2008-08-22 16:25:50

Dyzet vjet më parë, shtegtimi historik i Palit VI në Bogota; Papa i parë që shkeli në Amerikën Latine


(22.08.2008 RV)Dyzet vjet më parë, më 22 gusht 1968, Pali VI niste, në Bogota të Kolumbisë, një shtegtim historik për hapjen e Konferencës II të përgjithshme të Episkopateve latino-amerikane e karaibike. Ishte Papa i parë që shkelte në trojet e Amerikës Latine.
"Hijos amadísimos de Colombia y de América...
Bij të shumëdashur të Kolumbisë e të Amerikës … një galdim i thellë e një emocion i fuqishëm pushtojnë shpirtin tonë, duke parë se Provania na ruajti privilegjin të jemi Papa i parë që arrin në këtë tokë tejet fisnike, në këtë kontinent të krishterë, ku në një ditë misterioze – të paracaktuar nga planet shëlbuese të Hyjit – mbi majat andine arriti lartësia e Kryqit e në shtigjet e lashta të kibkas, të indianëve maja, inkas, aztekë e tupi-guaranies, nisi të dukej fytyra e Krishtit”.
Me këto fjalë Pali VI, dyzet vjet më parë, më 22 gusht 1968, përshëndeste Kishat e Kontinentit amerikan, sapo kishte arritur në kryeqytetin e Kolumbisë, ku kishte shkuar për të hapur punimet e Konferencës II Episkoplae latino-amerikane e karaibike. Ishte fillimi i vazhdimësisë së gjesteve profetike e atërore, që do të përforcoheshin, më pas, edhe nga Gjon Pali II e nga Benedikti XVI.
Prania e Papës në Kontinentin amerikan qe një përqafim me të gjithë popujt, me besimtarët e jo besimtarët, katolikët e jo katolikët, e kështu mbetën në kujtesën e popujve të këtyre viseve këto ditë të paharrueshme.
Para se të nisej, Pali VI pati marrë një lajm tepër të trishtueshëm: atë të shkeljes së Çekosllovakisë nga tanket sovjetike. Deshi ta anullonte këtë shtegtim historik, në se do të ishte e nevojshme, për të lehtësuar situatën dramatike. Megjithatë, dhimbja që e shtrëngonte zemrën e Papës e të mbarë botës, në sa shikonte sesi liria thërmohej nën zinxhirët e hekurt të tankeve, nuk mundi ta errësojë gëzimin e kësaj vizite papnore: mijëra kolumbianë vërshuan nëpër rrugë, për të parë e për të përshëndetur Pasardhësin e Shën Pjetrit, që kaloi në Kontinetin e ri, tri ditë të ngarkuara me veprimtari, ndërmjet të cilave, fjalimi i famshëm i përurimit së Konferencës së përgjithshme të Episkopateve latinoamerikane e karaibike, që hapte shtigje të reja shpirtërore, baritore e shoqërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.