ‘të bashkojë në Krishtin mbarë njerëzimin në një familje të vetme”:
“Shërbimi i tij i domosdoshëm është që Kisha të mos identifikohet kurrë me një komb të vetëm, me një kulturë të vetme, por të jetë Kisha e mbarë popujve, për ta bërë të pranishme ndërmjet njerëzve, të trazuar nga përçarje e kundërvënie të panumërta, paqen e Hyjit dhe forcën përtëritëse të dashurisë së tij. Përballë përgjegjësisë së jashtëzakonshme të kësaj detyre, e ndjej gjithnjë më shumë barrën e rëndë të shërbimit ndaj Kishës e ndaj botës që ma besoi Zoti. Prandaj ju kërkoj ju, të dashur vëllezër e motra, të më ndihmoni me lutjet tuaja që, besnikë ndaj Krishtit, ta kumtojmë e ta dëshmojmë së bashku praninë e tij në kohën tonë”.
Benedikti XVI kujtoi edhe besojmën e Pjetrit, që e njeh Jezusin si ‘Krishtin, Birin e Hyjit të gjallë” dhe ripohoi me forcë vetëdijen se Krishti është thesari i vërtetë, për të cilin ia vlen të flijosh gjithçka:
Ai është mik që nuk të braktis kurrë, sepse i njeh dëshirat më të fshehta të zemrës sonë. Jezusi është Biri i Hyjit të gjallë, Mesia i premtuar, që erdhi në tokë për t’i dhuruar njerëzimit shëlbimin e për të shuar etjen për jetë e për dashuri të çdo zemre njerëzore. Ç’ përfitim të madh do të kishte njerëzimi po ta pranonte këtë kumt, që sjell me vete gëzimin e paqen!”.
Në përfundim Papa, duke përshëndetur shtegtarët spanjollë, kujtoi aksidentin tragjik të avionit, të mërkurën e kaluar në aeroportin e Madridit dhe i siguroi se vijon të lutet për shpirtin e të vdekurve e për shërimin e shpejtë të të plagosurve:
“El Señor conceda fortaleza, consuelo y esperanza a sus familias...
Zoti u dhënë forcë, shpresë e ngushëllim familjeve të tyre, të cilave dëshiroj t’u rikujtoj dashurinë e afërsinë time shpirtërore. Zoti i bekoftë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.