2008-08-24 12:45:00

Një javë me Papën Benedikti XVI


(24.08.2008 RV)Benedikti XVI dhuroi një çek prej 125 mijë dollarësh në ndihmë të njerëzve që u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit në Osecien e Jugut. Njoftimin e dha, përmes agjensisë Zenit, imzot Gjuzepe Pazoto, administrator apostolik i latinëve të Kaukazit. Të dy thirrjet e Papës për paqe me rastin e lutjes së Engjëllit të Tënzot të 10 e 17 gushtit, vijojnë të kenë një jehonë të madhe në Gjeorgji. Në një vend me shumicë ortodokse – shpjegon imzot Pazoto – të gjithë u çuditën për interesimin kaq të vendosur të kreut të Kishës katolike e për pohimin se e ka në zemër popullin gjeorgjian e lutet për të.

Jo vetëm shok jete, por edhe pikë orientimi në situata të vështira. Kështu e përshkroi Benedikti XVI të vëllain, imzot Georg Racinger, të cilit të enjten e kaluar iu dorëzua titulli ‘Qytetar nderi’ i Kastel Gandolfos. Im vëlla – kujtoi ndërmjet tjerash Papa - e kujtoi se kemi arritur në etapën e fundit të jetës sonë, në moshën e pleqërisë. Ditët që na mbetën për të jetuar, vijojnë të pakësohen. Por edhe në këtë etapë, im vëlla më ndihmon ta pranoj me qetësi, përvujtëri e guxim barrën e çdo dite. E falënderoj!

“Shembulli i tij është ftesë që i drejtohet secilit nga ne për t’ia hapur zemrën Zotit”- me këto fjalë fillon letra e ngushëllimit shkruar nga Benedikti XVI, në kujtim të ipeshkvit të Bolxano-Bresanones, Vilhelm Eger, salikimet e të cilit u kremtuan të enjten e kaluar në katedralen e qytetit.

Periudha e pushimeve është kohë e përshtatshme edhe për t’i njohur më mirë shenjtorët, për të cilët Kisha u flet çdo ditë besimtarëve. Kjo është ftesa, që Benedikti XVI u bëri besimtarëve gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës.
“Çdo ditë – kujtoi Ati i Shenjtë – Kisha na paraqet një ose disa shenjtorë e të lum, që t’u lutemi ose t’u përngjasim.

Këto ditë Tg1 RAI intervistoi ipeshkvin e Pekinit, Jozef Li-Shan, i cili foli kryesisht për situatën e Kishës në Kinë. Në vend – tha prelati – numërohen 8 deri në 10 milionë katolikë. Në Pekin ka 20 kisha e, në ditët festive, kremtohen 3-4 Meshë, që ndiqen nga rreth 3 mijë besimtarë për çdo funksion. Ipeshkvi tha edhe se marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë e Pekinit vijojnë të bëhen gjithnjë më të mira dhe se ‘ka zhvillime të mëdha’; uroi, më pas, edhe një shtegtim të Papës në Kinë. Këtë intervistë, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi, në mikrofonin e Radio Vatikanit, e konsideroi si një nga sinjalet me të cilat pala kineze i përgjigjet gatishmërisë dhe urimit të bërë nga ana e Papës, në letrën drejtuar katolikëve kinezë një vit më parë, për të kërkuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kinës e Selisë së Shenjtë.

Javët e ardhshme do të lumnohen gjashtë Shërbëtorë të Hyjit.Zyra e Kremtimeve Liturgjike e Papës njofton se javët e ardhshme do të kremtohen ritet e lumnimit për 6 Shërbëtorë të Hyjit. Ndërmjet tyre - një martir i foibeve, prindërit e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë dhe rrëfyesi i Motrës Faustina Kovalska.







All the contents on this site are copyrighted ©.