Shën Bartolomeu Apostull, që kremtohet sot, i parë me syrin e Papës Benedikti XVI
(24.08.2008 RV)Bartolomeu është njëri nga të Dymbëdhejtë Apostujt, që e ndoqën
Jezusin. Dimë se ishte nga Kana e Galilesë, por nuk e dimë as datën e lindjes e as
atë të vdekjes. Mendohet se vdiq nga gjysma e shekullit I, ndoshta në Siri. Qe Katolikosi
i të gjithë armenëve. Festohet më 24 gusht.
“Zoti na
befason, duke na bërë ta gjejmë atë që kërkonim, pikërisht atje ku nuk e prisnim”
– këtë u kujtoi Benedikti XVI në audiencën e 4 tetorit 2006 shtegtarëve, të cilëve
u paraqiti shembullin e Shën Bartolomeut. Apostulli njihet edhe me emrin Natanael,
që do të thotë “Zoti ka dhënë”. Shën Filipi Apostull e njofton se kishin gjetur Jezusin,
të birin e Jozefit nga Nazareti. Natanaeli i përgjigjet me një paragjykim: “A mund
të dalë gjë e mirë nga Nazareti?”. E Filipi ia kthen: “Eja e shih”. Prej këndej do
kuptuar se në lidhjen tonë me Jezusin nuk duhet të përqëndrohemi vetëm tek fjalët;
që ta njohim mirë, kemi nevojë për një përvojë të gjallë: “Dëshmia e
të tjerëve është sigurisht e rëndësishme, sepse si rregull, e gjithë jeta jonë e krishterë
fillon me kumtimin që vjen deri tek ne përmes veprës së një ose disa dëshmitarëve.
Por më pas duhet të jemi ne vetë që hyjmë personalisht në lidhje të ngushtë e të thellë
me Jezusin”. “Qe një izraelitas i vërtetë, në të cilin nuk ka dredhi”,
brohoret Jezusi duke takuar Natanaelin, i cili i përgjigjet: “Rabbì, ti je Biri i
Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”. Kemi të bëjmë me pohimin e një feje të pastër, që
nxjerr në dritë përmasën e dyfishtë të Jezusit: “Nuk duhet ta humbasim
nga sytë as njërën as tjetrën nga dy përmasat, sepse po të shpallim vetëm përmasën
qiellore të Jezusit, krijohet rreziku ta bëjmë një qenie qiellore dhe të vagëlluar;
e në qoftë se, përkundrazi, pranojmë vetëm praninë e tij në histori, errësojmë përmasën
hyjnore, që e cilëson Krishtin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës”. Nuk
kemi lajme të tjera për Bartolomeun, i cili na mëson se bashkimi me Jezusin mund të
jetohet e të dëshmohet edhe pa kryer vepra të jashtzakonshme.