2008-08-22 16:02:03

Papa për vëllain, Georg: pikë orientimi në situata të vështira.


(22.08.2008 RV)RealAudioMP3 Jo vetëm shok jete, por edhe pikë orientimi në situata të vështira. Kështu e përshkroi Benedikti XVI të vëllain, imzot Georg Racinger, të cilit dje pasdite iu dorëzua titulli ‘Qytetar nderi’ i Kastel Gandolfos. Ceremoninë, organizuar në selinë verore papnore të qyetezës laciale, në praninë e Benediktit XVI, e hapi kryetari i bashkisë, Mauricio Kolaki, i cili shpjegoi edhe motivacionin e nderimit: ‘Imzot Georg Racinger shpallet ‘Qytetar nderi’ i Kastel Gandolfos, për aftësinë e përkimit me sukses të sferës materiale me atë shpirtërore, posaçërisht në veprimtarinë e tij muzikore, si drejtor i korit të Katedrales së Regensburgut ‘Regensburger Domspatzen”. Prania e tij në qytezën tonë gjatë stinës së verës, pranë të vëllait të tij të dashur – vijoi kryetari i bashkisë – na mbush me gëzim e krenari.
Benedikti XVI iu përgjigj, duke improvizuar këtë përshëndetje:
“Jam thellësisht i gëzuar që im vëlla tani i përket kolegjit të ndritur të bashkëqytetarëve të nderit të kësaj qyteze të bukur. Kështu Kastel Gandolfo bëhet më i dashur e më pranë zemrës sime. Prandaj, faleminderit për këtë gjest, edhe nga ana ime.
Në fillim të jetës, im vëlla ishte për mua jo vetëm shok, por edhe prijës i besueshëm. Ishte për mua pikë orientimi e referimi, me qartësinë dhe vendosmërinë e vendimeve të tija. Më tregoi gjithnjë udhën, në të cilën duhet të ecja, edhe në situata të vështira.
Ju, zoti kryetar i bashkisë, me fjalët tuaja të bukura, më bëtë të rikujtoj vitet e kaluara në Regensburg, ku realisht muzika e këndshme, e dëgjuar në katedrale, të dielë pas të diele, ishte për mua kënaqësi, ngushëllim, gëzim i thellë shpirtëror, pasqyrim i bukurisë së Hyjit.
Im vëlla e ceku faktin se ndërkaq kemi arritur në etapën e fundit të jetës sonë, në moshën e pleqërisë. Ditët që na mbetën për të jetuar, vijojnë të pakësohen. Por edhe në këtë etapë, im vëlla më ndihmon ta pranoj me qetësi, përvujtëri e guxim barrën e çdo dite. E falënderoj!
Falënderoj edhe komunën e Kastel Gandolfos për këtë gjest, që është njëkohësisht vlerësim edhe për mua. Ta përfundojmë këtë ceremoni me bekimin apostolik”. Ceremonia u kremtua në Pallatin Apostolik, por u transmetua përmes ekraneve të mëdha edhe në Sheshin përpara selisë papnore, përplot me banorë vendas e turistë. Ndërmjet tyre, autoritete të larta politike e kishtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.