2008-08-25 17:31:49

Me Nënë Terezën :“ Ikësi i vogël!”.


(25.08.2008 RV)RealAudioMP3 Nesër Nënë Tereza mbush 98 vjet. Themi ‘mbush’ e jo ‘mbushte’, sepse ajo mbetet e gjallë mes njerëzve, me shembullin e saj të ndritur. Si të krishterë, besojmë plotësisht se na shikon, lutet e ndërmjetëson për ne nga shtëpia e Atit qiellor, në sa ne mundohemi të ecim në gjurmët e ndritura të Asaj, që deshi t‘i ngjiste ‘ikësit të vogël’. Duke ikur nga shtëpia e Kongregatës së saj të parë, ku kishte gjithçka, shkoi mes të varfërve, ku nuk kishte asgjë, veç asaj, që ajo e çmonte mbi të gjitha ‘dashurisë së pakufishme të Zotit e të njeriut”. Këtë na kujton në emisionin e njëzet e njëtë të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’.

 
“Mund të mësojmë shumë gjëra të bukura nga të varfërit, në mënyrë të veçantë nga ata që kanë uri, janë të sëmurë, shikohen si të padobishëm e nuk kanë asgjë, përveç njëri-tjetrit.
Një ditë gjeta në rrugë një fëmijë fare të vogël.
Kishte uri të tmerrshme: Zoti e di prej sa kohe nuk kishte vënë gjë në gojë.
Sytë e vegjël i digjeshin, si në ethe, nga uria (besoj se ju e keni shumë të vështirë të kuptoni ç’do të thotë uri në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale).
I dhashë një copë bukë.
Fëmija nisi ta hajë dalë-nga-dalë, me copëza fare të vogla.
“Haje, haje! Se kur ta mbarosh, të jap tjetër” – i thashë.
M’u përgjigj:
“Kam frikë se, kur ta mbaroj bukën, do të kem prap uri!”.
Ky fëmijë e dinte mirë ç’do të thotë uri, sepse e kishte provuar…
E mora me vete dhe e çova në shtëpinë tonë të fëmijës.
I bëmë banjo dhe e veshëm me rroba të reja, të pastërta.
Pasdite na u zhduk.
E kërkuam, e gjetëm dhe e sollëm përsëri në shtëpinë e fëmijës. Na u zhduk rishtas.
U thashë motrave:
“Mos e humbisni nga sytë, por pa ju vënë re. Përpiquni, kështu, ta zbuloni, pse nuk do të rrijë këtu”.
E ai iku përsëri.
Një nga motrat e ndoqi pas dhe e gjeti nën një pemë.
Aty banonte e ëma, e cila atë çast po gatuante diçka, që sigurisht e kishte gjetur ndër plehra.
Fëmija rendte drejt dashurisë, kësaj gjëje që bota po vijon ta harrojë.
Ne përpiqemi t’u japim të varfërve ushqimin më të mirë të mundshëm.
Edhe fëmijës i jepnim gjëra shumë të mira.
Por ai vijonte të përsëriste:
“Kjo nuk është shtëpia ime. Unë dua të shkoj në shtëpinë time”.
Atje, nën hijen e pemës, nuk kishte tjetër, veç një rrogoz të mjerë, pa çarçafë, pa jastek.
Megjithatë ajo ishte shtëpia që fëmija e donte, sepse atje e priste dashuria e nënës, që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër.
Ëmë e bir duheshin me gjithë zemër, prandaj për ikësin e vogël kjo ishte shtëpia më e bukur në botë!







All the contents on this site are copyrighted ©.