2008-08-25 17:31:30

Dita e dytë e punimeve të Mitingut të Riminit organizuar nga Lëvizja ‘Bashkim e çlirim’.


(25.08.2008 RV)Dita e dytë e mitingut të Riminit, ku vijojnë të arrijnë vizitorë të rinj.
Dje, hapja nga kardinali Angjelo Banjasko, kryetar i Konferencës ipeshkvnore italiane, që u prit me duartrokitje të stuhishme; më pas edhe hapja e ekspozitave si ajo e Lëvizjes së punëtorëve pa tokë të Brazilit dhe e veprimtarive të tjera, shumë të pasura.
E po dje, në një letër drejtuar imzot Françesko Lambiasit, ipeshkëv i Riminit, kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, i përcolli përshëndetjen e Papës Mitingut të madh, që u hap me Meshën e kryesuar nga kryeipeshkvi i qytetit, në praninë e më se 10 mijë vetëve, përballë të cilëve jehuan fuqimisht fjalët e Benediktit XVI:“Vetëm Krishti mund t’ia zbulojë njeriut dinjitetin e tij të vërtetë e t’i komunikojë kuptimin e mirëfilltë të jetës së tij”.
Këto fjalë i drejtohen një mbledhjeje të madhe, ku flitet për protagonizëm. Prej këndej, pyetja e mesazhit të kardinalit Bertone: ‘Ç’do të thotë të jesh protagonist?”. Kultura e sotme, me mjetet e saj të fuqishme të komunikimit, mendon se të jesh protagonist do të thotë ta realizosh vetvetën duke u bërë i pasur, duke arritur kulmin e suksesit, duke fituar famë: me fjalë të tjera, duke e ndjerë se je ‘dikushi’. Ndërsa krishterimi na tregon një paradoks, me vetë jetën e Shën Palit Apostull, ‘plot me vështirësi për t’u përballuar, shumë më tepër se ngushëllime e gëzime për t’u shijuar: njeriu është bërë për realizimin e amshuar të jetës së tij, dmth për të njohur Zotin. E për ta arritur këtë, nuk duhet shumë famë, e as sukses. Protagonist është ai, që ia dhuron veten Zotit, i cili e fton të bashkëpunojë në planin universal të shëlbimit”.
Ky është protagonizmi, për të cilin flitet në Miting, fjalë që na takojnë të gjithëve! Nuk ka rëndësi në se jetojmë të mbyllur në muret e një manastri të klauzurës, apo merremi me veprimtaritë e ndërlikuara të kësaj bote. Rëndësi ka të jemi dëshmitarë të një dashurie, që nuk trembet nga asgjë, që nuk ka frikë nga askush, as nga vetë vdekja”. Ky është reflektimi i Papës, që shpreson se fjalët e tij do t’i ndihmojnë pjesëmarrësit në Miting ta takojnë Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.