2008-08-24 12:45:30

Dita ndërkombëtare kundër tregtisë së skllevërve: skllavërive të vjetra e të reja.


(24.08.2008 RV)Dje, nën udhëheqjen e UNESKO-s, u kremtua Dita Ndërkombëtare e kujtimit të tregtisë së skllevërve dhe e ndalimit të saj.
L’Oservatore Romano thekson se është fjala për një ‘tragjedi që nuk i takon vetëm të kaluarës”. E përditshmja e Selisë së Shenjtë nënvizon se plaga e tregtisë së qenieve njerëzore vijon edhe në ditët tona, me pasoja të rënda mbi miliona njerëz, posaçërisht gra e fëmijë, që shkëputen nga vatrat e tyre, duke përdorur forcën, ose duke paguar ata që kanë autoritet mbi viktimat.
Gazeta vatikanase kujton edhe origjinën e kremtimit: ‘Dita kremtohet në përvjetorin e kryengritjes së skllevërve të Santo Domingos, natën ndërmjet 22 e 23 gushtit 1791, ngjarje që pati ndikim vendimtar mbi ndalimin e tregtisë transatlantike. Sivjet kjo ditë përkoi me një përkujtim tjetër të rëndësishëm: dyqindvjetorin e ndalimit të tregtisë së skllevërve në SHBA-së, më 1808.
Vite të largëta, që na kujtojnë se, për fat të keq, tregtia e turpshme e njerëzve nuk kia marrë fund: vijon edhe në kohën tonë, në forma të reja: skllavëri për borxhe, bujkrobëri e re, punë e detyruar, shfrytëzim seksual, martesë me dhunë në moshë të mitur, skllavëri për shkaqe rituale ose fetare. E të gjitha këto forma kanë një emërues të përbashkët: robërimin e qenieve njerëzore, që bëhen’pronë’ e një njeriu tjetër. Skllevërit - vijon teksti - janë njerëz që u përkasin shtresave më të varfëra e më të ligështa të shoqërisë. Nuk bëhen skllevër për shkak të përkatësisë etnike, shoqërore apo fetare, por është pikërisht kjo përkatësi që i bën viktima të varfërisë e të shfrytëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.