(22.08.2008 RV)Sa kushton një buzëqeshje?
E ku e ka burimin? Ndoshta kushton shumë, që kur njerëzit e kanë kaq të vështirë t’i
buzëqeshin njëri-tjetrit. E ndoshta duhet të jesh i pasur, që të të bjerë në mend
të vësh buzën në gaz, për vete e për të tjerët. Të jetë e vërtetë kjo? Përgjigjen
do ta gjeni tek emisioni i nëntëmbëdhjetë i ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”,
bazuar tek libri ‘Jeta ime’, titulli i të cilit është njëkohësisht ftesë për
të gjithë: “Buzëqeshini njëri-tjetrit!”.
“Një
herë shkova për vizitë në një strehë për pleqtë, një nga më të mirat në Angli, ku
punonin edhe motrat tona. Në këtë shtëpi jetonte një numër i kufizuar të
moshuarish. Nuk kam parë kurrë në jetën time sende aq të bukura, sa pashë
në atë vend. Aroma, vepra arti, lule, libra… atyre njerëzve dukej se nuk u mungonte
asgjë.. Dukej… Ishin rrethuar nga të mirat. Megjithatë, mua m’u duk se diçka
mungonte… Diçka tepër e rëndësishme, stolia më e çmuar në jetën e njeriut. Në fytyrat
e njerëzve, të cilët i kalonin ditët e fundit të jetës në atë seli luksoze, nuk pashë
as hijen e buzëqeshjes. Rrinin të gjithë pa lëvizur, me sytë e ngulur tek
porta. E pyeta motrën, që drejtonte punën në këtë banesë: “Motër,
pse janë kaq të trishtuar këta njerëz, të cilëve nuk u mungon asgjë? Pse nuk shikoj
asnjë duke vënë sadopak buzën në gaz? (Ju kujtoj se unë jam mësuar të shikoj
rreth vetes fytyra të qeshura: e kjo, sepse besoj, e madje jam e bindur se buzëqeshja
lind buzëqeshjen, ashtu si dashuria, dashurinë). Motra më dha këtë përgjigje: ‘Kështu
ndodh ditë për ditë. Presin gjithnjë, me shpresë se ndokush do të kujtohet se nuk
kanë vdekur akoma e do të vijë t’i takojë. Vetmia ua bren e ua grin shpirtin. E vijojnë
t’i mbajnë sytë të mbërthyer tek porta, duke harruar gjithçka i rrethon’. Ç’varfëri
e tmerrshme është mungesa e dashurisë. Ç’mjerim, kur e ndjen se nuk të do askush,
se askush nuk kujtohet për ty, nuk e di ku je e nuk vjen kurrë të të thotë një fjalë
të mirë! Para ca kohe, një grup i madh profesorësh nga SHBA-së, erdhi për
të vizituar shtëpinë tonë në Kalkutë. Para se të shkonin, më thanë:
“Na jep një këshillë, që të na ndihmojë për t’u bërë më të mirë!”. U thashë: “Buzëqeshini
njëri-tjetrit” (kam përshtypjen se sot njerëzve nuk u mbetet kohë as për një buzëqeshje). Njëri
prej tyre vërejti: “Nënë Terezë, shihet qartë se ju nuk jeni e martuar”.Iu
përgjigja: “Përkundrazi, jam, e ju siguroj se nganjëherë e kam të vështirë
t’i buzëqesh Jezusit, sepse kërkon shumë nga unë”.