2008-08-22 16:28:52

Tërheqja e trupave ruse nga territori gjeorgjian e kontrasti ndërmjet Nato-s dhe Rusisë sa vjen e rritet


(22.8.2008. RV)Ndërsa konfirmohet tërheqja e trupave ruse nga territori gjeorgjian, e cila vetëm sa po ushqen polemika për ngadalësinë e saj, kontrasti ndërmjet Nato-s dhe Rusisë sa vjen e rritet. Kremlini e çoi më tej krizën në Gjeorgji dhe pezulloi marrëdhëniet ushtarake me Nato-n. Ministri i jashtëm Lavrov tha për shtypin se Nato-ja ka nevojë për Rusinë aq sa Rusia ka nevojë për të. Nga ana tjetër OKB tashpërtash nuk ka paraqitur ende asnjë mundësi kompromisi.


Vendimi i Rusisë për të ndërprerë bashkëpunimin me Nato-n shqetëson Selinë e Shenjtë, sipas së cilës ato që paguajnë për krizat e reja si edhe për garat e armatimeve janë gjithmonë vendet më të varfëra. Kështu deklaroi në mikrofonin e Radio Vatikanit kryeipeshkvi Silvano Maria Tomazi, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë zyrës së OKB-së në Gjenevë.


“Në qendër të vëmendjes është situata humanitare në Gjeorgji.” Kështu pohoi Martin Selmajer, zëdhënësi i Komisionit të BE-ian duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse qeveria europiane po punon për platformën e partneritetit strategjik me Rusinë, parashikuar për mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE që do të mbahet me 5 dhe 6 shtator në Avinjon. “Objektivi parësor është që ndihmat t’i arrijnë popullsisë. Të tjerat mund të presin.” shtoi zëdhënësi Selmajer.


Ambasadori i ri amerikan në Moskë Xhon Bejrl pranoi se përgjigja e Moskës ndaj sulmit gjeorgjian në Osetinë jugore qe fillimisht më se e motivuar. Por më pas shtoi ambasadori amerikan, Rusia e teproi sepse pushtoi pjesë të Gjeorgjisë duke cënuar kështu tërësinë tokësore të një shteti të pavarur.


Ndërkohë një autokolonë e gjatë automjetesh luftarake ruse është parë sot duke u larguar nga Gori në drejtim të Osetisë jugore. Lajmi u dha nga disa gazetarë të pranishëm në vend e ështè konfirmuar edhe nga autoritet e Tbilisit. Sipas tyre autokolona përbëhej prej afro 20 kamionash me qindra ushtarë.


E ndërsa një pjesë e trupave ruse po largohet nga zonat e pushtuara, zëvendësshefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse Anatoli Nogovicin, deklaroi sot se Rusia në rast nevoje mund ta rrisë numrin e ushtarëve të saj paqëruajtës në zonën e konfliktit gjeorgjian.







All the contents on this site are copyrighted ©.