365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Pjetër Maria Shanel, misionar
në Futunë".
(24.08.2008 RV)“Ej, ti, njeri i
egër, si guxon të ulesh mbi gurin tim të shenjtë!”. Pak a shumë këtë kuptim kanë
fjalët që thotë me zë të lartë mbreti i Futunës, ndërsa vrapon i armatoisur deri në
dhëmbë drejt Pjetër Shanelit. Misionari kërcen menjëherë në këmbë. Nuk i merr vesh
fjalët e mbretit: jemi aty nga fundi i vitit 1837 e Pjetri sapo ka ardhur në ishullin
e Futunës, në Polinezi. Prandaj nuk e flet akoma gjuhën e vendit. E vetmja gjë që
kupton është që, me sa duket, guri mbi të cilin është ulur, nuk është një bankë e
thjeshtë. Mbreti qetësohet e Pjetri merr frymë i lehtësuar. Jeta e tij në ishull
nuk do të jetë e qetë, do të jetë krejt e ndryshme nga e mëparshmja, kur ishte famullitar
në një qytet ndërmjet Francës e Zvicrës. Mjafton pak e gjë për të bërë gabime, kur
shkon në anën tjetër të botës... E pra Pjetri është i lum. Prej kohe ëndërronte
të bëhej misionar: jeta e tij meshtarake në Francë nuk i mjaftonte, e prandaj hyri
në urdhërin e ri, në Shoqërinë e Marisë (anëtarët e së cilës njihen me emrin etërit
maristë). Pak kohë më parë Papa u besoi maristëve misionin për ungjillëzimin e Oqeanisë. Sapo
nis misionin në Futunë, Pjetri e shikon se nuk do ta ketë të lehtë. Vështirësi nga
më të ndryshmet e trazojnë rëndë jetën e misionarit. Në fillim mbreti e ministrat
e tij qenë shumë kureshtarë për të njohur fenë e re, që vinte nga Evropa. Të ftuar
në Meshë, mbetën pa gojë nga kremtimi sa i bukur, aq edhe i çuditshëm. Por dalë-nga-dalë
Pjetri mësoi gjuhën e tyre dhe nisi t’u shpjegonte kush është Jezusi. Sa më shumë
fliste, aq më armiqësor bëhej qëndrimi i mbretit e i rrethit të tij. Banorët e ishullit
e kuptojnë se Pjetri erdhi aty për t’i bindur të heqin dorë nga doket e tyre pagane.
Po ata s’e kanë fare ndër mend ta bëjnë këtë kthesë kaq të jashtëzakonshme. Mbreti
mërzitet gjithnjë më shumë nga predikimi i njeriut të ardhur nga larg. Më 28 prill
të viti 1841, tri vjet e gjysëm pas arritjes së Pjetrit Maria Shanel, sovrani merr
një lajm, që e tmerron. I biri do të kthehet në fenë e krishterë. Krejtësisht i tërbuar,
jep urdhër që misionari të dënohet me vdekje. E urdhëri zbatohet sakaq. Por mbreti
nuk i kishte menduar pasojat e kësaj vdekjeje. Banorët e Futunës, ndryshe nga sovrani
i tyre, kishin nisur ta donin gjithnjë më shumë misionarin. Mahniteshin nga durimi
i njeriut që kishte ardhur nga larg e buzëqeshja e tij ua kishte fituar zemrat. Kur
ai ishte gjallë, nuk patën guxim për t’u bërë të krishterë, por vdekja e këtij burri
shenjt, i bindi. E kështu, pothuajse menjëherë pas vdekjes së tij, të gjithë banorët
e ishullit kërkuan të marrin sakramentin e Pagëzimit. E të mendosh se Pjetër Maria
Shanel nganjëherë mendonte se nuk do t’ia arrinte kurrë kësaj dite…